Back
24 Gusht

Mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, Karakaçi: Reformat në sektorin e energjisë po japin rezultate konkrete

Shqipëria ka përmbushur përpara afatit objektivin për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, ndërsa reformat në sektorin energjetik po vijojnë të japin rezultate konkrete.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se rezultatet janë arritur përmes një sërë reformash që synojnë modernizimin dhe qëndrueshmërinë e sektorit.

“Nga modernizimi i kuadrit ligjor dhe përafrimi me standardet e BE-së, te energjia e rinovueshme, ulja e varfërisë energjetike dhe komunitetet e energjisë, kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt një sektori më modern dhe më të qëndrueshëm. Mbi të gjitha, kemi arritur përpara afatit objektivin për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme.

Këto rezultate i hapin rrugën edhe disbursimit të 61 milionë eurove në kuadër të Growth Plan dhe Reform Agenda, duke mbështetur investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian. Puna jonë vijon me të njëjtin angazhim për një sektor energjetik më të fortë dhe një Shqipëri më pranë Bashkimit Evropian”, u shpreh ministri Karakaçi.

Prononcimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi

Përshëndetje!

Puna e përditshme, me profesionalizëm dhe angazhim, e stafeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po jep rezultate konkrete dhe sot dua të ndaj me ju disa nga arritjet më të rëndësishme që kemi realizuar në kuadër të reformave në sektorin e energjisë dhe procesit të integrimit evropian, duke filluar nga data 1 janar deri më 30 qershor 2026.

Gjatë kësaj periudhe kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor.

Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë.

Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.

Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik.

Po aq domethënës është edhe fakti që ne kishim detyrim për të instaluar 600 mega kapacitete deri më datë 30 qershor 2026, kapacitete të energjisë së rinovueshme. Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo dëshmon qartë se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme.

Përmbushja e këtyre masave nuk përbën vetëm një sukses në procesin e reformave, ajo sjell edhe përfitime të drejtpërdrejta për vendin. Miratimi i këtyre masave deri më 30 qershor 2026 i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Këto fonde do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

Sigurisht, disa masa janë ende në proces, por puna për përmbushjen e tyre vijon me të njëjtin angazhim dhe vendosmëri deri në realizimin e plotë të çdo detyrimi.

Në përfundim e ndjej të rëndësishme të falënderoj të gjithë strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucionet dhe ndërmarrjet në varësi, si dhe çdo profesionist që ka kontribuar në arritjen e këtyre rezultateve. Këto janë fryt i një pune të përbashkët, të mbështetur në profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.

Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm për të përmbushur çdo reformë dhe çdo angazhim, duke ndërtuar një sektor energjetik më modern, më të qëndrueshëm dhe duke e afruar çdo ditë e më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

Faleminderit!

31 Korrik

Nis ndërtimi i rrjetit 35kV Bogë-Koplik dhe nënstacionit të ri, Karakaçi: Së shpejti edhe në Theth

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, vijon investimet për fuqizimin e rrjetit në zonat turistike me qëllim rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

Në zonën e Alpeve Shqiptare po zbatohet projekti i cili parashikon ndërtimin e një linje të re ajrore 35 kV me gjatësi rreth 27 kilometra, si dhe ndërtimin e dy nënstacioneve të reja 35/6 kV në Dedaj dhe Bogë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me Administratorin e OSSH, Blendian Dalipi inspektuan në Bogë ecurinë e punimeve për ndërtimin e nënstacionit elektrik në këtë zonë.

Ky investim ka në fokus rritjen e kapaciteteve dhe sigurisë energjetike duke ofruar një shërbim sa më cilësor për të gjithë banorët dhe bizneset që operojnë në këtë zonë.

Të dy nënstacionet do të furnizojnë me energji rreth 5000 banorë të zonave Razëm, Bogë, Reç dhe Dedaj, të cilët ndër vite kanë pasur problematika sa i takon furnizimit me energji elektrike për shkak të amortizimit të rrjetit si dhe terrenit malor.

