Ministri Gjiknuri në Novoselë: Investim për energji të pandërprerë në këtë zonë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte në Novoselë te Vlores, ku nder te tjera u njoh edhe me shqetësimet që ekzistojnë në zonë për furnizimin me energji elektrike. Sipas ministrit, zgjidhja do të jetë e shpejtë.

“Janë probleme të trashëguara ndër vite por gjë që do të zgjidhet shumë shpejt me investimin i cili sapo ka filluar në të gjithë këtë zonë të Novoselës. Pak nga pak kjo zonë po kthehet në një zonë industriale. Investimi i ri i Operatorit të Shpërndarjes do të bëjë të mundur që energjia këtu të vijë pa ndërprerje dhe vitin tjetër do të planifikojmë edhe investim për ta kthyer këtë zonë në 20 kilovolt. Do të thotë që energjia do të jetë me parametrat më të mirë dhe që do të ndihmojë të gjitha bizneset e kësaj zone për të patur energji të pandërprerë”, premtoi ministri .

Ndërkaq, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli tha se investimi i kryer është në një vlerë të konsiderueshme ndërsa ka punësuar disa prej banorëve të zonës.

“Unë do t’i përgëzoja të gjithë për punën që kanë bërë, do të doja t’i mbështes, siç i mbështeta që në momentin e parë që erdhën në zyrën time dhe t’ju uroj suksese. Suksese për produkte që ashtu siç ambicja e tyre është, që do të kalojnë kufijtë e Europës”, theksoi Leli.