Aktmarrëveshjet/ Pagesat me këste dhe reduktim kamate, shtyhet afati!

Me propozim të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE SH.A), Këshilli Mbikëqyrës vendosi miratimin e paketës lehtësuese për mundësinë e lidhjes së aktmarrëveshjes edhe gjatë vitit 2018-të.

Sipas vendimit, i cili ka nisur të zbatohet, abonentët debitorë kanë mundësi të lidhin aktmarrëveshje (AKM) me OSHEE-në për t’i paguar me këste detyrimet e prapambetura deri në vitin 2016-të.
Kjo do të thotë se kushti kryesor i lidhjes së AKM-së, është në fillim, shlyerja e gjithë detyrimit të vitit 2017, kurse detyrimet e prapambetura deri në vitin 2016, mund të paguhen me këste fikse, si:
• Për familjarin 2.800 lek/muaj
• Për pensionistin, ndihmë ekonomike dhe invalidin 1.200 lekë/muaj

Vendimi thotë se “Konsumatorët Jo-Familjarë & Buxhetore Jo-buxhetore”, pra bizneset, institucionet shtetërore, etj, që shprehin vullnetin të kryejnë pagesën e detyrimit, me këste fikse mujore, bazuar mbi detyrimin, si më poshtë:
• Deri në 300.000 lekë detyrim, me 24 këste
• Nga 300.000 deri në 500.000 lekë, me 48 këste
• Nga 500.000 deri në 800.000 lekë, me 60 këste
• Nga 800.000 deri në 1.000.000 lekë, me 84 këste
• Mbi 1.000.000 lekë detyrim, me 120 këste

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës së OSHEE SH.A i jep mundësi debitorëve, në rast se paguajnë të gjithë detyrimin njëherësh, përfitojnë reduktim kamate, në nivelin:
• 70% për abonentët familjarë
• 50% për abonentët jo-familjarë