Reagimi i OSHEE për deklaratën e PD Shkodër

Në vijim të denoncimit publik të bërë nga Shtabi Elektoral i kandidatit për deputet të Partisë Demokratike në Shkodër z. Gjokë Uldedaj për çështjen e procedurave për dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar nga reshjet dhe përmbytjet e vitit 2010-2011, OSHEE sqaron sa vijon:

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, nuk ka ndërmarrë asnjë proces të tillë të likujdimit të dëmshpërblimeve për banorët e nën Shkodrës.

Këtë detyrim e ka Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), bazuar në vendimin më të fundit të qeverisë nr. 295, të datës 5.04.2017 “Për miratimin e Vlerës së Kompensimit të Dëmeve të Shkaktuara në kulturat bujqësore e në biznese nga reshjet e shiut dhe përmbytjet, në Qarkun e Shkodrës”.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike gjen rastin ti bëjë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë me seriozitetin maksimal çdo akuzë publike dhe çdo rast të pretenduar abuzimi ndaj çdo punonjësi të administratës apo kompanive publike.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike siguron se do të monitorojë me rreptësi sjelljen e çdo punonjësi të kompanisë dhe respektimin e detyrimeve ligjore në raport me fushatat e subjekteve politike.

Për çdo rast shkeljeje që do të konstatohet, OSHEE do të marrë masat të përcaktuara nga ligji.