Kush është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Sh.A. (OSHEE)  është person juridik që funksionon si shoqëri aksionare, organizimi i së cilës bëhet në përputhje me parashikimet e Ligjit Nr. 9901, date 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” ( i ndryshuar).
OSHEE Sh.A është regjistruar si person juridik, në Regjistrin Tregtar të mbajtur nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit me Numër Unik të Identifikimit (NIPT) K72410014H, në bazë të Vendimit nr. 38587, datë 19.06.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në 23 Qershor 2014 ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s, është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit.
Kjo Marrëveshje është miratuar edhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 428, datë 02.07.2014. Marrëveshja e lartpërmendur është miratuar me ligjin nr. 114/2014.
Me Urdhrin Nr.454, datë 22.10.2014, të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, aksionet e Shoqërisë OSHEE sha, janë 100% në pronësi të Shtetit shqiptar.
Aksioneri i Shoqërisë “OSHEE” për periudhën nga 23.10.2014 deri në 05.05.2016 ka qenë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS). Me hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 317, datë 27.04.2016 (datë 05.05.2016), Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të shoqërisë “OSHEE” është Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Me Vendim Nr. 96 dhe 97 date 27.10.2014 te Bordit te Komisionereve te Entit Rregullator te Energjise Elektrike, Shoqeria  eshte licensuar per  ushtrimin e aktivitetit te shperndarjes  dhe furnizimit me pakice te energjise  elektrike per  konsumatoret tarifore.

Objekti kryesor i aktivitetit të Shoqërisë është të ofrojë energji elektrike nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes për fushat e mëposhtme:
a.    Kryerja e veprimtarive të nevojshme dhe të drejtpërdrejta të lidhura me blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike, për furnizimin e klientëve tariforë të lidhur me rrjetin e saj të shpërndarjes, me tarifa të rregulluara në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe licensën e akorduar;
b.    Kryerja e veprimtarive të nevojshme dhe drejtpërdrejt të lidhura me funksionimin e rrjetit të shpërndarjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe licensën e akorduar, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:
–    ndërtimin, funksionimin dhe pronësinë e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike për sigurimin e energjisë elektrike klientëve;
–    lidhjen e klientëve dhe përdoruesve të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike; dhe
–    instalimin dhe shërbimet e matjes së energjisë elektrike.
c.    Zhvillimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në përputhje me perspektivat e zhvillimit ekonomik dhe bazuar në ndryshimet rajonale apo territoriale të kërkesës;
d.    Shërbime të tjera për klientët, që janë të nevojshme për të përmbushur detyrimet ndaj tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe licensat e Shoqërisë të  lëshuara nga autoritetet kompetente, Shoqëria mund të kryejë çdo veprimtari që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi, apo që ndërvaret ose lidhet me aktivitetet e renditura më sipër.

Vendimmarrja dhe administrimi i Shoqërisë është strukturuar sipas sistemit me dy nivele, në përputhje me Pjesën V, Titulli IV, Kapitulli III i Ligjit për Shoqëritë Tregtare.

Organet drejtuese të Shoqërisë janë:

a.    Asambleja e Përgjithshme;
Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë vendimmarrës i Shoqërisë.

b.   Këshilli Mbikëqyrës

Në mbështetje të ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 317, date 27.04.2016 “Për përcaktimin e autoritetit publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të shoqërive të sektorit të energjisë elektrike”, me Urdhrin Nr. 209, datë 30.06.2016, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e Aksionarit të Shoqërisë “OSHEE” Sh.A, ka emëruar si anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë:

• Z. Ilir BEJTJA, Kryetar
• Znj. Entela ÇIPA, Anëtare
• Z. Agim BREGASI, Anëtar
• Z. Tommy KOLA, Anëtar
• Z. Ermal ELEZI, Anëtar
• Znj. Ilda MALILE, Anëtare

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, është bërë regjistrimi i këtij Urdhri në Qëndren Kombëtare të Biznesit, pra pasqyrimi i tij në ekstraktin e Shoqërisë “OSHEE” Sh.A.

Z.Adrian ÇELA, Administrator

Administratori zgjidhet nga Këshilli Mbikqyrës dhe eshte i ngarkuar me administrimin dhe përfaqësimin e Shoqërisë. Administratori vendos për çdo çështje që nuk është kompetencë ekskluzive e Asamblesë e Përgjithshme ose e Këshillit Mbikqyrës. Ai raporton pranë Këshillit Mbikqyrës në lidhje me zbatimin e politikave të biznesit dhe për realizimin e transaksioneve me rendësi të veçantë për performancën e Shoqërisë.