Investimi 1 miliardë lekë i OSHEE në Fier, përgjysmohen humbjet, rriten arkëtimet. Balluku: Do vijojmë projektet për zhvillimin e kapaciteteve elektrike

Investimet e realizuara nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Fierit kanë transformuar cilësinë e furnizimit për të gjithë abonentët, familjarë por edhe bizneset, në këtë zonë por njëkohësisht kanë ulur ndjeshëm edhe nivelin e humbjeve në rrjet. Prej 40 vitesh në rrjetin shpërndarës nuk ishte bërë asnjë investim duke sjellë degradimin e tij dhe për pasojë cilësi shërbimi të dobët.
Investimet e realizuara në vitet e fundit, ku përfshihen ndërtimi i 9 fiderave të rinj 20 kilovolt, shtrimi i linjave të tensionit të mesëm dhe atij të ulët, rikonstruksioni i afro 100 kabinave elektrike si dhe ndërtimi i 60 kabinave të reja tip box ofrojnë tashmë një panoramë krejt tjetër për çdo abonentë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi investimin e bërë në rrjetin shpërndarës 20 kilovolt, ku pa nga afër disa prej kabinave të reja të ndërtuara dhe nënstacionin, nga ku dalin 9 fiderat e ndërtuar gjatë katër viteve të fundit, si dhe u njoh me impaktin që kanë sjellë këto investime tek abonentët.
foto (3)
“Ky rikonstruksion ka bërë të mundur furnizimin me energji elektrike për gjithë qytetin e Fierit, ka përmirësuar cilësinë e furnizimit por njëkohësisht ka ulur nivelin e humbjeve për kompaninë. Në vitin 2015 niveli i humbjeve ka qenë 30.5% dhe ka arritur në 15.5%, që do të thotë se është përgjysmuar. Ndërkohë që cilësia e furnizimit me energji elektrike është përmirësuar me rreth 30%”, bëri të ditur Arian Faskaj, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të OSHEE Fier.
Ministrja Balluku u shpreh se investimet në rrjetin elektrik në qytetin e Fierit do të vijojnë me qëllim që shërbimi që ju ofrohet qytetarëve të jetë akoma dhe më i mirë, duke garantuar furnizim cilësor dhe pandërprerje. Balluku tha se Fieri është një nga qytetet model sa i takon mbledhjes së të ardhurave nga ana e kompanisë së shpërndarjes së energjisë.
“Qyteti i Fierit e meriton plotësisht vëmendjen e OSHEE në këtë zonë pasi këtu mbledhja e të ardhurave arrin në 98%. Është një nga qytetet model përsa i përket pagesave dhe rregullsisë së abonentëve. Megjithatë ne kemi projekte të ardhshme për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve elektrike këtu në zonën e Fierit. Kjo është një zonë industriale, shumë kompani zhvillojnë aktivitetin e tyre këtu dhe detyrimisht ne duhet t’i përgjigjemi dhe kompanive, por sidomos abonentëve, pasi qytetarët janë në fokusin tonë”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë duke garantuar për mbështetjen e institucionit që ajo drejton për të gjitha drejtoritë rajonale të OSHEE me qëllim rritjen e kapacitetit të tyre për t’ju përgjigjur edhe më mirë shqetësimeve të qytetarëve.
Rreth 1 miliardë lekë është shuma e investuar nga OSHEE në qytetin e Fierit në katër vitet e fundit. Aktualisht janë në proces pune ndërtimi i 3 fiderave të tjerë 20 kilovolt, të cilët do të lidhen me nënstacionin Fieri 1, i parashikuar për t’u ndërtuar në hyrje të qytetit.