Administratori i OSSH, Blendian Dalipi, tha se ky është një nga tre investimet që ne po bëjmë në zonën e Alpeve.

“Në shtator, sapo ne ta kemi operacional nënstacionin e Bogës do të kemi hapësirën për të vazhduar me ndërlidhjen Bogë – Theth, një investim shumë i pritshëm nga banorët e Thethit që kanë vuajtur dhe vuajnë nga cilësia e furnizimit me energji elektrike”, tha Dalipi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi gjithashtu se investimi i radhës do të jetë në nënstacionin e Tamarës.

“Investimi i tretë përsëri që lidhet me zonën e Alpeve është nënstacioni i Tamarës, që edhe ajo përfshin disa zona turistike që përsëri për shkak të gjeografisë së tyre kemi patur edhe probleme me cilësinë e furnizimit, siç është Vermoshi apo Lepusha”, tha Karakaçi.

 Ngarkesa e lartë në rrjet, si dhe temperaturat e regjistruara, ku në kabina të caktuara arrijnë deri në 80 gradë celsius, kanë sjellë jo pak vështirësi në punën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Po pavarësisht situatës, grupet e punës ndodhen në gatishmëri për të garantuar ofrimin e shërbimit për të gjithë abonentët

08 Korrik

Plani i masave për sezonin turistik, OSSH angazhon në terren 1100 punonjës. Investimet në rrjet garanci për furnizim të pandërprerë me energji

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka hartuar një plan masash për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në të gjitha zonat turistike të vendit gjatë sezonit veror, duke kombinuar investimet në rrjet me një organizim të zgjeruar operacional në terren.

Përfaqësuesi i OSSH-së, Llambi Miti, gjatë një komunikimi me mediat, tha se OSSH ka  angazhuar 1.120 punonjës të organizuar në 136 grupe pune të pajisur me 86 automjete operacionale dhe me të gjitha mjetet e nevojshme të punës për të ndërhyrë në kohë reale në rast defektesh apo avarish në rrjet.

“OSSH kryen gjatë muajve mars, prill, maj dhe qershor kryhen të gjitha remontet e nënstacioneve dhe linjave që furnizojnë zonat turistike, jo vetëm ato bregdetare, por edhe zonat malore dhe destinacionet e tjera turistike.

Paralelisht me remontet është zbatuar edhe plani i investimeve, i fokusuar në përforcimin e rrjetit energjetik në zonat me ngarkesën më të lartë”, tha Miti.

Në Velipojë është vënë në funksion një nënstacion i ri me dy transformatorë me fuqi të instaluar 40 MW dhe pesë fidera dalës 20 kV, investim që rrit ndjeshëm sigurinë e furnizimit për një nga zonat më të frekuentuara turistike të veriut.

OSSH ka marrë masa shtesë edhe në Shëngjin, ku pas vendosjes vitin e kaluar të një transformatori 110 kV me tre fidera dalës, këtë vit është shtuar edhe një fider i katërt, për të përballuar rritjen e konsumit gjatë sezonit veror.

Në zonën e Durrësit dhe Golemit janë kryer investime të rëndësishme, veçanërisht në Spitallë, ku vitin e kaluar banorët dhe bizneset kishin raportuar probleme me nivelin e tensionit.

Për të eliminuar këtë problem është instaluar një transformator i ri 110/35/10 kV dhe janë zëvendësuar transformatorët e fuqisë në 50 kabina të dy fiderave që furnizojnë zonën, duke kaluar nga rrjeti 6 kV në atë 10 kV.

Ndërkohë, në Ksamil është shtuar një fider i ri 20 kV, investim që sipas OSSH-së rrit sigurinë dhe garancinë e furnizimit me energji elektrike për banorët dhe bizneset gjatë sezonit të ngarkuar turistik.

