Gjiknuri e Çela inspektojnë investimet e OSHEE në Tiranë: Suksesi i reformës garantoi furnizimin me energji

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga Administratori i Operatorit të Shpërndarjes Adrian Çela ndoqën nga afër punimet që po kryhen për rinovimin e rrjetit elektrik në zonën e Laprakës. Investimi prek zonën e Stacionit të Trenit, Rrugën Jordan Misja, bllokun pranë Hipotekës, një pjesë të zonës së Don Boskos dhe pothuajse gjithë Laprakën.

Linja e vjetër 6 kV është demontuar duke u zëvendësuar me atë të re 20 kV duke garantuar një cilësi shumë më të lartë furnizimi.

“Janë 20 kilometra kabëll i ri, janë rreth 28 kabina të reja. Ky investim pasohet edhe nga një tjetër për fidrin 356 që do të kapë gjithë pjesën e mbetur të Don Boskos dhe Bregun e Lumit. Brenda këtij viti, kjo zonë do të ketë një linjë të re shpërndarjeje brenda standardeve. Nuk është investimi i fundit që po kryejmë në Tiranë me fondet e OSHEE. Dua të falënderoj të gjithë abonentët, jo vetëm në qytetin e Tiranës por në mbarë Shqipërinë që vazhdojnë ti përgjigjen pagesës së faturave. Ritmi i arkëtimeve është në nivele të kënaqshme dhe kjo po u kthehet qytetarëve me investime”, theksoi administratori i OSHEE-së Adrian Çela.

Ndërkaq, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri u shpreh se këto investime janë pjesë e rivitalizimit të infrastrukturës energjitike të vendit.

“Është pjesë e një plani për rivitalizimin e të gjithë infrastrukturës energjitike në gjithë Shqipërinë. Kjo po vazhdon pavarësisht situatave të vështira financiare që ka patur Operatori i Shpërndarjes për shkak të krizës energjitike. Suksesi i reformës në energji u provua, me këtë test që kaloi sistemi, përballoi importe deri në 90 milion euro pa shkundur financat e shtetit. Të mos harrojmë se dikur, kur kishte krizë energjitike e thatësirë, financat e shtetit shkundeshin dhe pengohej çdo lloj investimi tjetër. Përkundrazi, OSHEE ka qenë në gjendje ti përballojë këto me të ardhurat e veta, me një mbështetje minimale e të programuar nga Buxheti i Shtetit. Në çdo rast vendi nuk duhet të mbetet pa energji por siç e thashë, treguesi i suksesit të reformës bëri të mundur që kompania të sigurojë furnizimin me energji, të importojë edhe pse në kushte të vështira e me çmime të larta për shkak të thatësirës e mungesës së prodhimit në gjithë Ballkanin. Ka qenë e planifikuar që në fillim të vitit një garanci e mbështetje prej 3 miliard lekësh për sektorin energjitik. Klima po përmirësohet dhe besoj se pjesa më e madhe e rrezikut është tejkaluar. Në kushtet që jemi, edhe me mbështetjen në bazë të aktit normativ, situata do jetë e stabilizuar dhe nuk do kemi problem me importin e furnizimin”, nënvizoi Gjiknuri.

Nga investimi që po kryhet në këtë zonë, më shumë se 10 mijë abonentë parashikohet të përfitojnë një furnizim më të qëndrueshëm e cilësor me energji.