Ecuria e OSHEE në 5 vite, Çela: Nga kolapsi, tek investimet smart

DSC_6198

U zhvillua sot në Tiranë aktiviteti me temë “Tranzicioni energjetik dhe sfidat për një treg të liberalizuar dhe rasti i Shqipërisë”, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë të sektorit, publik dhe privat.

I pranishëm ishte administratori i përgjithshëm i OSHEE Sh.A, z.Adrian Çela, i cili paraqiti shkurtimisht ecurinë e sektorit elektroenergjetik dhe sfidat e së ardhmes.

“Edhe ajo që duket e pamundshme me vullnet dhe punë intensive mund të realizohet.

Tek kjo shprehje, besoj se e gjen veten më së miri rasti i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shqipëri.

Të gjithë e kemi të freskët situatën në të cilën ndodhej veçanërisht kjo kompani, por edhe i gjithë sektori 5 vite më parë.

Një histori e dështuar privatizimi, kolaps ekonomik, teknologjik dhe situatë e paqartë legale”, u shpreh Çela.

Sipas tij, kompania nuk kishte mundësi reale investimesh me fonde të vetat, ndërsa borxhet kalonin disa herë kapitalin, me një nivel faturash të pambledhura prej 1.3 miliardë USD dhe humbjesh teknike e jo teknike rekord në 45%.

Në bashkëpunim me Bankën Botërore u vu në zbatim një program ambicioz për reduktimin e humbjeve dhe shëndoshjen financiare të kompanisë.

Të shumtë ishin ata që mendonin se ulja e humbjeve ishte mision i pamundur.

“Me kënaqësi e them se nga 45% që ishin, sot ato janë reduktuar në vetëm 23.9%.

Ambicia jonë është të vazhdojmë në vitet e ardhshme uljen e mëtejshme të këtij treguesi, në parametrat e pranueshëm për vendet e rajonit”, deklaroi administratori i OSHEE Sh.A.

Në këtë drejtim, OSHEE është duke bashkëpunuar me USAID, përmes një program pilot në rajonin e Shkodrës, i njohur si një ndër më problematikët.

Projekti i asistencës teknike do të shtrihet në Tiranë dhe Vlorë.

Duke u ndalur tek arkëtimet, kujtojmë se para 5 vitesh mblidheshin vetëm 38.5 miliardë lekë në vit, ndërsa gjatë vitit të fundit OSHEE arkëtoi 65.7 miliardë lekë.

Kjo performancë u reflektua padyshim edhe tek treguesi ekonomik i kompanisë.

Nëse në vitin 2013 kompania shënonte një rezultat financiar negativ 26 miliardë lekë, vitin e fundit u mbyll me rezultat pozitiv 4 miliardë lekë. Deri dje kompania vetëm rëndonte mbi Buxhetin e Shtetit, vitet e fundit ajo u kthye në kontribuese në tatim/taksa me rreth 300 milionë USD.

Për një periudhë 4-vjeçare, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka investuar rreth 30 miliardë lekë në rindërtimin e rrjetit elektrik të shpërndarjes.

“Dy kanë qenë objektivat tanë në këto investime: së pari, kemi ndërhyrë me synim reduktimin e nivelit të humbjeve teknike/jo teknike; së dyti, kemi investuar në zonat me përparësi turizmin dhe ato industriale për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit’, u shpreh Çela.

Pasi ndalëm “hemoragjinë” nga e cila vuante Operatori i Shpërndarjes, tanimë kemi kaluar në fazën e dytë që ka të bëjë me mirëmenaxhimin e koorporatës.
Kemi hedhur hapa të sigurte drejt modernizimit të kompanisë, duke përqafuar gjithnjë e më tepër risitë teknologjike.

Kemi ndërtuar sistemin SCADA në Dispeçerinë Qendrore të Tensionit të Lartë, Server Room i dedikuar si dhe lidhje e N/Stacioneve kryesore të Tiranës përmes kësaj platforme.

Operimi me këtë sistem do të zgjerohet tek N/Stacionet kryesore Tiranë-Durrës në kuadër të bashkëfinancimit me KfW gjermane.

