OSHEE shton sportelet për pagesat dhe shërbimin ndaj klientit
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), në kuadër të vendosjes së ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike në vend dhe sensibilizimit të klientëve tariforë për pagesën e faturës së energjisë elektrike, përveç aplikimit të skemave lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura me këste, ka marrë masa të vazhdueshme për të përballuar fluksin në sportelet e Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit (KNK).
Duke qenë se afati final për aplikimin e skemave lehtësuese është 28 Shkurti, numri i qytetarëve pranë sporteleve të OSHEE-së në Tiranë dhe rrethe ka ardhur në rritje. Për të përballuar këtë fluks, kompania ka hapur qendra të reja për pagesat e faturave dhe shërbimin ndaj klientit.
Deri më tani, OSHEE ka shtuar 28 qendra të reja të Kujdesit ndaj Klientit në të gjithë territorin. Në Tiranë, ku edhe fluksi është i lartë, janë hapur 8 KNK të reja, duke e çuar numrin në total për këtë rajon në 21 qendra.