OSHEE reagon për lajmin e botuar në disa portale për përditësimin e të dhënave

fotooo

Nisur nga spekulimet e përhapura gjatë ditës së sotme në disa portale informative online, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaron opinionin publik sa vijon:

Në muajin Shtator 2015, në kuadër të programit të financuar nga Banka Botërore për rimëkëmbjen e sektorit elektroenergjitik, OSHEE filloi zbatimin e projektit “Përditësimi i të Dhënave” si pjesë e rëndësishme dhe e nevojshme për realizimin e implementimit të sistemit të faturim/arkëtimit. Projekti parashikonte që deri në vitin 2017 të realizohej përditësimi dhe identifikimi i plotë i klientëve, adresa e saktë, mënyra se si janë lidhur klientët në rrjet nisur nga niveli i tensionit si dhe të dhënat për matësit.

Ky proces filloi të kryhet nga strukturat e OSHEE, ndërsa rezulton se bazuar mbi burimet njerëzore të kompanisë, nga Shtatori 2015 deri më tani janë përditësuar vetëm rreth 96 000 kontrata, çka e bën të pamundur përmbylljen e plotë të 1.2 milion kontratave brenda afateve të parashikuara. Në këtë situatë, OSHEE ka parë të nevojshme angazhimin e kompanive të specializuara për të kryer këtë projekt dhe përmbushur objektivin e vendosur në planin e rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjitik.

Paralelisht, Ministria e Punëve të Brendshme, në përmbushje të objektivave të saj ka vendosur të zbatojë një projekt për identifikimin dhe popullimin e adresës për çdo shtetas (derë më derë) në terren në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Projekti ka për qëllim përdorimin e bazës së deritanishme të të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave për aksesimin në terren të të dhënave të tipit gjurmë rrugësh me emërtimet përkatëse, gjurmën e ndërtesës dhe numërtimin përkatës të saj, për të bërë verifikimin dhe regjistrimin në terren të të gjithë bazës së të dhënave për sa i përket realizimit ose heqjes së gjurmës së ndërtesave si dhe shtimin e informacionit karakteristik të hyrjeve të ndërtesave, numërtimin e kateve për hyrjet përkatëse, numërtimin e apartamenteve.

Gjithashtu, përmes Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile do të mund të bëhet aksesimi i të dhënave të personave, duke mundësuar regjistrimin e të dhënave të gjendjes civile për personat në apartamentet respektive dhe krijimin e një baze të dhënash ndërmjetëse që do të përdoret për indeksimin e personit me adresën reale të tij.

Për shkak se projekti i OSHEE dhe ai i Ministrisë së Brendshme e kanë fushën e veprimit të shtrirë në të njëjtin territor, është gjykuar që këto dy projekte të mund të shkrihen në një të vetëm. Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin Nr.207, datë 16.3.2016 “Për ngarkimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE sha) si organ qendror blerës, për kryerjen e procedurës së prokurimit publik për llogari të vet dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Sipas kësaj VKM-je, OSHEE autorizohet të prokurojë fondin limit të përcaktuar në programin Buxhetor “Shërbimi i Gjendjes Civile” dhe fondin e saj të planifikuar. OSHEE në cilësinë e organit blerës bashkërendon punën me Ministrinë e Punëve të Brendshme për procedurën e prokurimit, specifikimet teknike, testimin e tregut para publikimit të tenderit dhe shqyrtimin e ankesave deri në shpalljen e njoftimit të fituesit.

Për studimin e tregut në nxjerrjen e fondit limit janë marrë parasysh pesë oferta. Në përfundim të procesit, në datën 23.05.2016 është bërë publikimi i dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik me fondin limit 856,000,000 Lek (Pa TVSH). Në zbatim të ligjit, njoftimi për këtë procedurë tenderi është publikuar edhe në shtypin ndërkombëtar, konkretisht në gazetën prestigjioze “Financial Times”.

Ministria e Brendshme ka planifikuar fondin e saj për këtë procedurë të përbashkët në vlerën 400,000,000 lekë (me TVSH) ndërsa pjesa tjetër e shumës totale është mbuluar nga fondi i OSHEE-së.

Në përfundim të procedurës, kanë marrë pjesë dy ofertues. Ofertuesi i parë është Bashkimi i Operatorëve “CSI Piemonte-Consorzio per il sistema informative”, Datech sh.p.k dhe Çelësi sh.p.k. me vlerën 849,580,000 lekë pa TVSH. Ofertuesi i dytë ishte shoqëria “Fastech” sh.p.k e cila nuk ka paraqitur një ofertë ekonomike. Në zbatim të parashikimeve ligjore, fitues është shpallur ofertuesi Bashkimi i Operatorëve “CSI Piemonte-Consorzio për il sistema informative”, Datech sh.p.k dhe Çelësi sh.p.k.

Të gjitha procedurat janë ndjekur në zbatim të ligjit për Prokurimin Publik dhe nuk ka patur ankesa nga asnjë subjekt gjatë gjithë fazave nga shpallja e specifikimeve teknike deri në shpalljen e fituesit. Afati i realizimit të kontratës është 6 muaj nga data e lidhjes së saj mes autoritetit kontraktor dhe fituesit.

Referuar bashkimit të shoqërive fituese të tenderit, OSHEE sqaron se sipas marrëveshjes për bashkim të përkohshëm të shoqërive, ndarja e përgjegjësive midis palëve është: CSI Piemonte 80 përqind e zbatimit të kontratës; Datech 10 përqind dhe Çelësi 10 përqind. CSI Piemonte është konsorcium i njohur italian i themeluar në vitin 1977 dhe në historikun e saj ka një përvojë të zgjeruar e të suksesshme në aktivitet të njëjtë me atë për të cilin është shpallur fitues në këtë tender në Shqipëri.

Përveç përditësimit të nevojshëm të të dhënave që i shërbejnë OSHEE-së, të dhënat totale që do të grumbullohen nga zbatimi i këtij projekti do të mund të përdoren nga entet publike në funksion të Shërbimit të Gjendjes Civile, Zyrës së planifikimit urban, Shërbimi Statistikor, Shërbimi i Zyrave të Pasurisë, Sistemi Fiskal, Sistemi Bankar, Sistemi Gjyqësor, Organet e Sigurise Publike, Sistemi Shëndetësor, Sistemi Arsimor dhe Sistemi Zgjedhor.