Defektet nga moti i keq, OSHEE në terren për eliminimin e avarive

Për shkak të motit të keq me reshje bore dhe erë të fortë kryesisht në zonat malore, rrjeti elektrik i shpërndarjes ka pësuar defekte që kanë penalizuar abonentët me mungesë të energjisë elektrike.
OSHEE ka marrë të gjitha masat për situatën e krijuar nga moti i keq duke angazhuar në terren brigade të avarive të cilët janë pajisur me bazën materiale të nevojshme për riparimin e defekteve.
Rajoni më i prekur nga moti i keq ka qenë zona e Korçës ku janë konstatuar përcjellës të këputur të linjës 35 kV, thyerje izolatorësh , dëmtime kabllosh.
Si pasojë e terrenit malor, birgadat e punonjësve të OSHEE e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë në zonat e thella.
Me ndalimin e reshjeve dhe pastrimin e rrugëve nga borëpastrueset, ka rinisur sot herët puna në terren.
Sipas informacionit të orës 10:00 të dispecerisë së tensionit të mesëm dhe të ulët në kompaninë OSHEE, është normalizuar situata e furnizimit me energji në zonën e Dardhës, Voskopojës, Fushë-Maliq, Podgorie, Sheqeras, Bitinckë, Komuna Qendër.
Gjithashtu energji ka marrë dogana Kapshticë si dhe është vendosur në punë linja 35 kV Maliq-Lozhan që kishte përcjellës 35 kV të keputur.
Është normalizuar furnizimi me energji i nënstacionit Lozhan dhe kanë marrë energji komuna Moglicë dhe Hecet (Strelca, Verba).
Me përmirësimin e motit, vijon puna në terren e brigadave të OSHEE-së për evidentimin dhe eleminimin e defekteve në rrjetin e tensionit të mesëm dhe të ulët si dhe në kabina.
Aktualisht janë pa energji pjesërisht fshatrat: Stravaj,
Mjeshovë, Cakran, Kumë, Lekbibaj, Fajza, Kacinar, Luf,
Vithkuq, Trebinjë, Miras, Progër, Velçan, Lozhan, Voskop, Liqenas, Hocisht, Ploçisht, Drenovë.