Back
14 Tetor

Firmoset kontrata për ndërtimin NST të ri nëntokësor në qendër të Tiranës. Investimi strategjik, i pari në Shqipëri dhe rajon

Administratori i OSHEE Group, z.Mentor Hima ka firmosur kontratën e zbatimit për ndërtimin e NST të ri Qendër, i cili financohet përmes një kredie nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH).

Kontrata për zbatimin e projektit është nënshkruar me përfaqësuesin e firmës kroate Dalekovod, duke i hapur rrugë realizimit të një investimi strategjik për modernizimin e infrastrukturës energjetike në kryeqytet.

Ky hap finalizon të gjithë kuadrin e marrëveshjes së kredisë së nënshkruar më 27 Mars 2026, dhe e bërë efektive më 25 shtator të këtij viti.

Kontrata me vlerë rreth 20 milionë euro do të zbatohet brenda një afati prej 22 muajsh nga nisja e punimeve. Nga ky investim do të përfitojnë mbi 40 mijë abonentë  që furnizohen prej NST të ri Qendër.

Nënstacioni Qendër do të ndërtohet me një kapacitet të instaluar prej 200 MVA, me 3 kate nëntokë dhe sipas projektit, do të jetë i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Ai do të përfshijë 4 transformatorë me kapacitet 50 MVA secili, tre linja kabllore 110 kV dhe 24 fidera dalës 20 kV.

Ky projekt synon modernizimin e infrastrukturës energjetike, rritjen e kapaciteteve të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit, si dhe rritjen e eficiencës dhe besueshmërisë së rrjetit.

Gjithashtu, projekti pritet të kontribuojë në reduktimin e humbjeve teknike dhe të emetimeve të CO₂, duke mbështetur zhvillimin e një infrastrukture energjetike më moderne dhe të qëndrueshme.

Nëpërmjet këtij projekti, OSHEE Group Sh.A, synon t’i përgjigjet më mirë nevojave në rritje për energji elektrike në Tiranë, të forcojë qëndrueshmërinë e rrjetit të shpërndarjes dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.

06 Tetor

34 mijë klientë përdorin aplikacionin e OSHEE mobile

Prej 2 vitesh, OSHEE Group ofron shërbimet online për lehtësimin e veprimeve të klientëve tanë përmes aplikacionit të OSHEE mobile dhe webit zyrtar të kompanisë.

Mbi 90 mijë klientë të kompanisë OSHEE, janë përdorues të platformave inovative, ku  34 mijë prej tyre kanë përdorur aplikacionin e OSHEE duke e shkarkuar direkt nga telefoni, ndërsa mbi 63 mijë të tjerë kanë përdorur ëebin zyrtar të kompanisë.

Në platformat innovative të OSHEE Group, klientët tanë mund të paraqesin kërkesa dhe ankesa, të përditësojnë të dhënat, të marrin vërtetime të debisë, të aplikojnë për lidhje të re të energjisë, si dhe të ndjekin në kohë reale statusin e kërkesave të tyre.

Aplikacioni i OSHEE u mundëson përdoruesve të regjistrohen dhe të krijojnë llogarinë e tyre online, të kontrollojnë konsumin dhe faturat mujore, si dhe të kryejnë pagesat e faturave pa komision.

Nëpërmjet aplikacionit mund të paraqitet gjithashtu një kërkesë apo ankesë dhe të ndiqet ecuria e saj deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare.

Një tjetër funksionalitet është mundësia për të raportuar raste abuzimi, të shoqëruara me fotografi dhe të dhëna konkrete.

Klientët mund të kontrollojnë edhe detyrimet e tyre ndaj kompanisë dhe të vërtetojnë gjendjen e debisë, duke pasur një pasqyrë më të qartë të pagesave.

Në rastet kur një klient dyshon për keqfaturim, ankesa mund të përcillet online, qoftë përmes faqes web apo aplikacionit. Pas regjistrimit të kërkesës, klienti pajiset me një kod, i cili i mundëson të ndjekë statusin e saj deri në përfundimin e procesit.

