Bursa dhe tregu i përbashkët energjetik Shqipëri-Kosovë, Sevrani: Kujdes me konsumatorët!

featured kosovo
Katër vitet e reformes në energji paraqitën nje zhvillim dinamik te sektorit, me rezultate historike pozitive, shoqëruar me ndryshim ligji, rregullore dhe model të ri tregu, por me ndrojën e ndikimit të mundshëm “negativ” prej kushteve klimaterike.

Viti 2017 u shoqërua me thatësirë reshjesh dhe ulje të prodhimit vendas, edhe në vendet e rajonit.
Kjo solli rritje të çmimit në tregje.

OSHEE u detyrua të blejë jashtë parashikimeve 100 milionë euro energji elektrike.
Viti 2018 nisi me superprodhim të energjisë elektrike, nga shoqëritë me pronar shtet dhe privat.

Shkaku ishin reshjet e shumta, por edhe në këtë rast OSHEE nuk mundi të përthithte të mirat e motit, pasi sërish energjinë e bleu më shtrenjtë.
Në të dyja rastet, kemi handikap!!

Të mbledhur në Prishtinë më 18 qershor, për Forumin e Dytë Ndërkombëtar “Bashkimi i tregut në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës – Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”, organizuar nga AlbKonfindustria, në tryezë ishin të pranishëm
drejtues të lartë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, OSHEE, KOSTT (homologe e OSHEE ne Kosove) Entet Rregullatorë të të dyja vendeve, USAID, IFC, etj.

Në këtë forum të rëndësishëm, nuk mungonte askush nga institucionet që kanë në dore “fatin” e krijimit të një modeli të përbashkët tregtar: plotësimin e nevojave me energji elektrike, por … me kosto të ulët për kompanitë, gjë e cila do të reflektojë edhe te konsumatori.
Elton Sevrani, njohës i mirë i fushës së tregtimit të energjisë, aktualisht Drejtor i Divizionit Tregtar, i pranishëm në forum, bëri një ekspoze të situatës financiare të kompanisë:

“Në 3 vite stabilizuam gjendjen e sektorit, rritëm arkëtimet dhe ulëm humbjet, fitimet u rritën, borxhet po shlyen, gjithashtu edhe pagesat e taksave u shumëfishuan në arkën e shtetit.

Më e rëndësishmja, investuam në tre vite sa nuk ishte bërë në 20 vite!!

Pavaresisht më lartë, “diçka” na pengon të zhvillojmë më tej sektorin tonë të përbashkët.

Një operatori që i njihet puna për uljen e humbjeve për rritjen e arketimeve dhe për stabilititetin ekonomik të kompanisë, me një nivel të ardhurash të pranueshme më të lartat në historik, por që nuk arrin dot të rikuperojë kostot e larta të energjisë së prodhuesve me përparësi të energjisë duke na xhiruar një problematikë financiare në periudhën korrik 2017 – qershor 2018.

Sepse në periudhën e thatësirës hidrike, tregjet ndërkombëtare ishin të larta dhe cmimet e blerjes në treg të parregulluar variuan nga 60 në 90 euro për megavat

Në periudhën kur kemi situatë shumë të mirë hidrike sic e ka Shqipëria, prodhimi i prodhuesve me përparësi, Hec-et e vegjël, është shumë i lartë, arrin të hyjë në një masë të konsiderueshme në plotësimin e kërkesave të klientëve fundore duke e amortizuar negativisht atë prodhim që KESH ofron për klientët fundore.

Në të dyja rastet kemi cmim të lartë”, analizon kreu i Divizionit Tregtar në Operatorin e Shperndarjes se Energjise Elektrike (OSHEE Sh.A).
Sevrani uron që mekanizmi i tregut të propozuar, bursa e energjisë, këto kosto t’i ulë.

Cilat janë propozimet?

Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka,

“Bursa e përbashkët e energjisë shërben për të vendosur një çmim referent në tregun vendor, i cili mundëson likuiditet më të madh dhe zhvillim të konkurrencës në treg, ndërsa bashkimi i tregut të energjisë Kosovë-Shqipëri ndikon në mirëqenien ekonomike të të dyja vendeve dhe do të sjell përfitime për to”.

Sipas Sevranit, tregjet e vogla nuk japin mundësi të kesh alternativa, ndaj propozohet zgjerimi i tregut duke përfshirë dhe Kosovën, ndërsa Lluka tha se të dyja palët janë duke punuar në hartimin e udhërrëfyesit për integrimin energjetik europian.

“Janë nënshkruar dy marrëveshje të mirëkuptimit, një në vitin 2014 për integrimin e tregut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe një marrëveshje tjetër është nënshkruar në vitin 2017, për krijimin e bursës energjetike”, nënvizoi Lluka.

Sipas minsitrit Lluka, në këtë bursë energjetike do të jetë aksionare, OSHEE dhe KOSTT, por u lihet hapësirë edhe operatorëve të tjerë, që duan të jenë pjesë e saj.

Për këtë është formuar një grup i përbashkët, i cili po punon për këtë projekt të rëndësishëm për të dyja vendet.

Kreu i Divizionit Tregtar në OSHEE duket pak skeptik dhe jep disa popozime.

“Shoh që ne kemi dy forma deri diku të ndryshme, prodhuesit për ju në Kosovë, u merret dhe u blihet energjia nga OST, ndërsa tek ne është kompania OSHEE, një pikë që duhet unifikuar.

Shoh që teknikisht jemi ende herët që ta pranojmë ekzistencën e tregut më të gjerë, kur të dyja shtetet kemi nga 26% treg teorikisht të lirë që mund të plotësohet nga blerjet në tregun e parregulluar.
Por në rastin e Shqipërisë kjo ska vlerë, sepse prodhimi i prodhuesve të vegjël menjëherë e zhduk këtë treg.
Unë e kam përcaktuar në kërkesat finale, që ndryshimet ligjore duhet të jenë të menjëhershme”.

Të pranishëm në forum ishin edhe drejtues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Enti Rregullator, ndaj dhe Sevrani propozoi me pikëpyetje rishikimin e kontratave me prodhuesit e vegjël.

“Nuk e di nëse mund të azhornohen kontratat 15-vjeçare, duke bindur investitorët për një normë kthimi të investimit me një çmim të përcaktuar në bazë të një formule?!”.

Ministri Lluka ritheksoi se problemi me Serbinë, e cila nuk po e respekton marrëveshjen për energjinë, po bën të pamundur integrimin e tregut të përbashkët me Shqipërinë e po ashtu e pamundëson edhe përfshirjen e KOSTT-it në bursën shqiptare.

Parimi i kërkesë/ ofertë, ka të bëjë me mënyrën sesi tregjet duhet të funksionojnë, se si çmimi më i mirë i ulët vjen kur kërkesa dhe oferta priten, kur kemi një kërkesë më të lartë se oferta, ky çmim synon të rritet ose kur oferta është e lartë, ky çmim synon të ulet.

Deri këtu dakord, por Sevrani vijon të jetë skeptik tek faktori “konsumator”.
“Këto zhvillime nuk po na japin vizionin e qartë se çfarë do të ndodhë me çmimin e konsumatorit fundor, përgjegjësi e OSHEE në funksionin e furnizuesit të shërbimit universal.”

Hans Arild Bredesen nga “Nord Pool Consulting” ka folur për për përparësitë dhe funksionimin e bursës dhe tregut të përbashkët energjetik dhe rolin e entiteteve pjesëmarrëse.

Bredesen, duke bërë krahasime me tregun e energjisë të vendeve skandinave si Suedia, Norvegjia, tha se sistemet energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, e para e bazuar në thëngjill dhe e dyta në hidro, mund të plotësojnë njëra tjetrën dhe sjellin përfitime të dyanshme dhe njëkohësisht mundësojnë qarkullimin e energjisë në treg me çmim sa më të lirë.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Dorina Cinari, tha se me Strategjinë Kombëtare të Energjisë për Shqipërinë 2030 parashikohet zhvillimi i këtij sektori.

Sipas saj, kjo strategji parashikon zhvillimin e burimeve kombëtare të energjisë, tregun rajonal të integruar të energjisë, bazuar në parimet e tregut për të përmbushur kërkesën për energji dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik duke siguruar furnizim të rregullt me energji, mbrojtjen e ambientit dhe rritjen e mirëqenies me kosto minimale sociale.