OSHEE, ndihma për 45 fëmijët e sëmurë të punonjësve të saj

1-4
Iniciativës personale të Administratorit të Përgjithshëm të OSHEE-së, z.Adrian Çela, për të dhuruar pagën e fundvitit, i janë bashkuar disa drejtues të kompanisë, duke krijuar një fond në mbështetje të 45 fëmijëve të punonjësve të OSHEE-së, me probleme shëndetësore.

Dhuratat e blera fillojnë nga nevojat primare në familje siç janë krevate, lavatriçe, televizorë, kompjuter laptop, kuponë për blerje ushqimesh, veshjesh, pajisje elektronike si dhe lodra sipas nevojave të fëmijëve.

“Ndjehem krenar që kësaj iniciative humane iu bashkuan edhe drejtues të tjerë të kompanisë për të ndihmuar fëmijët me probleme shëndetësore të kolegëve tanë”, deklaroi Çela.

OSHEE ka qenë aktive gjatë këtij viti për të mbështetur njerëzit në nevojë, dhe në dy javët e fundit kreu i kompanisë ka vizituar disa qendra sociale, në të cilat është ofruar mbështetja për materiale të ndryshme, si në shtëpinë e fëmijës në Sarandë dhe Vlorë, fëmijët e ngujuar në Shkodër, etj.
1-3
“Siç po tregojnë rezultatet e larta në arkëtime dhe investime, OSHEE do të jetë akoma e më aktive dhe humane gjatë 2017, në ndihmë të familjeve në nevojë, në kuadër të përgjegjësisë sociale dhe jo vetëm”, tha Administratori i kompanisë.