Administratori i OSHEE, Çela: Investimet e reja, në zonat me konsumin më të madh

celaaa1Intervista e administratorit të OSHEE, z.Adrian Çela, dhënë  TV Scan për zhvillimeve të fundit

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike paraqet probleme të shumta si përsa i përket cilësisë se furnizimit, ashtu edhe marrëdhënieve që ka me operatorët e tjerë në treg?

Si parashikoni të rimëkëmbni një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të shtetit shqiptar?

Rimëkëmbja e sektorit do të bëhet në tre faza.

Ne kemi nisur dy fazat e para që janë ulja e humbjeve në rrjet dhe realizimi i investimeve afatshkurtra.

Kemi ndërmarrë aksione për parandalimin e vjedhjeve që kryen në sistemin e shpërndarjes së energjisë, ndërkohë që kemi aplikuar një skemë lehtësuese për abonentët që nuk kanë shlyer detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike. faza e tretë parashikon investime në një periudhë afatgjatë duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj klientit.

Theksoj se, nga 174 nënstacione elektrike, 154 prej tyre janë tejet të amortizuara.

Ligji i ri i energjisë sjell detyrime shtesë për OSHEE, sidomos përsa i përket marrëdhënieve me operatorët privatë në tregun e energjisë. Cili është mendimi juaj për këto ndryshime dhe a është e aftë kompania që të bartë barrën e importit të energjisë?

Zbatimi i ligjit të ri i mundëson kompanisë që të blejë energji nga KESH me çmim bazuar në bursën e Budapestit. Energjia do të blihet edhe nga operatorët privatë që operojnë në tregun shqiptar.

Ndërsa korporata do të importojë energji vetëm për humbjet teknike në rrjet që përllogariten në 21% të konsumit total.

 Ku do të jenë të fokusuara investimet në periudhën afatshkurtër? Po në atë afatgjatë?

Investimet kryesore do të bazohen në ato zona ku edhe konsumi është më i lartë, pra në Tiranë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Kemi konstatuar se në këto zona edhe humbjet janë më të mëdha, ndaj është e domosdoshme që shtrirja e investimeve të shtrihet në këtë vijë.

Megjithatë, e theksoj se investimet do të përfshijnë të gjithë rrjetin e shpërndarjes në vend.

Matësat inteligjentë janë një risi për tregun shqiptar.

Sa besim keni tek një rezultat pozitiv?A mund të pretendojmë rregullim të situatës dhe ulje të humbjeve me vendosjen e këtyre matësve, në një kohë që linjat e shpërndarjes lënë shumë për të dëshiruar?

Ne do të nisim një projekt pilot me kompaninë Deutcshe Telekom për vendosjen e 10 mijë matësave.

Projekti që do të zgjasë rreth 8 muaj përfshin 5 zona të ndryshme të qarkut Tiranë, duke filluar që nga ato më problematiket e deri te zonat më të rregullta.

Në këtë mënyrë do të kemi një tabllo më të qartë të situatës për të ndërmarrë veprime të mëtejshme.

Projekti pilot është i financuar nga kompania, ndërsa ne pas nxjerrjes së rezultateve dhe nëse marrim një vendim për vendosjen e matësve mendojmë se në total projekti do të shtrihet në një periudhë 5 vjecare.

OSHEE ka marrë një vendim që parashikon zbatimin e një skeme lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Pse u mor ky vendim dhe nuk u trajtua sipërmarrja private si konsumatorët familjarë?

Skema lehtësuese për bizneset është një shërbim i ri që ofron kompania. Bazuar në direktivat e Bashkimit Europian dhe ligjit të ri të energjisë, subjektet private që janë të lidhura në linjat e ndryshme të tensionit, do të konsiderohen si biznese të kualifikuara dhe do të përjashtohen nga skema e furnizimit të detyrueshëm. Në këtë mënyrë bizneset do të mund të zgjedhin vetë operatorin furnizues. Kështu, bizneset që janë të lidhura në linjën e tensionit të mesem prej 35 kilovolt, në fund të këtij viti do të dalin jashtë skemës. Ndaj ne kemi përcaktuar 6 këste për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e kështu me radhë për bizneset e tjera.

Sa është vlera e detyrimeve të prapambetura për biznesin?

Janë rreth 90 mijë biznese debitore ndaj OSHEE, ndërsa vlera e detyrimeve arrin në 14 miliardë lekë.

Rezultatet e aktmarrëveshjeve me qytetarët?

Deri tani janë lidhur 250 mijë aktmarrëveshje me qytetarët shqiptarë. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet që ne morëm vendim për shtyrjen e afatit deri më 31 Mars. E theksoj, se ky afat nuk do të shtyhet më tej dhe kjo është data e fundit ku qytetarët mund të përfitojnë nga skema lehtësuese e uljes së vlerës të kamatvonesës me 80%.

Ulja e humbjeve në rrjet si pasojë e ndërprerjes së vjedhjeve dhe të ardhurat e kompanisë?

Vlera e arkëtimeve vjetore për abonentët ka arritur në 86%, ndërsa vitin që lamë pas janë arkëtuar 54 miliard lekë më shumë se më parë. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti ne kemi arkëtuar 22 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për muajin janar humbjet kapën një vlerë prej 36.6% ndërsa gjatë muajit shkurt arritën në 32%. Objektivi ynë është që humbjet totale në sistem përgjatë këtij viti të arrijnë në vlerën e 31.8%

 Masat që po ndërmerren për rritjen e cilesisë së shërbimit ndaj klientit, hapja e sporteleve te reja, kontrolle ne administrate, trajtim ankesash etj…?

janë trajtuar 60 mijë ankesa të qytetarëve, kryesisht për mbifaturime apo mos lexim korrekt të matësit të energjisë elektrike. kemi trajnuar dhe vazhdojmë të trajnojmë personelin tonë për një cilësi më të lartë shërbimi ndaj klientëve si edhe po ushtrojmë kontrolle të shumta përsa i përket abuzimeve në terren nga ana e punonjësve tanë. Nuk do të tolerojmë më që këto abuzime të ndodhin. Gjithashtu, kemi rritur numrin e qendrave të kujdesit ndaj klientit si edhe kemi zgjatur oraret e punës në sportele deri në 16 orë.