05 Tetor

Intervista/ Hima: Nga rimëkëmbja te transformimi, OSHEE po ndërton rrjetin e sistemit të ri energjetik

OSHEE Group po hyn në një fazë të re, ku pas konsolidimit financiar dhe uljes së humbjeve, prioriteti po zhvendoset te modernizimi i rrjetit të shpërndarjes dhe rritja e kapaciteteve për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për energji.

Pas një dekade të fokusuar në përmirësimin e performancës financiare, kompania e mbylli vitin 2025 me një fitim paraprak të konsoliduar prej rreth 86 milionë eurosh, ndërsa rezultatet e shtatë muajve të parë të vitit 2026 vijojnë të jenë mbi plan.

Kjo situatë i ka krijuar OSHEE-së hapësirë për të nisur një cikël të ri investimesh në nënstacione, linja dhe automatizimin e rrjetit, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare, ku rritja e konsumit dhe zhvillimi ekonomik po ushtrojnë presion të shtuar mbi infrastrukturën ekzistuese.

Në të njëjtën kohë, kompania po përshpejton transformimin teknologjik përmes zgjerimit të sistemeve SCADA, matjes inteligjente dhe përdorimit të të dhënave në kohë reale, me synimin për ta kthyer rrjetin e shpërndarjes në një smart grid më të automatizuar, të sigurt dhe fleksibël.

Në intervistën për “Monitor”, Administratori i OSHEE Group, Mentor Hima, flet për rezultatet financiare, programin e investimeve, sfidat e rritjes së konsumit dhe transformimin teknologjik të kompanisë, si dhe për mënyrën se si OSHEE synon të ndërtojë një rrjet të përshtatur me kërkesat e reja të sistemit energjetik.

Si do ta vlerësonit ecurinë e OSHEE Group në vitin 2025 dhe në kohën e deritanishme të vitit 2026? Cilët janë faktorët kryesorë, që kanë ndikuar në performancën financiare dhe operative të Grupit?

Rezultatet e reformës së nisur rreth një dekadë më parë po konsolidohen gjithnjë e më shumë, duke forcuar pozicionin financiar dhe operacional të OSHEE Group.

Dy nga shtyllat kryesore të kësaj performance kanë qenë reduktimi i humbjeve në rrjet dhe përmirësimi i arkëtimeve, të shoqëruara nga një disiplinim më i madh financiar dhe kontrolli më i kujdesshëm i shpenzimeve.

Në vitin 2025, rezultati financiar paraprak i konsoliduar i OSHEE Group ishte fitimi prej rreth 86 milionë eurosh, rreth 19 milionë euro mbi planin e rishikuar. Në këtë rezultat ndikuan ruajtja e nivelit të lartë të arkëtimeve, reduktimi i humbjeve, rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë, si dhe ulja e shpenzimeve të energjisë dhe e provigjioneve.

Ecuria pozitive ka vijuar edhe në vitin 2026. Për periudhën janar–korrik, OSHEE Group realizoi një fitim të konsoliduar prej rreth 5.7 miliardë lekësh, rreth 1.2 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar. Të ardhurat e konsoliduara ishin rreth 370 milionë lekë mbi plan, ndërsa shpenzimet operative rreth 477 milionë lekë më të ulëta.

Edhe niveli i humbjeve në rrjet rezultoi më i mirë se plani.

Një element i rëndësishëm është fakti, se përmirësimi nuk është vetëm financiar. Ai po përkthehet në rritje të cilësisë së furnizimit, në investime më të mëdha në rrjet dhe në përmirësimin gradual të marrëdhënies me klientin.

Pra, ajo që kemi sot është një OSHEE më e konsoliduar financiarisht, por që po e përdor këtë përmirësim për të kaluar në një fazë të re: nga stabilizimi dhe rimëkëmbja drejt modernizimit dhe transformimit të rrjetit.