Kompania po vijon gjithashtu investimet strategjike në jug të vendit. Në proces ndërtimi janë nënstacioni i ri në Xarrë dhe nënstacioni 110 kV në Piqeras.

OSSH parashikon që ato të hyjnë në funksion gjatë vitit të ardhshëm, duke rritur më tej kapacitetet e rrjetit në zonat turistike të Rivierës.

Përveç këtyre investimeve, OSSH ka realizuar ndërhyrje në shumë rajone të vendit, për fuqizimin e nënstacioneve dhe modernizimin e infrastrukturës së tyre.

Të gjitha këto masa synojnë që qytetarët, bizneset dhe turistët të kenë një furnizim sa më të sigurt dhe cilësor me energji elektrike gjatë gjithë sezonit veror, duke minimizuar ndërprerjet dhe duke garantuar reagim të shpejtë në çdo situatë.

26 Qershor

Karakaçi inspekton punimet për nënstacionin e ri elektrik të Kamzës: Investimet në energji në funksion të ruajtjes së mjedisit

Në zonën e Valiasit, bashkia Kamëz, po punohet për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik. Nënstacioni i vjetër, i ndërtuar në vitin ’68 dhe me kapacitete të ulëta nuk i përgjigjet më kërkesës gjithmonë e në rritje të furnizimit me energji elektrike të zonës.

Projekti që po zbatohet, falë bashkëpunimit edhe me qeverinë gjermane, parashikon ndërtimin dhe vendosjen në punë të plotë të nënstacionit të ri elektrik, si dhe ndërtimin e dy fiderave të rinj 20 kV. Ky investim do të realizohet me teknologji moderne dhe kapacitete të mjaftueshme për të garantuar furnizim të sigurt dhe cilësor me energji elektrike për zonat e përfshira në rrjetin e ri 20 kV.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me administratorin e OSHEE, Mentor Hima, administratorin e OSSH, Blendian Dalipi dhe ambasadorin gjerman në Tiranë, Karl Bergner inspektuan ecurinë e punimeve ku deri më tani janë realizuar afro 40% e tyre.

“Këtu kemi kaluar në një nivel krejt tjetër, jemi në nivelin 110/20, që do të thotë më shumë kapacitete për të përballuar këtë fluks të jashtëzakonshëm që ka marrë gjithë kjo zonë si pasojë e zhvillimeve urbane. Aq më tepër që do të kalojmë dhe në një nivel tjetër që garanton dhe parametra teknikë të kënaqshëm të furnizimit me energji të të gjithë zonës. Nga ky nënstacion do të furnizohen afërsisht 5 mijë abonentë. Janë abonentë që përfshijnë zonën e Kamzës, Paskuqanit, Laknasit, Çekrezit”, u shpreh Dalipi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se ndërtimi i nënstacionit të ri elektrik në Kamzës është ndër projektet shumë të mira që OSHEE ka në bashkëpunim me qeverinë gjermane në sektorin energjetik. Ky bashkëpunim parashikon një sërë investimesh që nisin me dixhitalizimin e nënstacioneve dhe aplikimin e sistemit SCADA si dhe rehabilitimin e rreth 12 nënstacioneve.

“Ky është një projekt mjaft i rëndësishëm përsa i përket sektorit të shpërndarjes, dhe bashkëpunimi me qeverinë gjermane dhe me ambasadën gjermane ka qenë i shkëlqyer dhe që na ka çuar që tani të jemi në një fazë të avancuar për ndërtimin e këtij nënstacioni.

Një element shumë i rëndësishëm që doja të theksoja është edhe fakti që të gjitha investimet në sektorin elektroenergjetik në Shqipëri dhe Qeveria Shqiptare është kujdesur për këtë, kanë një impakt jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm përsa i përket edhe çështjeve mjedisore. Çdo nënstacion i ri që ne zhvillojmë është më shumë kapacitete për energji të rinovueshme”, deklaroi Karakaçi.

