Nënstacioni i ri i Kombinatit, OSHEE konsultim me komunitetin Projekti financohet me kredi nga Banka Botërore

kombinatNë kuadër të projekteve të financuara nga Banka Botërore, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ka nisur fazën e konsultimit me banorët e komunitetit përreth, të cilët do të jenë përfitues nga ndërtimi i Nëstacioni i ri i Kombinatit.

Takimi u organizua nga njësia e zbatimit të projektit (PIU), me banorë të njësisë nr.6 në Tiranë dhe specialistë të OSHEE, me qëllim informimin në lidhje me planin e ndërtimit të nënstacionit 110/20 kV.

Aktualisht, ky projekt ndodhet në fazën e përgatitjes së dokumentacionit dhe do të realizohet në kuadër të fondeve të akorduara me kredi nga Banka Botërore për “Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë”, ku për OSHEE-në, janë vendosur në dispozicion mbi 93 milionë dollarë investime në fusha të ndryshme, ndërsa kompania do të japë mbështetje me 10% nga buxheti i saj.

“N/stacioni i ri i Kombinatit do të sjellë një përmirësim dhe cilësi të ndjeshëm të furnizimit me energji elektrike për banorët e zonës, familjet dhe bizneset që operojnë përreth”, tha gjatë prezantimit, Arian Hoxha, koordinatori i zyrës së implementimit të projekteve te BB në OSHEE.

Sipas tij, projekti i “Rimëkëmbjes së Energjisë”, komponenti II, përfshin gjithashtu investime në sistemin e faturimit, matësat inteligjentë për të realizuar një bilanc të plotë të energjisë, kabina dhe materiale të tjera të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë.

Ndërtimi i n/stacionit të ri 110/20 kV, i cili do të sjellë garanci afatgjatë në furnizimin me cilësi të energjisë, pritet të përfundojë në fillim të vitit 2017!

Detaje

Trualli (sheshi) ku do të ndërtohet n/stacioni është pronë private dhe ndodhet pranë ish-fabrikës së qelqit në Yzberish, me sipërfaqe rreth 4000 m²

Paketa e studimit përfshin edhe impaktin social e mjedisor, në mënyrë që ndërtimi i nënstacionit mos ndikojë negativisht në ecurinë normale të jetës dhe punës së përditshme të komunitetit në zonën e Kombinatit.