Monitorimi online i rrjetit, përurohet sistemi SCADA në OSHEE, shkurton kohën e riparimit të defekteve

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, ka vënë në funksion sistemin e ri SCADA, me anë të së cilës Dispeceria Qendrore e Tensionit të Lartë e kompanisë monitoron online rrjetin elektrik të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Me një fond prej 187 Milionë Lekë, ky sistem smart është instaluar në sallën e Dispecerisë Qendore të Tensionit të lartë, në Server Room-in e dedikuar, si dhe në 5 N/Stacionet kryesore të Tiranës (Selita, Tirana1, Tirana Qendër, Farkë, Traktora) të cilat operojnë online përmes kësaj platforme.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe Administratori i kompanisë OSHEE Adrian Çela kanë inspektuar Sallën e re të Dispecerisë qendore të Tensionit të Lartë e cila ndodhet në godinën e re të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE.

Administratori i OSHEE ka shpjeguar për të ftuarit se deri dje sinjalizimi i defekteve kryhej përmes telefonatave.

Kurse sot, me sistemin e ri SCADA, konstatohet dhe riparohet në kohë të shpejtë defekti në fider, pa qenë nevoja të stakohet energjia në kabinë, gjë që më parë shkaktonte mungesë energjie dhe në zona ku nuk ishin prekur nga defekti.

“Sistemi SCADA i ri monitoron sot online 6 nënstacionet më të rëndësishme dhe ditë pas dite do të shtohet numri i tyre.

Deri në fund të muajit dhjetor, kemi menduar të përfshijmë në rrjetin online të menaxhimit, 12 nënstacione”, tha Administratori Çela.

Në fjalën e tij,administratori i OSHEE-së ka theksuar se përveç N/Stacioneve, OSHEE ka investuar në modernizimin (automatizimin) e 100 kabinave në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, të lidhura online me qendrat dispeçer të drejtorive rajonale përkatëse.

“Në vitin 2019, operimi me Sistemin SCADA do të shtrihet edhe më gjerë, ku në Tiranë do të kemi 200 kabina të automatizuara nga 30 që janë sot.

Në sistem smart do të përfshihen edhe kabinat e rajoneve të tjera, paralelisht duke modernizuar qendrat përkatës të dispecerive”, tha Çela.

Administratori i OSHEE u ka prezantuar të ftuarve dhe këndin e muzeut të kompanisë në të cilën janë ekspozuar asete të OSHEE të cilat kanë qenë në funksion të rrjetit deri 2-3 vite më parë

Këto pajisje, sic janë transformatorët, datojnë prej më shumë se 70 vitesh duke faktuar vjetërsinë e rrjetit të shpërndarjes dhe mungesën e investimeve ndër vite, gjë që kanë penalizuar qytetarët me kufizime të gjata të energjisë elektrike gjatë ditës.

Transformatori që gjendet në ambientet e muzeut, është marrë në Kuçovë dhe daton prej vitit 1939 dhe është zëvendësuar në 2016.

Deri në 2016 kabina punonte me atë transformator.

“Këtu kemi pajisje të disa nënstacioneve, prodhim rus i vitit 1953 dhe nënstacioni në Kombinat akoma punon me këto pajisje.

Brenda fundit të këtij viti fillon puna për ndërtimin e nënstacionit të ri.

Pjesa më e madhe e pajisjeve më të reja janë kineze, prodhim i viteve ’70.

Ne kemi ende matësa të këtij prodhimi që po i zëvendësojmë.

Ky është sistemi që kemi gjetur deri para 3-4 viteve dhe këto pajisje deri para 3-4 viteve ishin ende në punë”, ka shpjeguar Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela.

Më pas, kryeministri Rama, ministri Gjiknuri dhe Administratori Çela kanë vizituar dhe sportelin e pritjes së ankesave të abonentëve, ku qytetarët mund ti drejtohen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, për raste që nuk kanë gjetur zgjidhje në zyrat e Kujdesit të Klientit në zonat e tyre të banimit.

Administratori i OSHEE ka theksuar se për akomodimin e punonjësve, kompania shpenzonte më parë rreth 420 mijë euro në vit qera për 2 godina që shërbenin si zyra, ambiente aspak të përshtatshme për aktivitetin e kompanisë.

Gjithashtu në godinat e vjetra, kompania nuk kishte as Server dhe as ambiente pritjeje për publikun, madje as Arshivë.

Të ftuarit kanë inspektuar dhe sallën e mbledhjes e cila është ndërtuar me të gjithë parametrat bashkëkohorë.