Mollas, OSHEE investon në rrjetin elektrik

FT MOLLAS
Pas 40 vitesh, zona e Mollasit në Cërrik do të ketë rrjetin e ri elektrik, i munguar që prej kohës së elektrifikimit të vendit.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela dhe kryetari i grupit parlamentar të PS deputeti Taulant Balla, vizituan nga afër punimet për investimin e ri në këtë zonë.
“Deri para pak vitesh as që bëhej fjalë të kryheshin investime në këtë zonë.
U desh reforma në sektorin energjetik dhe sakrificat e shumë familjeve që paguan detyrimet e prapambetura dhe pak nga pak të fillojmë të ndryshojmë rrugën drejt së ardhmes”, tha kryeministri Rama.
Administratori i kompanisë OSHEE ka theksuar se investimi ka nisur në javën e fundit të muajit mars 2019 dhe pritet të përfundojë brenda 3 muajve.
“Investimi me vlerë 125 mln lekë përfshin Rrajcën, Përrenjas, Librazhdin, Papër, Dopaj dhe Mollasin, të evidentuara si zona problematike nga ankesat e banorëve përmes portalit të bashkëqeverisjes, etj
Përfitues të këtij investimi janë afro 500 banorë, të cilët brenda sezonit të verës do të kenë cilësi të lartë të furnizimit me energji elektrike, garanci kjo edhe për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral të zones”, tha administratori i OSHEE.

Deputeti Taulant Balla ka vlerësuar punën e kompanisë OSHEE për ndërtimin e rrjetit të ri elektrik në zonën e Mollasit dhe fshatrat e tjera të cilat deri dje kanë vuajtur mungesën e energjisë elektrike.
Balla tha se OSHEE po mban premtimin e dhënë banorëve të kësaj zone, në takimin e një viti më parë dhe brenda 3 muajve abonentët do të kenë furnizim pa ndërprerje të energjisë.
“Për të gjitha zonjat që më janë ankuar, ju them se rrjeti i ri do të jetë cilësor, 220 kv që tju punojë dhe lavatricka”, tha deputeti Balla.
Projekti parashikon ndërtimin e 3 kabinave ajrore, vendosjen e 10 shtyllave dhe shtrirjen e 7 km rrjet të ri elektrik me kabull ABC për fshatrat Linas, Dyrm dhe Selitë, të njësisë administrative Mollas.