Një numër i konsiderueshëm kabinash në Tiranë, Durrës dhe Vlorë janë të automatizuara dhe të lidhura me qendrat dispeçer të drejtorive rajonale.

Rrjetet inteligjente (smart grid) mundësojnë marrjen e informacioneve dhe njëkohësisht veprimin në distancë mbi pajisjet e tyre.

Teknologjia është zgjidhja edhe për optimizimin e sistemeve të matjes dhe faturimit.

Kemi arritur që të përgjysmojmë nivelin e ankesave të konsumatorëve.

Aktualisht, jemi duke vënë në zbatim dy projekteve për instalimin e matësave inteligjentë në disa zona të rajoneve Tiranë dhe Durrës.

“Investime që do të reduktojnë kostot në terren, do të rrisin saktësinë e faturave, zvogëlojnë numrin e ankesave, krijojnë mundësi për faturimin në orar piku të konsumatorëve industrial apo edhe uljen automatike të konsumit për debitor nga kategoria e shtresave në nevojë”, u shpreh administratori nw lidhje me avantazhet e matësave smart.

Me ndihmën e KfW, po punojmë tanimë për hartimin e një strategjie afatgjate 5-vjeçare, e cila do të jetë masterplani i investimeve në rrjetin e shpërndarjes.

Në koordinim me konsulentë kroatë, OSHEE po punon për përfundimin e procesit të ndarjes së aktiviteteve të kompanisë, në përputhje me Direktivat e Sekretariatit të Energjisë.

Aktualisht OSHEE është ndarë ligjërisht në 3 pjesë: Operatori i Sistemit të Shpërndarjes; Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal.

Modeli i ri i Tregut të Energjisë në Shqipëri synon të lehtësojë konkurrencën dhe përmirësojë shërbimin, së pari në tregun me shumicë dhe më pas në atë me pakicë.

OSHEE do të mbajë rolin e saj të furnizuesit por do të ekspozohet ndaj konkurrencës nga furnizues të rinj që mund të hyjnë në treg.

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë rrit interesin dhe numrin e pjesëmarrësve në treg, krijon një mjedis më konkurrues, transparent dhe të integruar.

OSHEE i është përgjigjur kësaj sfide duke kryer të gjithë investimet paraprake për të mundësuar teknikisht shkëputjen e bizneseve nga rrjeti i saj, për të dalë në tregun e liberalizuar.

Gjithashtu, përmes ndërhyrjeve ligjore u është krijuar fleksibiliteti i nevojshëm subjekteve për t’u përshtatur me periudhën e tranzicionit.
Një pjesë e bizneseve të lidhura në rrjetin 35 kV tashmë kanë dalë në tregun e lirë duke gjetur vetë furnizuesin.

Në përfundim të këtij procesi, vlerësohet se rreth 6200 biznese të lidhura në tensionin e mesëm do të jenë pjesë e tregut të lirë.

Liberalizimi dhe integrimi i tregut të energjisë, shoqëruar me krijimin e Bursës shqiptare të energjisë bashkë me tregun e ditës në avancë, pritet të sjellin përfitime si për konsumatorët biznes ashtu edhe për ata familjarë duke garantuar çmime më të qëndrueshme përmes reduktimit të çmimeve në tregun me shumicë.

Sakaq, OSHEE po ndërmerr masa për t’i paraprirë edhe zhvillimeve të reja në kuadër të politikave incentivuese që po ndërmerr qeveria për diversifikimin e burimeve të energjisë përmes parqeve fotovoltaike dhe eolike.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, jemi duke punuar për aktet nënligjore që mundësojnë optimizimin e lidhjes në sistemin e shpërndarjes së projekteve të vogla të energjisë së rinovueshme për vetëkonsum.

“Dua të nënvizoj se tani Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është bërë pjesë e rëndësishme e strategjisë së qeverisë për krijimin e një tregu të liberalizuar dhe të integruar.

Mbetemi të hapur për të rritur bashkëveprimin me të gjithë aktorët dhe faktorët, me synim lehtësimin e këtij procesi, në të mirë të interesit ekonomik të qytetarëve dhe vendit”, përfundoi fjalën kreu i OSHEE-së, z.Adrian Çela.