Viti i tretë i reformës, OSHEE konsolidon treguesit!

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Sh.A.), vijon të performojë pozitivisht edhe në vitin e tretë të reformës për “rimëkëmbjen”, si në aspektin e humbje-arkëtimeve, ashtu edhe në disiplinimin e menaxhimit të financave etj.
Administratori i Përgjithshëm i OSHEE-së, z.Adrian Çela, paraqiti sot para medias rezultatet e aktivitetit të shoqërisë për vitin 2017, në prani të drejtuesve të lartë të korporatës, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme.
Administratori Çela u ndal në fillim te treguesit e humbjeve, niveli i të cilave për vitin 2017 zbriti në 26.41% nga 28.04% që ishin në 2016-n, duke e konsideruar nivelin më të ulët historik. Në periudhën kur nisi reforma humbjet regjistronin nivelin45%.
“Efekti i uljes së humbjeve është si rrjedhojë e mirëorganizimit të punës së kompanisë në terren, e kontrolleve të vazhdueshme, e ofrimit të mundësive të futjes në aktmarrëveshje të klientëve debitorë, si dhe nga investimet e shtuara të kompanisë në këto tre vite”, tha gjatë analizës kreu i OSHEE-së.
Në raport me objektivin e OSHEE-së, kemi një mosrealizim të uljes së humbjeve me 0.4 pikë përqindje; dhe kjo si pasojë e ndërrimit të administrimit të përkohshëm politik të kompanisë gjatë zgjedhjeve parlamentare, sikurse paraqitet edhe në grafikë.
“Është e vetmja periudhë, që ne nuk realizuam programin e parashikuar për 2017-n. Me këtë dua të theksoj edhe njëherë efektin negativ që mund të kenë lëvizjet politike në menaxhimin e kompanisë”.

Pyetjes së medies në lidhje me objektivat e vendosura nga Banka Botërore (BB) për kompaninë, Çela iu përgjigj se: “Në tërësi, raporti e vlerëson pozitivisht punën e bërë dhe objektivat e arritura, madje përtej planit, duke përjashtuar vetëm treguesin e humbjeve. Pse? Si fillim sqaroj se gjatë 2017-s OSHEE-ja ka deklaruar targetin e humbjeve teknike në nivelin 26%, ndërsa për 2018-n pritet të jetë rreth 23- 24%.
Në kuadër të reformës, në vitin 2014, Banka Botërore vendosi disa objektiva, referuar të dhënave të CEZ-it në 2009-2010 dheu vendos baza 15%, kur në fakt niveli real i humbjeve ishte rreth 21% dhe te pjesa e “humbjeve teknike” ne kërkuam rishikim. Sot, nivelin e humbjeve teknike e kemi 17.7%, ndërsa humbjet joteknike rreth 8.7%. Që të realizojmë reduktim të humbjeve teknike me 1%nevojiten 45 milionë euro investime.
OSHEE, deri më sot, me buxhetin e saj ka kryer 150 milionë euro investime, ndërsa me fondet e BB-së ka nisur zbatimi pas dy vite procedurash; efekti pozitiv te niveli i humbjeve teknike do të ndjehet në pjesën e parë të vitit 2018, duke patur parasysh se projektet zgjaten deri në 2019-n. Të mos harrojmë, gjithashtu, se sistemi i shpërndarjes është 40-vjeçar, tjetër arsye kjo se pse kemi kërkuar rishikim të objektivave për humbjet teknike”.

