Firmat private godasin sërish OSHEE-në, në Tiranë dhe Shkodër

Rrjeti elektrik i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është goditur sot në dy raste, duke sjellë pasojë të rënda në pjesët e aseteve (fidra dhe transformatorë) dhe mungesë të energjisë elektrike.

Rasti i parë është shënuar në Shkodër, rreth mesditës, ku firma private “Karl Gega” dëmtoi dy fidrat e tensionit të mesëm 20 kV, 14 dhe 17, duke sjellë më pas djegien e tre transformatorëve. Ky dëmtim nga firma private shkaktoi ndërprerjen e energjisë në qendër të qytetit Shkodër, konkretisht në lagjet “Manush Alimani”, “Parruc”, “Shirok Zogaj” dhe “Ndoc Mazi”.

Rasti është denoncuar direkt në polici, e cila po kryen veprimet hetimore ndaj dëmit të shkaktuar, ndërsa OSHEE Shkodër po merr masat për zëvendësimin e transformatorëve të djegur dhe lidhjen e dy fidrave të dëmtuar. Energjia është shkëputur rreth mesditës së sotme dhe pritet të rikthehet rreth orës 16.30.

Rasti i dytë u shënua sërish në Tiranë, ku firma private “Kronos” dëmtoi kabullin e tensionit të mesëm, pjesë e fiderit 329 të n/St Selitë. Pas plotësimit të procesverbalit, OSHEE mori masa të menjëhershme, duke rikthyer energjinë elektrike brenda 15 minutash falë lidhjes unazore me fiderin C7 të N/st Traktora, duke sjellë normalizim të situatës për zonat: pranë shkollës “Sabaudin Gabrani”, “Rruga e Kavajës”, “Nikolla Lena”, “Adem Kruja”, “Besim Imami”, “Myslym Shyri” dhe pranë shkollës “Vasil Shanto”.

Sakaq, sot nga rënia e zjarrit në katin e 10-të të një pallati tek Instituti i Higjienës, detyroi OSHEE-në të stakonte për pak minuta (masë sigurie) energjinë elektrike për zonat përreth vendngjarjes.