Vidhnin energjinë, procedohen në polici pronarë hotelesh dhe resortesh në Velipojë

IMG_2081
Prej disa ditësh në Shkodër kanë zbarkuar ekipet speciale të Task Forcës të OSHEE dhe Ministrisë së Energjisë, duke ushtruar kontrolle te subjektet debitore dhe atyre që vjedhin energjinë elektrike.

Kështu, gjatë 24 orëve të fundit, në pranga kanë rënë dy biznesmenë nga Velipoja, M.GJ pronar i një resorti dhe F.K pronar i hotelit.

Nga kontrolli rezultoi se matësi ishte prekur, cenuar duke manipuluar te dhënat, sipas të cilës regjistronte 65% me pak konsum nga sa konsumonte realisht.

Kontrollet po ushtrohen në bashkëpunim me policinë, pasi në jo pak raste OSHEE ka hasur në kundërshti, deri në kërcënime nga ana e abonentëve privatë, të cilët vidhnin energjinë elektrike.

Sakaq, një javë më parë, po në bashkëpunim me policinë, OSHEE kallëzoi në prokurori 10 biznesmenë nga Shkodra, Velipoja dhe Shëngjini, si dhe dy elektricistë. Theksojmë se operacioni i OSHEE kundër vjedhjes së energjisë është fokusuar kryesisht në zonat bregdetare dhe synon forcimin e zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë nga të gjithë pa asnjë dallim!!