Në çfarë niveli ndodhen humbjet në rrjet dhe arkëtimet dhe sa hapësirë ka ende për përmirësim të mëtejshëm të këtyre treguesve?

Ecurinë e humbjeve do ta konsideroja një nga rezultatet më të rëndësishme të transformimit të OSHEE-së gjatë dekadës së fundit.

Por objektivi nuk është vetëm të kemi përmirësim të vazhdueshëm të treguesit; synimi është që humbjet të afrohen gradualisht me nivelet e vendeve të rajonit dhe më pas me standardet europiane.

Megjithëse për periudhën janar-gusht 2026, kemi një rritje me 10.1% të energjisë elektrike të injektuar në rrjetin e shpërndarjes ose rreth 550.000 megavat më shumë se viti 2025, humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vlerë relative kanë një ulje me 1.03%. ky tregues është në projeksionin e objektivit vjetor të 2026, me ulje të humbjeve me 1% më pak se viti 2025 ose 15.9% humbje në total.

Në të njëjtën periudhë, edhe performanca financiare e FSHU-së ishte më e suksesshme se parashikimi. Kjo merr rëndësi të veçantë, sepse performanca duhet të vlerësohet jo vetëm në raport me vitin e kaluar, por edhe kundrejt objektivave të vendosura.

Hapësira për përmirësim ekziston ende dhe ajo nuk lidhet vetëm me investimet fizike në rrjet. Në fazën e ardhshme do të kenë gjithnjë e më shumë rëndësi matja inteligjente, monitorimi në kohë reale, analizimi i të dhënave dhe automatizimi i proceseve.

Kjo do të na mundësojë të identifikojmë më shpejt humbjet, të reagojmë më mirë ndaj problematikave dhe të rrisim eficiencën e operimit.

Në këtë kuptim, humbjet dhe arkëtimet mbeten jo thjesht tregues financiarë, por indikatorë të drejtpërdrejtë të eficiencës së gjithë kompanisë.

Rritja e turizmit, ndërtimeve të reja dhe aktivitetit ekonomik po shton kërkesën për energji, veçanërisht në Tiranë dhe zonat bregdetare. A po ecën kapaciteti i rrjetit me të njëjtin ritëm me këtë rritje dhe cilat janë sot zonat ku nevojiten investimet më të mëdha?

Zhvillimi ekonomik, urban dhe turistik i vendit po krijon një kërkesë të re për infrastrukturën energjetike. Për OSHEE-në, sfida nuk është vetëm të furnizojë konsumin aktual, por të parashikojë se ku do të jetë kërkesa pas disa vitesh dhe të ndërtojë kapacitetin përpara se ajo të bëhet kufizim për zhvillimin.

Kjo është veçanërisht e dukshme në Tiranë dhe në zonat bregdetare, ku rritja e ndërtimeve, aktivitetit ekonomik dhe turizmit ka sjellë ngarkesa të reja. Në gusht, kërkesa për energji shënoi një tjetër rritje të konsiderueshme, rreth 22% në raport me gusht 2025.

Për këtë arsye, portofoli i investimeve të OSSH-së po orientohet drejt tre objektivave: rritjes së kapaciteteve, përmirësimit të sigurisë së furnizimit dhe përshtatjes së rrjetit me zhvillimin ekonomik të territorit.

Në këtë kuadër, janë përfunduar apo janë në zhvillim projekte të rëndësishme në Velipojë, Lezhë, Kuçovë, Pogradec dhe Tiranë, ndërsa në jug, investimet përfshijnë Akërnin, Piqerasin, Xarrën, Orikumin, Himarën, Sarandën dhe Ksamilin.

Në veri, linja 35 kV Koplik–Bogë dhe vijimi drejt Thethit do të krijojnë kapacitete të reja për zonat e Razmës, Bogës dhe Thethit.

