Investimet në Lezhë, kryeministri Rama inspekton rrjetin e ri në Zejmen

fotoKryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë inspektuar rrjetin e ri të shpërndarjes në zonën e Zejmenit, Lezhë.
Faza e parë e këtij investimi sapo ka përfunduar dhe përfshin rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm me gjatësi rreth 65 km, si dhe të rrjetit të tensionit të ulët.
Përmes këtij investimi nga OSHEE prej 85 milionë lekësh u vendosën 150 shtylla të reja, 10 kabina të reja, ndërrim rrjeti me cilësi të lartë, duke rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike për zonën.
“Faza e parë e investimit që OSHEE ka ndërmarrë në zonën e Zejmenit prek 12 000 banorë në 6 fshatra, kap shifrën 85 milionë,” – tha ministrja Balluku.
Investimi i fundit në këtë zonë, ashtu si në shumë zona të tjera në Shqipëri, është bërë në vitin 1971.
“Jo vetëm këtu, por në shumë zona, investimet e fundit janë bërë në fazën e elektrifikimit dhe faktikisht sistemi është sistemi i kohës së elektrifikimit, prandaj edhe një erë të fryjë, borë po e po, këputen linjat dhe duhet filluar nga e para”, – tha Kryeministri Rama.
Me përfundimin e fazës së parë pritet të nisë faza e dytë për këtë zonë, e cila parashikohet të ketë një vlerë rreth 60 milionë lekë të reja.
“Faza e dytë e investimit do të mbyllet brenda muajit mars, sepse planifikojmë që të gjitha rikonstruksionet të përfundojnë para fillimit të sezonit të verës” – u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku.