Administratori i OSHEE, Adrian Çela dhe ministri Gjiknuri inspektojnë punimet në nënstacionin e ri elektrik të Himarës

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte në Bashkinë e Himarës ku inspektoi punimet e fundit nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik 110/35/20 kV.

“Këtu jemi në një nga investimet më serioze që janë bërë vitet e fundit në energjetike në gjithë zonën e bregut. Ndryshimi këtu është thelbësor, pasi mjafton që qytetarët të kujtojnë disa vite para, furnizimi me energji në këtë zonë ka qenë problematik. Këto probleme nuk ekzistojnë më por ne po i paraprijmë zhvillimeve të pritshme turistike për gjithë zonën e bregut”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci tha se investimi është pjesë e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman, falë mbështetjes me kredi të butë nga banka kfË.

Duke sqaruar se financimi ka nisur që me ndërtimin e Unazës së Jugut 110 kv, Gradeci sqaroi se “faza e fundit ishin dy nënstacionet, ai i Orikumit dhe Himarës me vlerën 6.3 milion euro. Investimi garanton sigurinë e furnizimit dhe cilësinë e tensionit për të gjithë këtë zonë”.

Ndërkaq, administratori i OSHEE-së Adrian Çela njoftoi se pas këtij investimi nga OST, kompania e shpërndarjes nis në Shtator ndërhyrjen për rrjetin e ri 20 kV që prek gjithë vijën bregdetare.

“Kemi arritur të garantojmë një sezon turistik normal për të gjithë pushuesit. Ky është viti i tretë që kemi aplikuar dhe njësitë e gatishmërisë. Pra, skuadra speciale nga qytete të tjera të Shqipërisë alokohen gjatë 3 muajve të sezonit nga Velipoja, përgjatë gjithë vijës bregdetare, Durrës, Shëngjin, Golem, Vlorë deri në Sarandë. Dua të theksoj se ky investim i paraprin një investimi tjetër të madh që do të nisë Operatori i Shpërndarjes për të cilin puna do të nisë në muajin shtator. Është një investim në shifrën rreth 16 milion eurove vetëm për zonën e bregdetit ku është Himara, Dhërmiu, Qeparoi, Vunoi, Livadhja, Jala e Palasa do bëhen 7 fidera të rinj”, nënvizoi Çela.