Në total, janë 9 nënstacione pjesë e një investimi të rëndësishëm për modernizimin dhe automatizimin e operimit të rrjetit.

Këto investime nuk duhen parë si projekte të izoluara. Ato janë pjesë e një arkitekture më të gjerë, ku nënstacionet, linjat e tensionit të mesëm, kabinat dhe sistemet e kontrollit ndërveprojnë për të krijuar një rrjet më të sigurt dhe më fleksibël.

Pikërisht ky është ndryshimi që duam të sjellim në fazën e ardhshme: investimi nuk do të matet vetëm me kilometrat e rrjetit apo me numrin e nënstacioneve të ndërtuara, por me rezultatin që ai prodhon për sigurinë, kapacitetin dhe cilësinë e furnizimit.

Sa kanë avancuar investimet në modernizimin e rrjetit, veçanërisht në nënstacione, sistemet SCADA, matjen inteligjente dhe automatizimin? Cilat janë objektivat e OSHEE-së për digjitalizimin e mëtejshëm të rrjetit?

OSHEE Group ka hyrë tashmë në një fazë konkrete të transformimit të rrjetit drejt modelit smart grid. Një nga komponentët kryesorë është lidhja online e 9 nënstacioneve me Dispeçerinë Qendrore, duke mundësuar monitorimin dhe operimin në kohë reale.

Përmes SCADA-s, OSSH do të ketë mundësi të monitorojë më mirë gjendjen e rrjetit, të kryejë manovrime në distancë dhe të reagojë më shpejt ndaj avarive. Në fazat e mëtejshme, synimi është që ky operim online të shtrihet gradualisht në të gjitha nënstacionet.

Një tjetër komponent strategjik është matja inteligjente. Aktualisht janë instaluar rreth 8 mijë matës smart dhe është lidhur kontrata për vendosjen e 14 mijë pajisjeve të tjera inteligjente, me fondet tona.

Gjithashtu, po punohet me partnerë ndërkombëtarë për sigurimin e rreth 300 mijë matësve të tjerë. Procesi do të shtrihet gradualisht nga nënstacionet te kabinat dhe më pas te klientët.

Por vizioni ynë për digjitalizimin është më i gjerë se instalimi i pajisjeve. Synimi është që të krijojmë një rrjet të drejtuar nga të dhënat, ku informacioni në kohë reale të përdoret për vendimmarrje, mirëmbajtje parandaluese, reduktim humbjesh dhe përmirësim të cilësisë së furnizimit.

Transformimi është edhe në marrëdhënien me klientin. Shërbimet online, aplikacioni OSHEE Mobile, pagesat elektronike, aplikimet për lidhje të reja dhe verifikimi i detyrimeve janë pjesë e të njëjtit proces.

Pra, objektivi është që OSHEE të kalojë gradualisht nga një operator që reagon ndaj problematikave të rrjetit, në një operator që i parashikon dhe i menaxhon ato në mënyrë inteligjente.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e reja të sektorit energjetik, ku fleksibiliteti, reagimi ndaj kërkesës, integrimi i burimeve të reja dhe menaxhimi i të dhënave do të marrin një rol gjithnjë e më të madh.

Tashmë liberalizimi u finalizua me fazën e fundit në fillim të këtij viti. Çfarë përfaqëson kjo reformë, e shtrirë në disa vite, dhe çfarë ka treguar dalja graduale e bizneseve në tregun e lirë për nivelin e konkurrencës dhe funksionimin e tregut?

Përmbyllja e liberalizimit të konsumatorëve jofamiljarë të lidhur në rrjetin e shpërndarjes në tension të mesëm, me përfshirjen e konsumatorëve të fundit në nivelin 6 kV në fillim të vitit 2026, shënon një etapë të rëndësishme të reformës së sektorit.

Por, sipas këndvështrimit tonë, përfundimi i fazës së liberalizimit nuk duhet të konsiderohet fundi i procesit. Ai është fillimi i një faze të re, ku duhet të vlerësojmë se sa efektivisht po funksionon konkurrenca dhe çfarë përfitimi po krijon për konsumatorin.