Në lidhje me arkëtimet, të dhënat tregojnë shifra pozitive të faturimit dhe përqindjes në rritje të të ardhurave, kjo falë administrimit më të mirë të leximit, të investimeve në montimin e matësve elektronikë, të shtrirjes së leximit edhe në ato vende ku më parë nuk janë bërë. Kjo pasqyrohet dhe në ankesat e qytetarëve, numri i të cilave ka pësuar rënie të ndjeshme.
Në vitin 2017norma e arkëtimit arriti në 98.7%, duke kapur vlerën rreth 65 miliardë lekë.
“Falë rezultatit të kënaqshëm OSHEE menaxhoi në mënyrë efikase krizën hidrike. Në kushtet kur KESH nuk mund të plotësonte sasinë kontraktuale ndaj OSHEE-së,për shkak të reshjeve të pakta, Operatori i Shpërndarjes garantoi furnizim me energji elektrike nga importet dhe blerjen në tregun vendas, me vlerë 200 milionë euro, pa cenuar buxhetin e shtetit, sikurse kishte ndodhur në të shkuarën”, deklaroi Çela.
Treguesit e borxhit të kompanisë janë përmirësuar: Borxhi i keq Principal, për fatura 2007-2014, është 48,4 miliardë lekë në fund të vitit 2017, nga 67.8 miliardë në fund të vitit 2014, pra kemi një reduktim me 28.4%.
Aktmarrëveshjet vijojnë trendin normal, pas boom-it të vitit 2015, kur nisi reforma, ndërsa cilësia e faturimit është rritur, dhe kjo shihet te norma e ankesave, të cilat kanë një peshë jo më të lartë se 0.4% në raport me totalin e faturave të lëshuara.
Investimet për 2018-n do të jenë mbi 11 miliardë lekë, vazhdim i financimit të projekteve, trend ky i qëndrueshëm në dy vitet e fundit.
Debate ka patur edhe për pagesën e taksave. Mjafton të shikosh tabelën e kontributeve fiskale të OSHEE-së në4 vitet e fundit; nuk janë pak, por rreth 30 miliardë lekë taksa të paguara.
“Taksat e papaguara në organet e fiskut u referohen viteve të mëparshme, pra janë të trashëguara, pasi vet OSHEE, me nisjen e reformës dhe miradministrimin e aktivitetit, ka paguar çdo detyrim që i takon”, deklaroi më tej administratori, z.Adrian Çela, pa harruar faktin tjetër se “Institucionet publike (ujësjellës, pushteti vendor për ndriçim rrugor etj.) i kanë OSHEE-së rreth 16 miliardë lekë detyrime të papaguara për konsumin e energjisë elektrike në vite”.
Në lidhje me përditësimin e të dhënave kreu i OSHEE tha se: “Procesi i saktësimit të të dhënave është mjaft i rëndësishëm për ne dhe qytetarët, ndaj këtyre të fundit u kemi dhënë disa herë mundësi të bashkëpunojnë, si detyrim kontraktual i furnizimit, miratuar nga ERE.
Mendojmë se janë rreth 150 mijë kontrata/klientë që nuk ekzistojnë më, shtëpi të prishura, sikurse janë të shumtë edhe emigrantët që nuk kanë mundur të përditësojnë të dhënat. Megjithatë, bashkëpunimi kërkohet pikë së pari tek ata abonentë që kanë refuzuar të japin të dhënat, dhe nuk janë pak, ndaj dhe OSHEE vendosi afat fundin e muajit janar 2018. Theksojmë se procesi ka mbi 1 vit e gjysmë që ka nisur, por siç, ndodh rëndom, kujtohemi në fund për detyrimet që na takojnë.
Me vendosjen e afatit, konstatojmë rritje të numrit të abonentëve që kanë përditësuar të dhënat, sidomos në 10 ditët e fundit, aq sa nuk ishte bërë në tre muaj!

Sa i takon reformës në strukturimin e kompanisë, administratori Çela tha se:
“Nuk ka asnjë çështje të hapur nga Sekretariati i Energjisë në Vjenë, por një shkresë, në kuadër të korrespodencës së vazhdueshme jo vetëm për pika që lidhen me OSHEE-në.
Saktësoj se ka një detyrim ligjor, sipas të cilit brenda vitit 2017 duhet të realizohet ndarja e kompanisë nga shitja. Për këtë çështje kemi përfunduar studimin dhe se ndarja është një proces që kërkon kohë, në kushtet e një eksperience të panjohur ndonjëherë në Shqipëri. Komitetit të Energjisë në Vjenë i janë bërë të ditura hapat e ndjekura deri më tani nga OSHEE, dhe unë shpreh bindjen se brenda 3-mujorit të parë do të jepen rezultatet e fillimit të ndarjes në terren”.