OSHEE, masat për furnizimin në zonat e prekura nga moti i keq

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), z.Adrian Çela inspektoi nga afër zonat e mbetura pa energji elektrike për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Për shkak të bllokimit të rrugëve, grupet e OSHEE e kishin të pamundur të dërgonin bazën material për lidhjen e energjisë, duke sjellë vështirësi në menaxhimin e situatës.
Me ndihmën e dëgeve të tjera të OSHEE në rrethe, u morën masa për stabilizimin e situatës dhe për t’i dhënë fund mungesës së energjisë elektrike në zonat e prekura, sidomos në fshatrat e Librazhdit.

Gjatë inspektimit, z.Çela, i shoqëruar nga stafi i zonës dha këtë prononcim për mediat:

“Siç e shikoni, jemi këtu në fshatin Gizavesh, komuna Qendër ku situata paraqitet më e agravuar. Kemi marrë masat dhe kemi sjellë brigadat e emergjencës nga zona të ndryshme të vendit si Durrësi, Shkodra apo Fieri, të cilat janë në mbështetje të brigadave lokale këtu. Veprimet tona po mbështeten dhe nga banorët e zonës të cilët po na ndihmojnë. Po punohet në një situatë ku i ftohti është ekstrem dhe priten edhe reshje të tjera dëbore.
Në këtë zonë ka patur shumë dëmtime në linja dhe pas dy ditësh punë intensive presim që sot këtu të rikthehet energjia. Në të njëjtën formë do të vazhdojmë edhe në zonën e Përrenjasit. Kjo është pjesa e cila mund të cilësohet më problematikja në gjithë territorin e vendit.
Në rang vendi në total, numri i abonentëve që nuk kanë energji është rreth 6-7 mijë (nga 1.18 milionë abonentë), pra më pak se 1% e abonentëve. OSHEE po bën përpjekjet maksimale për të mundësuar rikthimin e energjisë brenda ditës së sotme dhe të nesërme.

Cilat janë vështirësitë me të cilat jeni hasur më së tepërmi?

Ju po e shikoni vet të ftohtin këtu. Nga koha e keqe, bora dhe temperaturat e ulëta janë shkëputur me dhjetëra kilometra linja të energjisë elektrike të tensionit të ulët dhe të mesëm. Po punohet edhe në zona ku ende nuk janë të zhbllokuara nga bora, ku jo vetëm mjetet, por edhe njerëzit po arrijnë me shumë vështirësi për të dërguar shtyllat dhe ngritur ato. Dua ta theksoj, kemi gjetur mbështetjen e banorëve të këtyre zonave që po na vinë në ndihmë dhe po na bëjnë prezente edhe problematikat që kanë.
Nga ana tjetër, i bëj një thirrje edhe opozitës që t’i mbështesë këta njerëz dhe mjaft më me thirrje politike. Këtu jemi në kushtet e një moti ekstrem dhe një sistemi që është i amortizuar me vite e vite dhe nuk është investuar. Të kërkosh që për një muaj apo për një vit të sistemohet gjithëçka ku për vite është neglizhuar është një hipokrizi maksimale.

OSHEE thekson se nën kushtet e përkeqësuara të motit, deri në minus 20 gradë celcius në disa zona, ka mundur të sigurojë një reagim të shpejtë ndaj avarive të shfaqura në sistemin e furnizimit me energji elektrike.
Plani i masave të miratuara pak ditë para festave të fundit vuri në gatishmëri rreth 3000 punonjës, pajisje dhe logjistikë, për t’i bërë ballë një situate të agravuar për shkak të kushteve atmosferike, 30 mm borë dhe shpejtësi ere deri në 25 km/h, që dëmtoi mbi 250 km kabëll dhe rrëzoi 370 shtylla.

 

admin 1 librazhd 2