Dalja graduale e bizneseve në tregun e lirë ka krijuar kohën e nevojshme që furnizuesit të ndërtojnë kapacitetet e tyre tregtare dhe operacionale dhe që konsumatorët të fitojnë përvojë në krahasimin e ofertave, negocimin e kushteve dhe menaxhimin e riskut të çmimit.

Në vijim, konkurrenca nuk duhet të matet vetëm me numrin e furnizuesve. Ajo duhet të matet me alternativat reale që kanë konsumatorët, cilësinë dhe transparencën e ofertave, fleksibilitetin e kontratave, sigurinë e furnizimit dhe aftësinë e furnizuesve për të menaxhuar kostot dhe ekspozimin ndaj tregut.

Për OSHEE-në, kjo do të thotë se duhet të vazhdojmë të garantojmë një rrjet të besueshëm, transparent dhe jodiskriminues, i cili u krijon të gjithë pjesëmarrësve kushtet e nevojshme për të operuar në treg.

Në fund të fundit, suksesi i liberalizimit nuk është vetëm që klienti të dalë në tregun e lirë; suksesi është që ai të ketë realisht mundësi zgjedhjeje dhe të përfitojë nga konkurrenca.

Si paraqitet aktualisht pozicioni financiar i OSHEE Group dhe cilat janë rreziqet apo sfidat kryesore për vitet e ardhshme: luhatjet e çmimeve të energjisë, detyrimet e ndërsjella në sektor, nevojat për investime apo faktorë të tjerë?

Pozicioni financiar i OSHEE Group është përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme, por ne jemi të kujdesshëm në vlerësimin e kësaj performance. Përmirësimi i rezultatit financiar është i rëndësishëm, por duhet të shoqërohet me forcimin e kapitalit, menaxhimin e detyrimeve dhe krijimin e kapacitetit të qëndrueshëm për investime.

Kapitali i shoqërisë është përmirësuar ndjeshëm që nga fillimi i aktivitetit të saj dhe objektivi ynë është që në fund të vitit 2027, kapitali aksioner i OSHEE Group të jetë pozitiv. Ndërkohë, OSSH dhe FTL kanë tashmë kapital pozitiv.

Një faktor i rëndësishëm ka qenë edhe stabilizimi i ekspozimit ndaj luhatjeve të jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë, ndërsa paralelisht po vijon puna për uljen e detyrimeve të prapambetura dhe të ndërsjella në sektor, në përputhje me marrëveshjet e përcaktuara me KESH dhe OST.

Sfida kryesore është të ruajmë ekuilibrin midis tre objektivave: qëndrueshmërisë financiare, nevojës për investime dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit.

Nevojat për investime janë më të mëdha se kapacitetet që kemi pasur historikisht. Prandaj, përmirësimi financiar duhet të shërbejë si bazë për të rritur kapacitetin investues dhe investimet duhet të kenë prioritete të mirëpërcaktuara dhe të lidhen me rezultate konkrete.

Në këtë drejtim, edhe financimi ndërkombëtar apo bashkëpunimi me partnerë, si BERZH,  KfW dhe AFD, kanë rol të rëndësishëm në projektet strategjike të modernizimit të rrjetit.

Cilat janë prioritetet kryesore të OSHEE Group për 3-5 vitet e ardhshme dhe ku do të përqendrohet pjesa më e madhe e investimeve?

Në tre deri në pesë vitet e ardhshme, OSHEE Group do të fokusohet në një objektiv të qartë: të konsolidojë përmirësimin financiar dhe ta shndërrojë atë në një rritje të qëndrueshme të cilësisë, sigurisë dhe kapacitetit të rrjetit të shpërndarjes.

Këtë e shohim në disa drejtime të ndërlidhura.