Nga ana e tij, edhe ambasadori Bergner vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me palën shqiptare për këto projekte të rëndësishme. Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik të Kazmës parashikohet të përfundojnë në mars të vitit të ardhshëm, disa muaj para afatit të kontratës.

09 Qershor

OSHEE Group, 52 mijë klientë zgjodhën t’i mernin shërbimet përmes sistemit online

Prej më shumë se një viti, OSHEE Group ofroi një strukturë inovative tek shërbimet online, ku përmes aplikacionit OSHEE mobile dhe faqes zyrtare në internet të kompanisë, abonentët mund të aplikojnë për kërkesë/ankesë, përditësim të të dhënave, vërtetim debie apo lidhje të re të energjisë.

Shërbimet online po përdoren çdo ditë e më shumë nga qytetarët dhe deri më sot janë mbi 52 mijë klientë përfitues, të cilët janë regjistruar në platformat tona të oshee.al dhe aplikacionin OsheeMobile.

Përmes aksesimit të shërbimit online nga telefoni dhe/ose kompjuteri, janë kryer afro 14 mijë pagesa energjie dhe 9 mijë kërkesa nga abonentët.

Shërbimet online ndihmojnë qytetarin të reduktojë kohën dhe të shmangë vizitat në sportelet e KNK-së duke menaxhuar shërbimet më lehtë, më shpejt dhe në kohë.

OSHEE group fton qytetarët të përfitojnë nga shërbimet online, si një zgjedhje smart drejt zgjidhjeve më eficiente për nevojat e klientëve.

Ata mund të vizitojnë faqen zyrtare në internet të kompanisë www.oshee.al ose të shkarkojnë aplikacionin OSHEE për të  përdorur shërbimet online kudo ku ndodhen.

30 Prill

NST i Golemit, Karakaçi-Dalipi: Dyfishim i kapaciteteve, përmirësohet furnizimin për zonat turistike të Malit të Robit dhe Qerretit

Furnizimi me energji elektrike në zonën bregdetare të Golemit, Malit të Robit dhe Qerretit pritet të përmirësohet ndjeshëm pas fuqizimit të nënstacionit të ri të Golemit.

Gjatë një inspektimi në terren, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i shoqëruar nga administratori i OSSH, Blendian Dalipi, bëri të ditur se investimi është pjesë e planit të masave për zonat turistike dhe bregdetare.

Sipas tij, me ndërhyrjen e kryer janë dyfishuar kapacitetet e nënstacionit, duke i dhënë një zgjidhje pothuajse përfundimtare rreth 50 mijë banorëve dhe bizneseve që furnizohen nga kjo pikë, përfshirë Malin e Robit, Golemin dhe Qerretin.

“Ne nuk jemi ndalur vetëm në këtë nënstacion, pasi OSSH ka një plan investimesh për 2026 për këtë zonë”, tha ministri Karakaçi.

Një tjetër fokus i investimeve është zona e Spillesë, e konsideruar ndër më problematiket në rrjetin e shpërndarjes. Sipas autoriteteve, faza e parë e investimit është përfunduar, ndërsa pritet vijimi me fazën e dytë për të përmirësuar më tej parametrat e furnizimit.

Ministri Karakaçi theksoi se këto investime ndikojnë jo vetëm në uljen e humbjeve në rrjet, por edhe në rritjen e standardeve të furnizimit për banorët dhe sektorin turistik.

Administratori i OSSH, Blendian Dalipi, sqaroi se fuqizimi është realizuar përmes vendosjes së një transformatori të dytë, duke e çuar kapacitetin nga 31.5 MVA në 63 MVA. Ai theksoi se ky nuk është investimi i vetëm në zonë, pasi parashikohen ndërhyrje të tjera për të përballuar zhvillimin e shpejtë urbanistik dhe kërkesat në rritje për energji.

