Forumi “Smart City & Energy Balkans” në Tiranë, OSHEE: 11 mld lekë investime në 2018

Eltioni featured
Drejtori i Divizionit Tregtar në kompaninë OSHEE, Elton Sevrani mori pjesë sot në Forumin “Smart City & Energy Balkans”, që u zhvillua në hotel “Tirana”.

Në fjalën e tij, z.Sevrani u fokusua në planin e investimeve që kompania OSHEE ka planifikuar të kryejë për vitin 2018.

Sipas tij, fondi i investimeve kap shifrën e 11 mld lekëve, si vazhdim i financimit të projekteve që ka nisur kompania, trend ky i qëndrueshëm në 2 vitet e fundit.

“OSHEE, deri më sot, me buxhetin e saj ka kryer 150 milionë euro investime, ndërsa me fondet e BB-së ka nisur zbatimi pas dy vite procedurash; efekti pozitiv te niveli i humbjeve teknike do të ndjehet në pjesën e parë të vitit 2018, duke patur parasysh se projektet zgjaten deri në 2019-n.

Të mos harrojmë, gjithashtu, se sistemi i shpërndarjes është 40-vjeçar, tjetër arsye kjo se pse kemi kërkuar rishikim të objektivave për humbjet teknike”, u shpreh Sevrani.

SMART SHPËRNDARJA

Në prezantimin e tij gjatë forumit, drejtori i Shitjes në kompaninë OSHEE, u ndal tek nevoja për investime në rrjetin e shpërndarjes për shkak të problematikave të trashëguara në 40 vjet.

Sevrani tha se ndër masat emergjente ku është menduar të investohet janë:

1. Implementimi i kabllove ABC për zëvendësimin e linjave ajrore të tensionit të ulët 0.4 kV
2. Eliminimi i niveleve të TM prej 6,10kV dhe kthimi i tyre në nivelin 20kV
3. Implementimi i n/Stacioneve mbi bazën e standardit të ri 110/20kV
4. Nxjerrja e matëseve jashtë ambienteve të konsumatorëve e shoqëruar kjo me elementet e sigurisë në përputhje me standardin 27001
Aplikimi i kushteve të reja teknike që janë pjese e teknologjive të fundit, të cilat do të jenë në përputhshmëri me kërkesat e ligjit të energjisë 45/2015 dhe shkallës hierarkike të saj
5. Në infrastrukturën e suportit me pajisje-makineri, testimeve etj., në përputhje me standardet e BE
6. Zhvillimi i sistemeve modern të matjes mbi bazën e arkitekturave me moderne të komunikimeve on-line për ngritjen e platformës së bilancit të energjisë elektrike dhe Platformës së matësve fundore, si një domosdoshmëri e rritjes së besueshmërisë ndaj konsumatorëve
7. Ngritja e një sistemi SCADA me një arkitekturë moderne komunikimi për monitorim të plotë rrjetit të shpërndarjes në mënyrë on-line

Për të arritur këto objektiva sot në Shqipëri është bërë e domosdoshme ndërtimi i rrjeteve SMART.

Drejtori Sevrani tha se këto janë rrjete transmetimi të dhënash ku operatorët grumbullojnë të dhëna në kohë reale, analizojnë dhe operojnë rreth fuqisë, transmetimit, shpërndarjes dhe konsumit.

“Transferimi i këtyre të dhënave nëpërmjet protokolleve standarde jep mundësinë e grumbullimit të informacioneve nga pajisjet mbrojtëse, çelësa, thika etj dhe njëkohësisht krijojnë mundësinë e rrjeteve të reja të komunikojnë me ato ekzistueset duke bërë një shkëmbim kompleks të të dhënave”, tha ai.

Sipas drejtori të shitjeve në OSHEE, deri më tani është investuar në automatizimin e 100 kabinave në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, si dhe kemi ndërtuar qendrat dispeçer në zonat përkatëse, sipas sistemit SCADA, pra telekomandim në distancë të këtyre kabinave që mundësojnë:
• lokalizim të shpejtë të defektit
• minimizimin e kohës për riparimin
• sinjalizim parandalues për avari të mundshme


Të tjera investime

Përvec kabinave të automatizuara, kemi ndërtuar NST sipas sistemit SCADA, si:
• NST /Selitë
• NST/Traktora
• NST/Farkë (pjesërisht)
• NST Çorovodë

Rrjetet inteligjente mundësojnë marrjen e informacioneve dhe njëkohësisht veprimin në distancë mbi pajisjet e tyre duke shkurtuar drastikisht kohën e izolimit të defektit dhe shpenzimet operative. Në tension të mesëm, ato premtojnë një rrugë me eficentë të furnizimit të energjisë deri tek konsumatori final.

