Administratori i OSHEE për TCH: Suksesi i reformës garantoi furnizimin me energji pavarësisht thatësirës

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, z.Adrian Cela, në një intervistë dhënë TCH, ka deklaruar se suksesi i reformës për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, garantoi furnizimin me energji në kushtet e një thatësire të paparashikuar.

Z.Cela ka garantuar vijimin e investimeve që kompania do të kryejë në rrjetin e shpërndarjes, pavarësisht shpenzimeve që u detyrua të bëjë kompania OSHEE për blerjen e energjisë në tregun ndërkombëtar.

E pyetur nga gazetarja e TCH, Administratori i OSHEE, tha se plani i investimeve parashikon përfundimin e ndërtimit të rrjetit të ri 20 kv në të gjithë hartën e bregdetit, me qëllim garantimin e furnizimit me energji pa ndërprerje të zonave turistike, jo vetëm gjatë sezonit të verës.

Lexoni më poshtë intervistën e plotë

TCH: Si u përballua furnizimi me energji elektrike gjatë sezonit turistik nga ana e kompanisë së Shpërndarjes?

Është i dyti radhazi që kompania OSHEE përballon me sukses sezonin turistik, por ky vit ka pasur përmirësim shumë më të dukshëm sa më parë. Mund të themi se ky sezon turistik është përballuar me sukses të plotë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në të gjithë zonat, nga Velipoja deri në Jug. Kjo bazuar në shifrat e numrit të ndërprerjeve, kohës së rekuperimit të ndërprerjeve (flasim gjithmonë për ndërprerje të paparashikuara). Ju do të shihni se shifrat tregojnë për një përmirësim 50-70 përqind të këtyre treguesve që janë matës për performancën e kompanisë. Kjo është bërë në sajë të investimeve që kompania ka bërë në këto 2 vite dhe organizimit të strukturave të saj në mënyrë sa më efikase dhe për të qenë sa më pranë këtyre zonave, për tu garantuar pushuesve dhe operatorëve turistikë, një cilësi shërbimi të kënaqshme.

Kjo sdo të thotë se me këto përparime në 2 vjet është zgjidhur plotësisht situata dhe për sezonet e ardhshme. Ne kemi vënë re se në këto zona ka shtim të fuqisë së instaluar me hapjen e resorteve të reja turistike. Për këtë arsye, kemi marrë masa që vitin e ardhshëm të ofrojmë shërbim sa më cilësor duke investuar në instalimin e rrjetit të ri 20 kv nga Palasa deri në Qeparo për gjithë bregdetin. Po ashtu, do të fillojë së shpejti investimi për rrjetin 20 kv nga tuneli i Ujit të Ftohtë deri në Orikum, pra do të zëvendësohet i gjithë rrjeti i vjetër 10 dhe 6 kv i trashëguar për 40 vjet. Përfundojmë brenda vitit tjetër 2 nestacione të rinj, ai i Orikumit dhe Himarës. Gjithashtu kemi parashikuar investim në zonën e Velipojës për të fuqizuar nstacionin dhe të shtrojmë rrjetin 20 kv. Kjo zonë kishte mbetur më pak prapa në raport me investimet në zonat e tjera turistike. Në Shëngjin, me investimet e realizuara për shtrimin e rrjetit 20 kv dhe në nstacion, situata ishte mjaft e mirë gjatë këtij sezoni turistik. Në Golem kemi bërë investime në nstacion dhe kanë filluar investimet dhe në fidera që përfundojnë pranverën e ardhshme. Pra, me gjithë këtë panoramë, dua të them se ne patëm sukses në këtë sezon, por ajo që është e rëndësishme kemi bërë investime për ti paraprirë situatës së furnizimit dhe në sezonet e ardhshme. Do të thotë se investimet që po kryhen në këto zona turistike të garantojnë një shërbim cilësor të furnizimit me energji. Një zonë që ka marrë përparësi në planin e investimeve të kompanisë në zonat turistike është zona e Gjirit të Lalzit. Aty trashëgojmë një rrjet të vjetër, për këtë arsye i kemi paraprirë situatës duke investuar për shtrimin e rrjetit 20 kV. Brenda një periudhe më pak se 18- mujore dhe kjo zonë do të ketë infrastrukturë të re të rrjetit të shpërndarjes njësoj si zonat e tjera turistike.