“Kemi parashikuar të mbyllim edhe disa fidere që tashmë operojnë në rrjetin e brendshëm të Golemit në fidere unazore që përveç shtimit të kapaciteteve të garantojmë edhe fleksibilitet për të garantuar edhe sigurinë e furnizimit; ndërkohë kemi zhvilluar fazën e parë të projektit në zonën e Spilleut”, tha administratori i OSSH, Blendian Dalipi duke shtuar se ndërhyrjet në tensionin e mesëm po shoqërohen edhe me investime në rrjetin e tensionit të ulët, përmes vendosjes së kabllove ABC, që minimizojnë defektet dhe ndërprerjet.

Ndër projektet kryesore është edhe fuqizimi i nënstacionit të Porto Romanos, i cili do të dyfishojë kapacitetin nga 50 MVA në 100 MVA, si dhe rehabilitimi i rrjetit ekzistues në plazhin e Golemit, ku disa fidera aktualisht operojnë me tension 6 kV.

Këto linja do të kalojnë në 20 kV për të rritur sigurinë dhe cilësinë e furnizimit.

Sipas OSSH, krahas investimeve teknike, po punohet edhe për balancimin e ngarkesave në bashkëpunim me OST, si dhe për rritjen e kapaciteteve njerëzore në terren, në funksion të përballimit të fluksit gjatë sezonit turistik.

01 Prill

BERZH financon ndërtimin e nënstacionit elektrik nëntokësor në Tiranë, Hima: Forcojmë infrastrukturën energjetike

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka nënshkruar një hua sovrane prej 22.5 milionë euro me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE GROUP, për të financuar ndërtimin e një nënstacioni të ri nëntokësor 110/20 kV në qendër të Tiranës.

Administratori i OSHEE Group, Mentor Hima, e cilësoi marrëveshjen e financimit shumë të rëndësishme pasi do të ndihmojë për forcimin e infrastrukturës energjetike të kryeqytetit.

“Kjo marrëveshje do të mbështesë investimin për ndërtimin e nënstacionit 110/20kV në qendër të Tiranës dhe është një ndërhyrje strategjike për forcimin e infrastrukturës energjetike të kryeqytetit dhe për përballimin e rritjes së vzhdueshme të kërkesës për energji.

Projekti adreson drejtpërdrejt nevojën për rritjen e kapaciteteve në një nga zonat me densitetin më të lartë të konsumit, duke përmirësuar ndjeshëm besueshmërinë e furnizimit, stabilitetin e rrjetit dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe bizneset.

Në të njëjtën kohë, ai kontribuon në uljen e humbjeve teknike dhe optimizimin e menaxhimit të ngarkesës në sistem.
Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të modernizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe rritjes së sigurisë energjetike, duke krijuar kapacitete të reja për zhvillimet urbane dhe ekonomike të Tiranës.
Njëkohësisht, ky projekt është në përputhje me qasjen e Europian Bank for Reconstruction and Development në kuadër të programit “Green Cities”, pasi përbën një investim kyç në infrastrukturën që mundëson zhvillimin e qëndrueshëm urban.

Duke rritur eficencën e rrjetit dhe duke mbështetur elektrifikimin e mëtejshëm të qytetit, ai kontribuon ne objektivat për një Tiranë më të pastër, më moderne dhe më të qëndrueshme.”, u shpreh administratori i OSHEE GROUP, Mentor Hima.

Drejtoresha e BERZH-it në Tiranë, Ekaterina Solovova, deklaroi se investimi do të përforcojë sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike të Tiranës në kuadër të rritjes së kërkesës dhe zgjerimit të zhvillimit urban.
“Duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës moderne dhe të qëndrueshme të energjisë elektrike, ne po mbështesim Shqipërinë në rritjen e sigurisë së saj energjitike dhe zhvillimin e urbanistikës së gjelbër”, u shpreh drejtoresha e BERZH në Tiranë.

Investimi do të ndihmojë në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike të kryeqytetit, në mbështetje të zbatimit të Planit të Masave për Qytetin e Gjelbër të Tiranës (GCAP), në kuadër të programit të BERZH-it për Qytetet e Gjelbra.

