Protesta e banorëve të Rragamit, OSHEE apel për shlyerjen e debive

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE sqaron se nisur nga lajmi i dhënë në media për protestën e banorëve në fshatin Rragam të Shkodrës, në këtë fshat rezultojnë debitorë 32 abonentë.

Nga këta abonentë, vetëm 5 prej tyre kanë lidhur Akt marrëveshje me OSHEE, ndërsa 27 të tjerë nuk kanë paguar dhe as nuk kanë hyrë në aktmarrëveshje me kompaninë.

Në total, debia që 27 abonentë në fshatin Rragam kanë ndaj kompanisë OSHEE, është 8.434 157 lekë.

Nisur nga kjo situatë, grupet e punës së OSHEE, dega rajonale Shkodër kanë ndërprerë energjinë për debitorët që nuk kanë paguar detyrimet e tyre.

Theksojmë se nuk ka pasur stakim të energjisë dhe as ndërprerje kolektive të energjisë elektrike.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i bën thirrje këtyre banorëve debitorë që të hyjnë në aktmarreveshje me kompaninë për të përfituar nga skema lehtësuese e shlyerjes së detyrimeve, duke u kujtuar se afati i fundit është data 28 shkurt.

Në lidhje me keqfaturimet, ftojmë abonentët që të paraqesin në zyrat e kujdesit ndaj klientit ankesë-kërkesat e tyre përsa i takon pretendimeve të tyre.