OSHEE Burrel: Vidhnin energjinë, kallezim penal per 4 persona

Në kuadër të formalizimit të mëtejshëm të sektorit të energjisë elektrike dhe respektimit të ligjit për pagesat e faturave të konsumit, OSHEE është duke zbatuar planin e kontrollit për abonentët debitorë, duke u fokusuar tek abuzuesit e energjisë.

Pas rasteve të publikuara për rajonin Shkodër, kontrollet në të cilin vijojnë ende, grupet e task forcës në rajonin e Burrelit kanë zbuluar raste te abonentëve, të cilët furnizoheshin përmes lidhjeve të paligjshme dhe pa patur kontratë me kompaninë.

Konkretisht, nga kontrollet e ushtruara ditët e fundit, janë konstatuar raste të vjedhjes së energjisë në zonat Bulqizë dhe Dibër, duke proceduar në polici, abonentët Suri M., Qani Sh., Jetmir A. dhe Fatjon A. (dy të fundit, merrnin energji pa pasur kontratë me OSHEE).

Hetimet për këta shtetas i kanë kaluar organeve kompetente, ndërsa Drejtoria Rajonale e OSHEE Burrel vijon kontrollet për prerjet e dritave ndaj debitorëve dhe kallëzimin në polici të vjedhësve.

Në dy muajt e fundit janë regjistruar mbi 50 raste, familjar dhe biznes, të cilët kanë përfunduar në polici si pasojë e vjedhjes së energjisë përmes mekanizmit të cenimit (manipulimit) të matësit, lidhjes së paligjshme, furnizimit pa kontratë, etj.