Financimi zëvendëson 14.5 milionë euro të alokuara më herët në kuadër të një huaje të mëparshme të BERZH-it dhe siguron 8 milionë euro shtesë.

Fondet do të përdoren për të përmirësuar stabilitetin e rrjetit në një zonë urbane në rritje të shpejtë dhe për të ndihmuar në reduktimin e humbjeve teknike, duke kontribuar në një tranzicion më të gjerë në sektorin energjitik në Shqipëri.

BERZH ka investuar në Shqipëri që nga viti 1991, me më shumë se 2.4 miliardë euro të angazhuara përmes 180 projekteve në energji, infrastrukturë, institucione financiare dhe sektorin privat.

30 Mars

Prezantohet administratori i OSHEE Group, Mentor Hima

Mentor Hima është emëruar administratori i ri i OSHEE Group, duke zëvendësuar në këtë detyrë Enea Karakaçin, pas emërimit të tij në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ceremonia e prezantimit u zhvillua në ambientet e OSHEE, në prani të zv.ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Erlind Sulo, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Besjan Kadiu.

Në fjalën e tij, administratori i ri, Mentor Hima, shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe vlerësoi rolin kyç të OSHEE GROUP në sektorin energjetik shqiptar.

“Kompania OSHEE është një hallkë kryesore e sektorit energjetik, çka e bën përgjegjësinë dhe detyrën shumë të madhe. Objektivat tona do të vijojnë të mbeten ulja e humbjeve në rrjet, rritja e arkëtimeve dhe garantimi i qëndrueshmërisë financiare të kompanisë, si bazë për rritjen e investimeve në rrjet,” u shpreh Hima.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të të gjitha strukturave për arritjen e objektivave dhe për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit ndaj qytetarëve.
Zv/ministri Erlind Sulo u shpreh ndër të tjera se, ky është një moment i rëndësishëm për institucionin, duke vlerësuar punën dhe arritjet e deritanishme të stafit të OSHEE, të cilat kanë kontribuar në forcimin e sektorit energjetik dhe në avancimin e drejtimit institucional

Ndërsa sekretari i Përgjithshëm, Besjan Kadiu, theksoi rëndësinë e vazhdimësisë në drejtimin e një shoqërie strategjike si OSHEE, duke nënvizuar se emërimi i Mentor Himës garanton vijimin e politikave dhe strategjive të ndërtuara ndër vite.

05 Mars

Nis zbatimi i skemave të reja për pagesë me këste të debive, kategoritë përfituese nga reduktimi i kamatës deri në 100%

Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka nisur zbatimin e skemave të reja lehtësuese për shlyerjen me këste të detyrimeve nga faturat e energjisë elektrike, të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.

Skema e pagesës me këste prek të gjitha kategoritë e klientëve të FSHU, duke patur në fokus të veçantë kategoritë në nevojë, të cilëve u jepet mundësia të lidhin aktmarrëveshje edhe për detyrimet e krijuara në 2025-n.

Kush janë përfituesit?

Aktmarrëveshjet përfshijnë: klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund t’i shlyejnë detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2025, duke nisur nga 1,200 lekë çdo muaj, me kusht të mos kenë detyrime të reja të pashlyera për vitin 2026.

Klientët e tjerë familjarë do të paguajnë këste fikse mujore që nisin nga 2,800 lekë për faturat e prapambetura deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që të mos kenë krijuar debi të reja për periudhën 2025–2026.

Për të ruajtur një standard të përballueshëm aq sa dhe të drejtë, numri maksimal i kësteve do të jetë jo më shumë se 240 këste.

Në çdo rast klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst pagese, me vlerë më të lartë se vlera minimale, duke iu përmbajtur kushtit prej maksimumi 240 këstesh.

