Investimi i OSHEE në Lushnje, Balluku: Përfitojnë spitali, zona industriale dhe fermerët

lushnje
Një tjetër investim strategjik i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në nënstacionin e Plasmasit është drejtë përfundimit dhe që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike në tre sektorë mjaftë të rëndësishëm në qytetin e Lushnjes.
Bëhet fjalë për ndërtimin e dy fiderave të rinj 20 kilovolt, shtrirjen prej 40 kilometrash rrjet kabllor ABC si dhe ndërtimin e 23 kabinave të reja. Ky investim siguron një furnizim më të mirë me energji elektrike për spitalin e Lushnjes, zonën industriale si dhe do të ketë një impakt tek fermerët duke mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u njoh nga afër me ecurinë e punimeve si dhe me impaktin që ato pritet të kenë tek banorët dhe bizneset që preken.
“Aktualisht punimet janë drejt përfundimit të dy fiderave të rinj 20 kilovolt që mbulojnë përkatësisht zonën e Lushnjes jugore e cila e ndarë në disa zona bëhet fjalë për pjesën e rëndësishme të spitalit të Lushnjes, një pjesë e qendrës pranë spitalit, zonën industriale që është në zhvillim të rrugës qendrore dhe pjesën e lagjes Karbunarë-Lushnje. Kjo lagje përveçse impaktit te banorët jep impakt edhe në zhvillimin e bujqësisë në sera dhe pompa vaditje që kanë banorët e zonës”, bëri të ditur drejtori i OSHEE Lushnje, Krenar Haxhiu.
Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku duke ju referuar investimit në fjalë solli në vëmendje faktin e mungesës së investimeve në infrastrukturën energjetike në këtë zonë, duke theksuar se ky fakt e bën edhe më të domosdoshëm investimin.
“Investimet që ne bëjmë janë investime të studiuara dhe për më tepër janë investime që vijnë si rrjedhojë e mungesave që ne kemi pasur në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe detyrimisht është diçka që ka qenë e domosdoshme. Të gjitha investimet që ne bëjmë bëhen për fusha strategjike siç përmendëm dhe bashkë, pra industrinë, agrikulturën, pra bujqësinë apo qoftë dhe shëndetësinë në rastin e Lushnjes që është i lidhur me këtë nënstacion”, u shpreh Balluku.
Nga këto investime përfitojnë afro 4500 abonentë ndërsa krahas përmirësimit të furnizimit me energji, këto investime do të bëjnë të mundur edhe uljen e humbjeve në rrjet.