Investimet, Gjiknuri: Projektet aktuale dhe planet e OSHEE-së për Beratin

Në kuadër të mbledhjes së qeverisë në Qarkun e Beratit, u prezantuan disa projekte zhvillimore nga ministrat përkatës. Konkretisht, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z.Damian Gjiknuri u ndal në disa investime të rëndësishme që po ndodhin ose do të ndodhin në disa fusha të rëndësishme të infrastrukturës në Berat.

Duke folur për investimet në fushën e energjisë elektrike, ministri Gjiknuri përmendi NST e Çorovodës me një vlerë investimi prej 260 milionë lekësh, e pasuar edhe nga linja 110 kV, e cila lidhet me linjën 6 dhe 10 kV, me një vlerë dhe kjo 410 milionë lekë të reja.

“Këto bëjnë që e gjithë zona e Çorovodës, zona e Skraparit pra, të kenë një furnizim shumë më të mirë me energji elektrike. Përtej nënstacionit të Çorovodës, OSHEE në këtë rajon ka investuar dhe 360 milion lekë për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike në Berat dhe Kuçovë. Në tre vitet e ardhshme dua t’ju garantoj se kemi planifikuar investimin e linjës së tensionit të ulët me kabull ABC, për fiderat në Kuçovë si edhe linjën e tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët në Berat bashkë me ndërtimin e dy fiderave 20 kV”, deklaroi ministri.