Moti i keq dëmton rrjetin, OSSH riparon 50 % të defekteve

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, po ndjek me vëmendje situatën e krijuar në rrjetin elektrik si pasojë e motit të keq që përfshiu vendin në orët e para të mëngjesit.

Si pasojë shkarkesave atmosferike dhe stuhisë, disa linja të tensionit të ulët e të mesëm pësuan avari si këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh dhe rrëzime të shtyllave elektrike.

Zonat më të prekura nga dëmtimet në rrjet janë rajoni i Durrësit, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Kukësit, Shkodrës dhe BurrelitBrigadat e OSSH të përbëra nga 2 mijë punonjës të 11 drejtorive rajonale janë në terren duke punuar intensivisht për rikthimin sa më shpejt të normalitetit në furnizimin me energji elektrike.

Në krahasim me situatën e krijuar mëngjesin e sotëm, nga informacionet e dispecerisë qendrore në OSSH, deri në mesditë u riparuan mbi 50 përqind e defekteve, ndërsa po punohet për riparimin e fiderave të dëmtuar ë zonat rurale ku linjat janë ajrore dhe terreni është më i vështirë.