Bilanci 2018, OSHEE: Humbjet 23.96%, rekord arkëtimesh, përgjysmohen ankesat

FEATURED PERFORMANCA 2018
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSHEE Sh.A) prezantoi sot të dhënat kryesore të aktivitetit për vitin 2018.
Sipas Administratorit, z.Adrian Çela, në tërësi kompania ka performuar pozitivisht, duke arritur objektivat, pavarësisht vështirësive të shumta.

Niveli i humbjeve zbriti në 23.96%, nga 26.4 që ishte në vitin 2017. “Nëse bëjmë një krahasim me gjendjen e mëparshme të 4 viteve, ku humbjet ishin 37.8%, rezultati i ditëve të sotme është fal punës së vazhdueshme, plot sakrifica, miremanxhimit dhe vendosmërisë për të futur në shinat e stabilitetit një kompani që ishtë në kolaps, pothuajse e falimentuar. Sot, OSHEE është në gjendje të investojë, të paguajë taksat dhe të shlyejë borxhin, për shkak të reduktimit të humbjeve dhe rritjes së arkëtimeve”, tha z.Çela në konferencën për mediat.

Niveli i arkëtimeve nga shitja e energjisë për 2018-n arriti në 65.7 miliardë lekë, ose 2 miliardë më tepër se viti 2017, duke tejkaluar kështu dhe rezultatin e vitit 2015, kur nisi reforma dhe pati fluks të hyrash. Kujtojmë se në vitin 2014, arkëtimet ishin rreth 49.1 miliardë lekë.

Rritja e arkëtimeve i ka mundësuar kompanisë të financojë ato projekte në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimit.

“Gjithnjë është diskutuar, ndoshta me të drejtë, çështja e mbifaturimit, por so që flasim kemi tregues në ulje të numrit të ankesave, gati në përgjysmim”, u shpreh administratori i OSHEE-së.

Në vitin 2018, u regjistruan 39,394 ankesa, nga 62,507 të vitit 2017, pra me një rënie prej 37%, çka provon ecurinë dhe rritjen e cilësisë në shërbim dhe faturim. Zgjidhshmëria per vitin 2018 është 102.5%.

Nga totali i ankesave prej 39,394 të regjistruar në 2018, rezulton se 25481 ankesa i takojnë faturave të këtij viti, duke zënë një peshë ndaj totalit jo më shumë se 0.2%.

OSHEE do të vijojë me planin e investimeve për të përmirësuar më tej cilësinë e furnizimit me energji elektrike. Gjatë periudhës 2015-2018, janë investuar afro 33 miliardë lekë, ndërsa plani për 2019-n është në afro 8.5 miliardë lekë.

“Kemi analizuar disa tregues (bazuar mbi standarde të njohuara), sipas të cilëve rezulton se numri i ndërprerjeve, numri i defekteve, kohëzgjatja e mungesës së energjisë, etj, në tërësi kanë pëzuar përmirësim me 60%”, u shpreh administratori i OSHEE, z.Çela. Sipas tij, zhvillimi pozitiv në sektorin e turizmit dhe ndikimi i tij në ekonomi sezonin e kaluar, erdhi, ndër të tjera, edhe prej faktotrit “investime në rrjetin elektrik të zonave bregdetare”.

Administratori z.Adrian Çela iu përgjigj interesimit të medias në lidhje me “rishikimin e objektivave të projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë”, ndërmjet OSHEE dhe Bankës Botërore, sipas të cilit, niveli i humbjeve duhet të reduktohen në 16.5% brenda vitit 2021.