Prezantohet Strategjia Kombëtare e Energjis Shqipëria 2030, objektivat për OSHEE

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në prezantimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë:

I nderuar Zoti Kryeministër,

Të nderuar Zotërinj ambasadorë,

Të nderuar të pranishëm në këtë tryezë,

Sot është një moment shumë i veçantë për sektorin energjetik në Shqipëri. Pas një pune intensive, kemi të përfunduar dokumentin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë për periudhën 2018-2030. Një udhërrëfyes ky i cili vendos piketat kryesore për modelet e zhvillimit të një prej promotorëve kryesorë të ekonomisë.

Gjej rastin të shpreh këtu një falenderim të madh për të gjithë ekspertët më të mirë, vendas e të huaj, që u angazhuan për një periudhë të gjatë në hartimin e këtij dokumenti strategjik.

Një falenderim i posaçëm për USAID-in që ka qenë një konsulent përfekt prej të cilit kemi marrë njohuritë dhe eksperiencat më të mira për të mbërritur në këtë produkt të cilin kemi sot për prezantim.

Përpara se të ndalem tek ajo çka përmban ky dokument strategjik më duhet të ju rikujtoj se ku e gjetëm sektorin dhe çfarë kemi bërë në këto pesë vite.

Qeveria shqiptare ndërmori një reformë të guximshme dhe të vështirë në sektorin e energjisë elektrike produktet e të cilës tanimë janë të dukshme.

Humbjet e energjisë elektrike janë reduktuar nga 45.04% që ishin në 2013 në 26.41% në fund të vitit 2017. Rritëm ndjeshëm nivelin e arkëtimeve nga 38.6 miliard lekë në 2013 në 64.1 miliard lekë në fund të vitit 2017.

Hoqëm barrën e rëndë të sektorit energjetik nga Buxheti i Shtetit duke i kthyer tre kompanitë publike në kontributore të stabilitetit fiskal. Në këto vite, OSHEE, KESH dhe OST kanë derdhur në tatim-taksa një shumë prej 45.5 miliard lekësh.

Rikthimi i ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike solli rikthimin e besimit të humbur të partnerëve dhe donatorëve të cilët gjithnjë e më shumë po mbështesin projekte investimi. Gjithashtu, investitorët privat panë një treg energjetik gjithnjë e më likuid që u garanton kthimin e investimit dhe perspektivën e biznesit.

I konsideruar si një ndër pikat më të dobëta, vetëm në sektorin e shpërndarjes është arritur të investohen 160 milion Euro në gjithë Shqipërinë gjatë këtyre viteve. Në transmetim arritëm të përfundojmë linjën e interkonjeksionit elektroenergjetik 400 kV të Shqipërisë me Kosovën duke vendosur edhe themelet e bashkëpunimit dhe krijimit të një burse të përbashkët për sektorin elektroenergjetik. Përfunduam edhe linjën 110 kV të Unazës së Jugut ndërsa po fillojmë ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

U ndërtuan rreth 400 Megavat kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike në fushën e HEC-eve të vegjël dhe kaskadës shumë të rëndësishme të Devollit me HEC-in e Banjës, tashmë të vendosur në operim që prej më shumë se një viti dhe HEC-in e Moglicës që është në fazën finale të ndërtimit.

U nxit dhe mbështet ndërtimi i projektit TAP – si një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe të gjithë rajonin që do të lidhi Azerbajxhanin me Europën Perëndimore.

Ashpërsuam kontrollin ndaj marrëveshjeve hidrokarbure e në shumë raste rimorëm nën kontroll blloqet e naftës e gazit që kishin përfunduar në duar të kompanive të papërgjegjshme që jo vetëm nuk investuan por degraduan për vite me radhë këtë sektor.

Miratuam aktet ligjore dhe nënligjore në përputhje me Direktivat Europiane. Bazuar në mbështetjen e gjithanshme të Sekretariatit të Energjisë është bërë i mundur miratimi i Ligjit të Energjisë Elektrike, Ligjit të Gazit Natyror, Ligjit të Eficencës së Energjisë, Ligjit të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë; Modelit të Tregut të Energjisë Elektrike dhe Krijimin e Bursës Shqiptare së Energjisë Elektrike dhe shumë dokumente të tjera të rëndësishme.

