6 mln euro investime në Korcë, Çela: Brenda 2017 fuqizojmë rrjetin për gjithë rajonin

1
Administratori i kompanisë së Shpërndarjes OSHEE, z.Adrian Çela së bashku me drejtorin e drejtorisë rajonale OSHEE në Korçë, Artur Qiramixhi inspektuan sot punimet që po kryhen për rikonstruksionin e linjave të tensionit të ulët e të mesëm të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji elektrike në rajonin e Korçës.

Në një prononcim dhënë gazetarëve, kreu i OSHEE theksoi se vetëm për qytetin e Korçës po zbatohen projekte me vlerë 1 mln euro, të financuara nga kompania OSHEE.
Çela theksoi se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, po bën realitet premtimin dhënë abonentëve për përkthimin në investime të pagesave të tyre.
“Në Korcë po përmbyllim investimet që kapin vlerën e 1 mln eurove që përfshijnë qytetin e Korcës, zonën historike, lagjet 1, 2, 3, 4, zonën industriale.

Gjithashtu, janë në proces dhe kanë nisur prokurimet për investimet e tjera në zonën industriale në hyrje të qytetit të Korcës”, tha administratori i OSHEE, për mediat.
Zoti Çela deklaroi para gazetarëve se të tjera investime do të nisin në vitin 2017, një prej të cilave është fuqizimi i n.stacionit të Lozhanit, vlera e të cilës është 400 mln lekë të reja, me të cilin përfundon dhe cikli i investimeve në qytetin e Korcës.

“Për herë të parë që nga viti 1970 do të nisin investimet në qytetin e Maliqit, kemi përfunduar projektin dhe brenda muajit nis procesi i prokurimi për rrjetin e tensionit të ulët dhe ABC.
Ndërkaq, brenda 3 mujorit të parë të 2017, do të nisin investimet në rrjetin e mesëm që kalon në nivelin 20 kv në qyetin e Maliqit.
Në këtë qytet do të hapim dhe një sportel të OSHEE, pasi është e vetmja bashki në të gjithë vendin që nuk ka shërbim të tillë”, tha kreu i OSHEE.

“Kompania OSHEE, u shpreh administratori ka parashikuar të investojë për vitin 2017 dhe në qytetin e Bilishtit si dhe të ndërtojë një nstacion në zonën e Leskovikut”.
Çela tha se në total për rajonin e Korçës, investimet e OSHEE kapin vlerën e 6 mln eurove.
Kreu i OSHEE theksoi se për herë të pare do të investohet dhe në qytetin e Pogradecit.

Sipas tij, ky projekt do të financohet pjesërisht me fondet e Bankës Botërore dhe pjesërisht me të ardhurat e kompanisë, Sipas z.Çela bëhet fjalë për rreth 10 mln dollarë që do të investohen që në fillim të vitit 2017 në Pogradec.
“I gjithë rrjeti i amortizuar mbi 40 vjecar i Pogradecit do të zëvendësohet me 8 fidera të rinj 20 kv që shkojnë rreth 6 mln dollare dhe 4 mln të tjera do të shkojnë për ndërtimin e nstacionit i ri për qytetin e Pogradecit që do të financohet me të ardhurat e kompanisë.
Po përfundojmë investimet në zonat turistike, në Dardhë e Voskopojë, për ti garantuar bizneseve furnizim sa më normal me energji dhe për ti dhënë inpute të reja biznesit në këtë rajon”, u shpreh para mediave, kreu i OSHEE..