Tjetër projekt SMART ka të bëjë me Monitorimin online të rrjetit dhe Aseteve.

Projektet SCADA/GIS, dy projekte këto, në fushën e SMART GRID, në plan të parë, duken se i shërbejnë kompanisë, pasi lidhen me monitorimin online të rrjetit dhe aseteve të kompanisë, për një menaxhim më të mirë të operacioneve tona të punës, veprime automatike, aty ku duhet dhe bilanc të qartë se ku jemi me rrjetin dhe asetet, si lëvizin ato, ku është nevoja, etj.


SMART SHITJA

Fokusi ynë vijon të jetë dixhitalizimi i matjes së konsumit, dhe për realizimin e këtij objektivi kemi nisur si nevojë imediate instalimin e matësve elektronikë smart.

Kemi vendosur 120 mijë matës elektronike, pajisje moderne, përmes të cilave ne kërkojmë të zhvillojmë më tej shërbimin e matjes
• Të parën e kemi realizuar: leximi online i matësit dhe transmetimi i të dhënave me bluetuth, dhe më pas, printimi në çast i faturës. Janë 1200 pajisje PDA, të fjalës së fundit, që bëjnë leximin e matësit elektronik
• Hapi i radhës, mund të jetë drejt smart mater (karta parapagim)

Tjetër projekt, është vendosja e 20 mijë pajisjeve smart në kabina për matjen e bilancit të energjisë, kjo në bashkëpunim me Bankën Botërore

Në pjesën e shitjes dhe kontrollit të energjisë, kompania OSHEE po punon për implementimin e sistemit të ri, Billing Sistem, që ka të bëjë me marrëdhënien me klientin, faturim/arkëtim.

Ky investim po realizohet në bashkëpunim me një projekt të Bankës Botërore në kuadër të rimëkëmbjes së sektorit energjetik, dhe synohet që sistemi i ri jetë operativ brenda vitit 2018.
Me sistemin e ri synojmë shkurtim procedurash në trajtimin e çështjeve të ndryshme, efikasitet në identifikimin e problemit dhe reagim më i shpejtë në dhënien e përgjigjes!

Përditësimi i të Dhënave, është një tjetër projekt me rëndësi, pa të cilin nuk realizojmë dot Objektivat Tona Smart! Jemi duke punuar prej më shumë se një viti duke saktësuar të dhënat e abonentëve, për të patur një marrëdhënie kontraktuale sa më korrekte.

Një tjetër projekt inovativ që po zbaton Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE,është aplikimi elektronik
(issue tracking), moduli i “gjurmimit të çështjes/ankesës”, pra çdo abonent, me llogarinë që ka në OSHEE, futet në sistem dhe shikon se në çfarë faze/procedurë është aplikimi i tij.

Një investim mjaft i rëndësishëm i OSHEE është pajisja e qendrave kryesore të klientit me një sistem të menaxhimit të radhës, por dhe brandimi në tërësi, për të marrë jo vetëm shërbim në kohë reale, por dhe të shërbejë në kohën e duhur duke bërë që stafi i OSHEE të jetë sa më eficent dhe të zhvillojë aktivitetin e tij sa më mirë në raport me shërbimin ndaj klientit.
Tashmë, kemi nisur edhe monitorimin (video-audio) e Zyrave të Kujdesit ndaj Klientit; kohën në sportel të abonentit, forma e trajtimit, duke ndërgjegjësuar në radhë të punonjësit tonë, por edhe klientit për një marrëdhënie etike dhe korrekte!

Aplikacioni OSHEE Mobile

Atraktiv, me shumëllojshmëri shërbimesh, i vlefshëm për telefonat smart, dhe mund të gjeni me lehtësi çfarë do informacioni që ju nevojitet, lajmë të fundit nga OSHEE Neës, Pagesën e Faturës, Shërbimin e Klientit, madje element i rëndësishëm, mund të bësh edhe denoncime duke dërguar foto, tekst, etj.