Për kategoritë buxhetore dhe jo-buxhetore, skema e akt-marrëveshjeve parashikon përfshirjen e të gjithë detyrimit në marrëveshje, me numrin e kësteve të përcaktuar sipas vlerës së debisë për faturat e prapambetura deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që të mos kenë krijuar debi të reja për periudhën 2025–2026.

Numri i kësteve           Vlera e detyrimit

24 këste           100,000 – 500,000 lekë

48 këste           500,001 – 1,000,000 lekë

60 këste           1,000,001 – 5,000,000 lekë

84 këste           5,000,001 – 10,000,000 lekë

120 këste         mbi 10,000,000 lekë

Skema “speciale”

OSHEE GROUP ka miratuar dhe një skemë të veçantë për  faturat korrektive, faturat përmbledhëse dhe sistemuese, rastet e demontimit apo testimit të matësit, energji të akumuluar në mates.

Këto mund të likuidohen me deri në 24 këste. Nëse debia e akumuluar paguhet me një këst, përfitohet ulje e kamatvonesës.

Reduktimi i kamatëvonesave

OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm:

•           Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës.

•           Klientët jofamiljarë (buxhetorë dhe jobuxhetorë), përfitojnë reduktim në masën 50%.

•           Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.

Kushtet për Pjesëmarrje në Skemat Lehtësuese dhe Rregullat e Zbatimit

Për të përfituar nga skemat lehtësuese të miratuara nga OSHEE Group, klientët debitorë duhet t’i kenë shlyer detyrimet e vitit 2025 dhe në vijim, përpara nënshkrimit të marrëveshjes për detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2024.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e këstit të parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe më pas të vijojë me pagesa mujore të rregullta deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.

Këto masa përfaqësojnë një shprehje konkrete të angazhimit social të OSHEE Group për të mbështetur qytetarët në përballimin e vështirësive financiare dhe për të krijuar një marrëdhënie më të drejtë dhe të qëndrueshme me klientët.

Njëkohësisht, përmes zbatimit të këtyre skemave, synohet të forcohet edhe qëndrueshmëria financiare e kompanisë, si një parakusht për ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe cilësore në të ardhmen.

19 Shkurt

OSHEE Group më pranë qytetarit – shërbim i ri online për raportimin e rreziqeve nga rrjeti elektrik

Për të forcuar komunikimin me qytetarët dhe për të përmirësuar shërbimet e saj, OSHEE Group ofron një shërbim të ri digjital për raportimin dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të problematikave që lidhen me rreziqet nga rrjeti elektrik.

Prej disa ditësh, platforma e re online është aktive dhe e përdorshme për qytetarët. Përmes saj, ata mund të raportojnë raste që rrezikojnë sigurinë e komunitetit pranë zonave të tyre të banimit, si: kabina elektrike të dëmtuara ose të hapura, shtylla të amortizuara, tela të ekspozuar apo çdo element tjetër që mund të përbëjë rrezik për sigurinë publike.

Projekti pilot po zbatohet fillimisht në Tiranë. Duke skanuar kodin QR të vendosur në boksin elektrik të çdo pallati, qytetarët mund të raportojnë problematikën drejtpërdrejt në platformën e re, duke plotësuar formularin në seksionin “Raporto rrezik energjie”, në adresën:
https://oshee.al/raporto-rrezik-energjie/

Raportimet mund të bëhen gjithashtu edhe përmes faqes zyrtare të OSHEE Group:
www.oshee.al

Risia e këtij shërbimi qëndron te transparenca dhe komunikimi i vazhdueshëm me qytetarin. Për çdo raportim, qytetarët informohen mbi statusin e ankesës, që nga momenti i pranimit, faza e shqyrtimit dhe deri në përfundimin e ndërhyrjes nga ekipet e OSSH-së në terren.

Pas marrjes së njoftimit, ekipet e OSSH-së, pjesë e OSHEE Group, ndërhyjnë për verifikimin dhe zgjidhjen përfundimtare të problematikës.

Ky shërbim është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të shërbimit të OSHEE Group ndaj qytetarëve