
Aplikimi i çmimit të ri të energjisë, Balluku me drejtuesit e OSHEE Group: Garantojmë proces korrekt të leximit të matësit
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Belinda Balluku e shoqëruar nga administratori i OSHEE GROUP, z.Enea Karakaçi dhe administratori i OSSH, z.Blendian Dalipi, ndoqën nga afër procesin e leximit të konsumit në matësat e energjisë elektrike, te një bllok pallatesh në Tiranë.
Sipas vendimit të ERE, më datë 1 shkurt ka nisur zbatimi i aplikimit për tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Çmimi i ri bazohet në dy kategori konsumi:
- 8,5 lekë për kilovat për abonentët që konsumojnë deri në 700 kilovatorë
- 9,5 lekë për të gjithë ata që e kalojnë fashën e konsumit
Administratori i OSHEE Group Enea Karakaçi tha se procesi i leximit të matësit konsiderohet mjaft i rëndësishëm, prandaj dhe OSHEE Group ka ndërmarrë një sërë masash me qëllim për të garantuar një faturim sa më korrekt dhe në kohë për çdo abonent.
“Kemi nxjerrë një urdhër të posaçëm ku kemi referuar të gjitha dinamikat e procesit të leximit, datat përkatëse kur fillon dhe mbaron, në mënyrë që periudha e konsumit të jetë 30 ditë.
Çdo konsum mbi 700 kilovat do t’i regjistrohen të dhënat në sistemin e faturimit, bazuar edhe mbi foto nga çasti i leximit, për të qenë sa më të saktë dhe transparentë me klientët për çdo ankesë që mund të kenë”, nënvizoi administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi.
Administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendian Dalipi theksoi rëndësinë e transparencës për lexim të sigurt të konsumit të energjisë.
“Nga ky muaj e në vazhdim janë shtuar filtrat për leximin e faturimit. Që do të thotë, në rast se një fotografim i aparatit matës nuk është i qartë nga operatorët në sistem ky lexim nuk kalon për faturim, por i kërkohet edhe një herë lexuesit të rikthehet dhe ta riverifikojë. Fotot që dërgohen në sistem, bashkë me gjeolocation, duhet të jenë 100% të sigurta që të konfirmojmë që leximi i matësit korrespondon me leximin e sistemit”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Belinda Balluku tha se muaji shkurt, është muaji i parë që aplikohet çmimi sipas kategorisë së konsumit, duke vënë theksin tek rëndësia e procesit të leximit me qëllim që ai të jetë sa më i drejtë.
“Arsyeja pse ne vendosëm që të aplikonim një çmim më të ulët sipas kategorive të konsumit, 8,5 lekë për konsumin nga 0 deri në 700 kilovat-orë është sepse kërkojmë që të sensibilizojmë të gjithë popullatën, të gjithë familjarët të cilët përfitojnë nga kjo paketë mbi 1 milion abonentë, që energjia është një mall shumë i rëndësishëm, i cili edhe duhet kursyer.
Patjetër përdorimi i tij është i domosdoshëm në jetën e përditshme, por kursimi është akoma më i rëndësishëm për shkak edhe të të gjitha kushteve që ne kemi, hidrocentraleve, varësisë nga moti”, nënvizoi Balluku.
Ky është muaji i parë që ne do të aplikojmë çmimin, por nga ana tjetër e gjithë procedura është e dizenjuar nga fillimi deri në fund që të jetë transparente.
Nga ulja e çmimit të energjisë me gati 10,5% përfitojnë afro 1 milion abonentë familjarë në të gjithë vendin.
Në të gjithë vendin OSSH numëron 870 punonjës me detyrën e lexuesit të matësit të energjisë. Në janar të këtij viti OSHEE shpalli 120 vende vakante në këtë pozicion, ku afati i aplikimit ishte data 5 shkurt. Në këtë thirrje, pranë kompanisë janë paraqitur 542 aplikime.