Matësat inteligjentë, MEI: Projekt pilot me kosto zero për shtetin shqiptar

Pas akuzave të PD për projektin madhor të matësave inteligjentë që pritet të instalohen tek 10 mijë abonentë në Tiranë e Durrës, ka reaguar dhe ministria e Energjisë e cila në një deklaratë për mediat ka sqaruar qytetarët se projekti i matësave inteligjentë është një projekt pilot me kosto zero për shtetin shqiptar.

“Një projekt pilot që sjell në Shqipëri gjigandin e teknologjisë gjermane, DeutscheTelekom. Një projekt, pilot, që nëse do të funksionojë, do shënojë modernizimin më të madh e më të efektshëm në fushën e energjisë dhe teknologjisë, që do e rendiste Shqipërinë krahas vendeve më të zhvilluara e me eficencë më të lartë energjetike”, thuhet në deklaratën e MEI.

 

Më poshtë deklarata e plotë

Partia Demokratike është kundër çdo gjëje. Mjafton që qeveria të prezantojë një nismë dhe PD është kundër. Për opozitën nuk ka rëndësi nëse idetë e qeverisë sjellin modernizim, siguri, efikasitet, nëse ato janë risi që ndodhin në çdo vend tjetër të zhvilluar. Të gjitha janë të parëndësishme për Partinë Demokratike. Për ta ka vetëm një gjë rëndësi: Nëse një ide propozohet nga qeveria, duhet kundërshtuar. Me çdo kusht. Me çdo mënyrë.

Nihilistët e PD sot dolën kundër matësve inteligjentë të energjisë. Edhe pse një projekt pilot që tenton të ulë faturën e energjisë për qytetarët, sigurisht nihilistët e PD thonë të kundërtën. Shpifin për çmimin, shpifin për efektet anësore, shpifin për çdo gjë.

Ministria e Energjisë sqaron qytetarët se matësit inteligjentë janë një projekt pilot me kosto zero për shtetin shqiptar. Një projekt pilot që sjell në Shqipëri gjigandin e teknologjisë gjermane, DeutscheTelekom. Një projekt, pilot, që nëse do të funksionojë, do shënojë modernizimin më të madh e më të efektshëm në fushën e energjisë dhe teknologjisë, që do e rendiste Shqipërinë krahas vendeve më të zhvilluara e me eficencë më të lartë energjetike.