TCH: Kompania OSHEE shpenzoi 90 mln euro për blerjen e energjisë në periudhën qershor-shtator, për shkak të thatësirës së pazakontë që përjetoi vendi ynë A do të ketë impakt te investimet?

Është e vërtetë se kompania OSHEE ka kontraktuar për periudhën 1 Qershor-30 Shtator, gati 90 mln euro përfshi dhe TVSH për importin e energjisë. Sepse për shkak të mungesës së reshjeve e prurjeve të këtij 8 mujori që është fakt jo vetëm për Shqipërinë por dhe rajonin, KESH nuk mund të garantonte kontratën që ka me OSHEE për furnizimin e sasisë për klientët e rregulluar. OSHEE duke qenë se e ka detyrim të garantojë furnizimin me energji për të gjithë klientët fundorë, është detyruar të blejë në tregun e lirë. Kjo e ka detyruar OSHEE të shpenzojë atë fond të përcaktuar për investime. Por dua të theksoj 2 momente: 1-performanca e mirë e OSHEE në këto 30 muaj, që me nisjen e reformës së energjisë, ka bërë të mundur uljen e nivelit të humbjeve dhe rritjen e nivelit të arkëtimeve. 2. Po të mos ishim në këto nivele, dhe ky fond që është përballuar tërësisht nga të ardhurat e kompanisë, në një moment tjetër sdo kishte qenë i mundur. Investime do të vazhdojnë pasi nuk ka rrugë tjetër për arritjen e synimeve që kompania i ka vënë vetes, për realizimin e treguesve të performancës sic janë ulja e nivelit të humbjeve dhe rritja e nivelit të arkëtimeve.

TCH: Pse ka një rënie e ritmit të humbjeve?

Kur nisi reforma e rimëkëmbjes së energjisë, niveli i humbjeve ishte mbi 40 përqind, sigurisht niveli i abuzimit ishte aq i madh sa hapat e parë janë më të ndjeshëm. Vjet niveli i humbjeve në rrjet u mbyll në shifrën 28 përqind, projeksioni për këtë vit është për tu mbyllur në nivelin 26 përqind. Mund të kemi një lëvizje të vogël për shkak të efektit që mund të na sjellin rezultatet e muajit Qershor ku për herë të parë që nga nisja e reformës, nuk u arrit nivel i kënaqshëm në humbjet teknike dhe arkëtimet për shkak se kompania pati një administrim të përkohshëm, por projeksioni ynë është niveli 26 përqind i reduktimit të humbjeve.
Niveli i abuzimit tashmë kërkon investime të cilat do të sjellin efekt jo vetëm në nivelin e humbjeve teknike, por dhe në ato jo teknike. Ne kemi zona rurale që kanë rrjet të amortizuar të shpërndarjes, duhet investuar në rrjetin e tensionit të mesëm, të ulët, në kabllot ABC, në sistemin e matjes, instalimin e matësave. Ne kemi nisur dhe një proces të përditësimit të të dhënave dhe një nga përfitimet prej këtij procesi është lidhja e abonentit me matësin përkatës për të kuptuar sa lloj matësash kemi. Pasi ska pasur asnjëherë inventar të saktë për matësat dhe cilët janë matësat që duhen ndryshuar. Na ka rezultuar se janë 500 mijë matësa, nuk është shifër e konfirmuar, por po flasim për një shifër në raport me 1.2 mln abonentë. Pra janë investime që duhen bërë dhe këto do të sjellin rezultate.

Ne kemi filluar investimet në matjen e bilancit të energjisë, në nivel kabine e fider sepse dhe këto do na japin efektin e nivelit të humbjeve. Është llogaritur që kjo kompani duhet të realizojë rreth 350 mln euro investime në vit për të arritur treguesit e performancës, në 5 vjet.