Këto reforma janë bërë të mundura në sajë të planeve të veprimit të zbatuara nga ana e Qeverisë si dhe në saj të një menaxhimi më të mirë të rezervave energjetike hidroenergjitike. Është bërë i mundur kapërcimi i situatës së rëndë të sektorit elektroenergjetik të vitit 2013 dhe plotësimi i nevojave pa ndërprerje për të gjithë qytetarët dhe të gjitha zonat e vendit. Gjithashtu, në sajë të punës së madhe, është bërë e mundur që me ndihmën e donatorëve të fillojë financimi i një sërë projektesh me rëndësi jetike për sektorin e energjisë elektrike.

Bazuar në arritjet e mësipërme, sfidat e ardhme me të cilat ballafaqohet aktualisht sektori shqiptar i energjisë përfshijnë:

– mbështetjen e zhvillimeve ekonomike në sektorë të ndryshëm ekonomik-shoqëror;

– rritja e sigurisë së furnizimit me energji në përgjithësi dhe energji elektrike në veçanti duke marrë pjesë aktive në tregun rajonal energjetik, përmirësuar eficiencën e energjisë, rritur pjesën e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe burimeve të tjera konvencionale të energjisë dhe në të njëjtën kohë duke masa të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit,

– gazifikimin e sektorin energjetik duke shfrytëzuar në maksimum projektin TAP, IAP dhe lidhjen e mundshme të Shqipërisë me Kosovën edhe me linjën e gazit natyror;

Strategjia e Energjisë ka përcaktuar shumë mirë targetat energjetike të vendit për të bërë të mundur integrimin europian të Shqipërisë në të gjithë infrastrukturën energjetike europiane. Arritja e objektivave të mëposhtme do të jetë një domosdoshmëri për Qeverinë, agjencitë e specializuara dhe kompanitë energjetike:

– Vazhdimin e reduktimit të humbjeve teknike dhe jo-teknike të shpërndarjes së energjisë elektrike nga 26.4% në vitin 2017 në 10% në vitin 2030 – nivel ky i krahasuar me të gjitha vendet europiane;

– Vazhdimin e rritjes së arkëtimeve të energjisë elektrike nga 90% në vitin 2018 në 98% në vitin 2030 – nivel ky i krahasuar me të gjitha vendet europiane;

– Rritjen e kontributit të burimeve primare të energjisë kundrejt furnizimit total me burime primare të energjisë në nivelin 52.5% në vitin 2030;

– Shkalla e hapjes së tregut të energjisë elektrike të arrijë 100% në vitin 2025 duke ndërtuar njëkohësisht një skemë të thjeshte dhe të zbatueshme në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve familjarë me të ardhura të ulta. Në këtë kuadër Qeveria e Shqipërisë në bashkëpunim me Qeverinë Kosovës, me mbështetjen shumë të madhe të USAID-it dhe Sekretariatit të Energjisë po punojnë për integrimin e tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës, krijimin e Bursës Shqiptare të energjisë elektrike me objektiv afatgjatë integrimin e tregjeve tona në tregun europian;

– Ekonomia dhe shoqëria shqiptare të arrijë një nivel kursimi të energjisë kundrejt konsumit total me 15% në vitin 2030;

– Targeti i energjive të rinovueshme kundrejt konsumit total të arrijë në nivelin 42% në vitin 2030;

– Reduktim i emetimeve GHG kundrejt totalit të arrijë 11.5% në vitin 2030;

– Penetrimi i gazit natyror kundrejt furnizimit total me burime primare të energjisë të arrijë në nivelin 20% në vitin 2030;

Sigurisht që kjo të bëhet e mundur do të duhet të shoqërohet me investime të rëndësishme në ndërtimin dhe zgjerimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit në vend. Ngritja e kapaciteteve dhe forcimi i shoqërisë Albgaz, e ngritur vetëm rreth një vit më parë, si dhe bashkëpunimi i saj me partnerë strategjike dhe me eksperiencë në sektorin e gazit përbën një premisë të mirë për gazifikimin e ekonomisë shqiptare në të ardhmen e afërt.

