Banka Botërore vlerëson arritjet e sektorit energjetik: OSHEE përmirësoi treguesit

Banka Botërore e ka ndryshuar klasifikimin mbi ecurinë e zbatimit të projektit për Rimëkëmbjen e Energjisë Elektrike në Shqipëri duke e konsideruar një hap përpara. Në monitorimin e kaluar vlerësimi i Bankës Botërore ishte “relativisht pakënaqshëm” ndërsa aktualisht ai ka kaluar në “relativisht kënaqshëm”.

Në vitin 2014, Banka Botërore miratoi një projekt në vlerën 150 milion USD që synonte mbështetjen e qeverisë shqiptare në kuadër të reformimit dhe rimëkëmbjes financiare të sektorit të energjisë elektrike.

Kredia u bë efektivWorld Bank Document në Janarin e vitit 2015 dhe duhet të përfundonte në fund të muajit Nëntor 2019. Ajo parashikonte 93 milion USD për investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike; 30 milion USD për nevojat afatshkurtra të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për importin e energjisë elektrike në kushtet e thatësirës; 20 milion USD për vendosjen e matësave në rrjetin e transmetimit të energjisë dhe rindërtimin e qendrës së të dhënave. Gjithashtu 7 milion USD do të përdoreshin në kuadër të zbatimit të këtij projekti dhe mbështetjes së reformave në sektor.

Deri më tani, rezulton se nga kjo kredi është disbursuar 57% e shumës totale ose thënë ndryshe 78.17 milion USD. Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore janë duke negociuar ristrukturimin e projektit duke zgjatur afatin e tij edhe me një vit tjetër.

“Gjatë tre viteve është shënuar progres duke bërë të mundur që KESH dhe OST të vendosen në baza të shëndosha financiare. Gjithsesi, OSHEE ende ndeshet me një hendek financiar, krijuar veçanërisht nga një vit i thatë si ai 2017 ashtu sikurse pritet të jetë dhe 2019. Me disa vonesa, plani i përditësuar i Rimëkëmbjes Financiare është miratuar nga Këshilli i Ministrave në Prillin e vitit 2019 dhe përfshin udhëzimet e nevojshme që çojnë në përmirësimin e kushteve financiare të OSHEE, në veçanti një trajektore e uljes së humbjeve në shpërndarje për 2018-2021, duke prioritizuar investimet e fokusuara në reduktimin e humbjeve”, konstaton raporti.

Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes nga 45% që ishte në fillim të zbatimit të projektit të rimëkëmbjes (2014) tashmë ka zbritur në 24% në fund të vitit 2018. Objektivi në fund të projektit është reduktimi i humbjeve në 14%.

Niveli i humbjeve teknike aktualisht është 16.30% ndërsa në fund të projektit do të duhet të jetë 12.60%. Ndërkaq, humbjet jo teknike janë në masën 7.70% dhe objektivi mbetet reduktimi i tyre në 1.40%.

Referuar nivelit të arkëtimeve të energjisë së faturuar, Banka Botërore vlerëson se ato janë aktualisht në vlerën e 93%. Për vitin 2018, rezulton të jetë faturuar një total prej 64.7 miliard lek energji prej të cilës 51.8 miliard lek janë arkëtuar, 8.4 miliard lek janë brenda fatit kontraktual të arkëtimit prej 0-60 ditë dhe 4.5 miliard lek ose 7% e totalit është në tejkalim të afatit 60 ditor të pagesës.

Raporti nënvizon se konsulenti NordPool, mbështetur nga Banka dhe nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, po punon sëbashku me Ministrinë e Energjisë për të krijuar Bursën Shqiptare të Energjisë. IBRD dhe IFC po mbështesin financiarisht krijimin e Operatorit Shqiptar të Tregut dhe Tregun e Balancuar. Operatori i Shpërndarjes po kryen përgatitjet për ndarjen e tij sipas direktivës. Ndërkaq, plani për nxjerrjen jashtë tregut të rregulluar të konsumatorëve të lidhur në tensionin e mesëm dhe HEC-eve është në zbatim e sipër. Që prej Janarit 2018, 96 konsumatorë të lidhur në rrjetin 35 kV janë pajisur me sistemin e ri të matjes dhe janë shkëputur nga tregu i rregulluar.