Sqarimi i OSHEE për deklaratën e kreut të PD: 31-vjeçari nuk ishte debitor

foto tematike 2v1

Në lidhje me deklaratën e kreut të PD-së, i cili i referohet shkrimit të gazetës “Panorama”, sipas të cilës “31-vjeçari vrau veten se nuk paguante dot 80 mijë lekë të reja”, sqarojmë se:

***

Së pari gjejmë rastin t’i shprehim ngushëllime familjes së shtetasit Klajdi Muça për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik dhe për të hedhur poshtë spekulimet fillimisht mediatike e më pas edhe politike, sqarojmë se abonenti Klajdi Muça kishte një kontratë me OSHEE-në, dhe nuk kishte asnjë faturë me vlerë 80 mijë lekë të reja!! (kjo duket qartë nga sistemi i pagesave, bashkëlidhur njoftimit)

• Muça ishte një ndër 450 mijë abonentët që kanë lidhur aktmarrëveshje (AKM) me OSHEE për pagesën e detyrimeve të prapambetura me këste.

• Ai ka lidhur AKM me OSHEE më 22 dhjetor 2016, pasi ishte debitor. Ka shlyer një këst, bashkë me faturën e muajit përkatës me vlerë 340 lekë, dhe sipas grafikut, kishte ende kohë të paguante këstin e radhës, prej 2800 lek në zbatim të marrëveshjes lehtësuese.

• Abonentit nuk i është prerë energjia elektrike dhe në asnjë rast nuk ka qenë nën presionin e OSHEE-së.

• Muça është pritur nga specialistët teknik përkatës, dhe në asnjë rast nuk ka patur debate.

• Vlera e cituar në gazetë (80 mijë lekë të reja), nuk është aspak e vërtetë, por bëhet fjalë për konsumin e muajit janar, e cila nuk ka dalë ende si faturë, pasi paguhet në shkurt, dhe vlera e saj është 9 mijë lekë të reja. Edhe në këtë rast, abonenti kishte kohë në dispozicion për ta paguar.

• OSHEE kërkon të sqarojë, jo vetëm gazetën, opozitën, por edhe opinionin publik, se nuk është vlera 9 mijë lekë shkaku që shtyu të riun drejt vetëvrasjes, por problemet e tjera, për të cilat i takon organeve të hetimit të japin sqarime, bazuar mbi dëshminë e familjarëve!!

• OSHEE ndjen keqardhje për ngjarjen, dhe kjo fatkeqësi nuk duhet të përdoret politikisht nga opozita, apo të keqpërdoret nga media!!