Investimet e rëndësishme që kompania SHELL po bën në sektorin e kërkimit dhe prodhimit të naftës janë gjithashtu inkurajuese për sektorin e energjisë dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi. Duke qenë një shoqëri lider në sektorin e naftës, ajo përbën një tregues të rëndësishëm të sigurisë së investimeve të huaja në vend dhe në sektorin e naftës në veçanti.

Strategjia Kombëtare e Energjisë është hartuar në mënyrë të tillë që të ketë një ndikim minimal në shpenzimet publike, meqenëse investimet e kërkuara janë projektuar drejt që të sigurohen nga burime private, donatorët, bankat e zhvillimit si dhe bankat lokale, asistencë teknike e huaj dhe së fundmi nga Buxheti i Shtetit.

Për këtë qëllim, Qeveria shqiptare do të përgatisë të gjitha instrumentet ligjore, organizative, financiare të propozuara në kushtet e tregut konkurrues në kontekstin e qasjes së lirë në treg dhe zhvillimit të çmimeve të qëndrueshme të tregut, pa ndërsubvencionim dhe në pajtim me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore, për të bërë mbrojtjen e familjeve me të ardhura të ulta.

Tregu i energjisë elektrike në Shqipëri është në tranzicion nga një sistem i planifikuar drejt një sistemi me bazë tregu. Rezultatet e skenarit të integrimit të tregut të energjisë Shqipëri-Kosovë tregojnë se ekziston një potencial i rëndësishëm për një shfrytëzim më të mirë të kapacitetit transmetues ndërkufitar, rritjen e mirëqenies përmes optimizimit të tregut të operimit të burimeve të energjisë termike në Kosovë dhe burimeve hidrike në Shqipëri (specifikisht, kaskada e lumit Drin), si edhe duke shkëmbyer kërkesat e rezervës balancuese.

Deri në vitin 2030, të dy sistemet e kombinuara do të gjeneronin kursime vjetore financiare nga shpenzimet e reduktuara të importit prej më shumë se 1 miliardë euro. Rezultatet tregojnë gjithashtu se nën një treg të përbashkët të energjisë elektrike Shqipëri-Kosovë, kostot e prodhimit do të ulen në të dy vendet. Efekte të mëtejshme sinergjike mund të priten nga lidhja e tregut në një shkallë edhe më të madhe, pra në nivel rajonal duke përfshirë Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë dhe vendet fqinje anëtare të BE-së në Evropën Juglindore.

Pasi të zbatohet me sukses dhe të shoqërohet me rrjetin reflektues të kostos dhe tarifat e qasjes në treg, Modeli i ri i Tregut duhet të lehtësojë konkurrencën e përmirësuar, së pari në tregun me shumicë, dhe më pas në tregun me pakicë. OSHEE-ja do të mbajë biznesin e saj të furnizimit, dhe do të ekspozohet ndaj konkurrencës nga furnizues të rinj që mund të hyjnë në treg për të furnizuar konsumatorët e fundit.

Investimet potenciale për përmbushjen dhe zbatimin e të gjitha aktiviteteve të strategjisë janë gjithsej 2.7 miliardë euro për tërë periudhën 2018-2030. Skenarët e zhvillimit te sektorit energjetik tregojnë qartë se zhvillimi i sektorit energjetik shqiptar sipas skenarit të kombinuar të energjisë tregon që pjesa e Buxhetit të Shtetit të planifikuar për sektorin e energjisë, përfshirë kapitalin e kompanive publike lidhur me kërkesat e investimit kundrejt buxhetit të përgjithshëm vjetor të shtetit do të jetë vetëm 0.5%. dhe kjo do të sjellë një reduktim të ndjeshëm në deficitin tregtar import-eksport për të gjithë periudhën 2018-2030.

Sigurisht, që hartimi dhe miratimi i Strategjisë së Energjisë është një arritje e rëndësishme, por zbatimi i saj vendos për qeverinë dhe institucionet shqiptare sfida akoma dhe më të mëdha.

Kësaj i shërben dhe kjo tryezë e sotme, si pikënisje e një dialogu të vazhdueshëm me aktorët kryesorë të kësaj strategjie, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Me kënaqësi do të dëshiroja që t’ia kaloja fjalën drejtuesit të misionit të USAID-it në Shqipëri për fjalën e rastit.

Faleminderit!