OSHEE: Normalizohet brenda 48 orëve situata në zonën e Librazhdit

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton se po vazhdon puna intensive në terren për rikthimin e plotë të energjisë në zonat e thella juglindore duke riparuar defektet e shkaktuara nga kushtet e përkeqësuara atmosferike të ditëve të fundit.
150 punonjës të OSHEE-së, të organizuar në 22 grupe kanë punuar në terren duke mundësuar ditën e sotme rikthimin e energjisë elektrike edhe për 310 abonentë të tjerë, pas zëvendësimit të dy transformatorëve që ishin djegur.
Po gjatë ditës së sotme, po ndërhyhet në riparimin e magjistraleve të linjave 10kV të F1-Renjë, F3 –Zgosht-Fushë Stude dhe F-6, çka do të bëjë të mundur rikthimin e furnizimit normal me energji elektrike ditën e nesërme për 1000 abonentë të tjerë.
Në kushtet e rrugëve të zena nga bora dhe ngricat të cilat përbëjnë vështirësi për të shkuar në kabinat dhe linjat me difekt, kompania OSHEE ka angazhuar 1 buldozer dhe 4 fadroma të mëdha. Këto mjete janë  angazhuar për hapjen e 43 km rrugë çka do të krijojë mundësinë për të shkuar mjetet e punës për eleminimin e difekteve në 25 km linjë 10kV.
Strukturat e OSHEE-së në zonën e Librazhdit informojnë se pas ndërhyrjeve që do të kryhen, brenda 48 orësh pritet të rikthehet energjia edhe për 2200 abonentë të këtyre zonave.
OSHEE gjen rastin të falënderojë drejtuesit dhe banorët e komunave Qendër, Stebleve dhe Stravaj që kanë punuar në mbështetje të punojësve të kompanisë për eleminimin e këtyre defekteve