OSHEE: Në Tetor 2015 humbjet 29.9%, arkëtimet 5.1 miliard lek
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) publikon të dhënat e treguesve të muajit Tetor dhe rezultatet progresive të 10-Mujorit të këtij viti. Kompania ka regjistruar tejkalim të planit sa i takon të ardhurave por edhe humbjeve fizike të parashikuara.
Niveli i arkëtimeve në total, si 10-mujor ka arritur në rreth 54.8 miliard lek ndërsa vetëm në muajin Tetor rezulton të jenë arkëtuar 5.1 miliard lek. Krahasuar me të njëjtën periudhë 10-Mujore të vitit 2014 arkëtimet janë rritur me 42% ndërsa krahasuar me vitin 2013 kjo diferencë shkon në 71% më shumë.
Vendosmëria për të rikthyer ligjshmërinë në konsumin e energjisë elektrike po sjell ulje të forta në nivelin e humbjeve fizike në rrjet. Në Tetor 2015, humbjet zbritën në nivelin 29.9%. Krahasuar me Tetorin 2014 kemi 4.6 % më pak humbje ndërsa krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2013 kemi 16.1% më pak humbje.
Humbjet në total si 10- Mujor, tekniket dhe jo tekniket, arritën në 31 %, nga 38.3 % që ishin në të njëjtën pjesë të vitit 2014-n, dhe 43.7% të regjistruara në 10- Mujorin e parë 2013.
Numri i lidhjeve të reja, ose i abonentëve që hyjnë rishtazi në sistem është një tjetër tregues që ka ecur pozitivisht. Konstatohet një rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014 dhe 33% më shumë se 10-Mujori i vitit 2013. Lidhjet e reja në Janar-Tetor 2015 shkojnë në 35624.