Reagimi i OSHEE, per videon e publikuar nga emisioni investigativ “Stop”

foto tematike 2v1

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndoqi me vëmendje rastin e denoncuar mbrëmjen e së mërkurës në emisionin investigativ “STOP” në Televizionin Klan, ku u pretendua se dy punonjës të kompanisë favorizuan një biznes debitor në këmbim të parave.

OSHEE kreu menjëherë identifikimin e personave të shfaqur në video dhe mori masën e pezullimit nga detyra për shtetasin F.Beshi me pozicion Shef Grupi Operativ dhe H.Nika me pozicion elektricist.

OSHEE do të ndjekë të gjithë hapat ligjore me depozitimin e materialeve në organin e akuzës me synim zbardhjen e plotë të asaj çka u transmetua në emisionin investigativ. Paralelisht, do të kryhet verifikimi i subjektit privat i cili u pretendua të jetë favorizuar nga dy punonjësit e lartpërmendur për rilidhjen e energjisë në shkelje të ligjit.

Sakaq, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike falenderon emisionin investigativ “STOP” për këtë denoncim ashtu sikurse inkurajon median që të kontribuojë maksimalisht në përpjekjen e kompanisë për të ndëshkuar çdo punonjës që kryen veprime antiligjore.

OSHEE shpreh vendosmërinë për të mos toleruar asnjë rast abuzimi nga punonjësit apo abonentët ndërsa insiston se ligjshmëria në konsumin e energjisë elektrike është një detyrim për çdo abonent biznes apo familjar qoftë ai.