Së pari, reduktimi i mëtejshëm i humbjeve dhe përmirësimi i arkëtimeve. Këta mbeten tregues themelorë të eficiencës së Grupit dhe krijojnë bazën financiare për investimet e ardhshme.

Së dyti, rritja e kapacitetit dhe sigurisë së rrjetit. Investimet do të përqendrohen në nënstacione, linja të tensionit të mesëm, kabina dhe rrjetin në zonat ku kërkesa po rritet më shpejt, veçanërisht në Tiranë, zonat bregdetare dhe qendrat me zhvillim të lartë ekonomik e turistik.

Së treti, përmirësimi i cilësisë së furnizimit, me fokus te reduktimi i numrit dhe kohëzgjatjes së ndërprerjeve dhe përmirësimi i treguesve SAIDI dhe SAIFI.

Së katërti, digjitalizimi dhe smart grid: zgjerimi i SCADA-s, operimi në distancë, automatizimi, matësit inteligjentë dhe përdorimi më i mirë i të dhënave.

Dhe, së pesti, prioritet transversal do të jetë përmirësimi i përvojës së klientit, duke reduktuar burokracinë dhe duke zgjeruar shërbimet digjitale.

Në fakt, ky është vizioni që kemi për OSHEE-në në fazën e ardhshme: jo thjesht një kompani që administron një rrjet ekzistues, por një operator modern i infrastrukturës energjetike, i aftë të përshtatet me rritjen e kërkesës, me zhvillimin e burimeve të reja të energjisë, me digjitalizimin dhe me kërkesat e një tregu energjetik gjithnjë e më të integruar.

Kjo është edhe arsyeja pse investimet nuk do të vlerësohen vetëm me numrin e projekteve të përfunduara, por me përmirësimin real të kapaciteteve, të sigurisë, eficiencës dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

08 Shtator

Energjia e rinovueshme dhe “Smart Grid”, OSHEE Group prezanton vizionin për një sistem të qëndrueshëm

Energjia e rinovueshme dhe teknologjitë e mençura mblodhën në Tiranë studiues, inxhinierë dhe profesionistë të sektorit energjetik, në konferencën e 3-të me këtë temë e zhvilluar më 2–4 shtator.

Konferenca synoi të nxisë shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave mes aktorëve të ndryshëm të sektorit, duke promovuar zgjidhje energjetike të qëndrueshme dhe një tranzicion të drejtë, të barabartë dhe në dobi të gjithë shoqërisë.

Në qendër të diskutimeve ishin burimet e energjisë së rinovueshme, përfshirë energjinë diellore, të erës, hidrike, gjeotermale dhe biomasën, si dhe teknologjitë e mençura, ruajtja e energjisë, rrjetet inteligjente dhe eficienca energjetike.

OSHEE Group ishte pjesë e këtij aktiviteti përmes disa paneleve të diskutimit, ku u shkëmbyen ide dhe u diskutua mbi të ardhmen e sistemit energjetik, me fokus të veçantë tek modernizimi i infrastrukturës, digjitalizimi i rrjetit, matësit smart, automatizimi, përdorimi i të dhënave dhe teknologjive të reja, si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve ndaj klientëve.

Në këtë aktivitet mbajti fjalën dhe administratori i OSHEE Group, Mentor Hima, i cili prezantoi vizionin e kompanisë për modernizimin e rrjetit elektrik dhe zhvillimin e një sistemi energjetik më inteligjent, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Në fjalën e tij, Hima theksoi rëndësinë e transformimit të rrjetit përmes integrimit të teknologjive të reja.

“Rrjeti i së ardhmes nuk mund të jetë vetëm më i madh dhe i qëndrueshëm; ai duhet të jetë më inteligjent.
Në këtë drejtim, modernizimi i infrastrukturës duhet të ecë paralelisht me digjitalizimin, matësat inteligjentë, automatizimin dhe inteligjencën artificiale, duke kaluar nga një rrjet që reagon ndaj problemeve, drejt një rrjeti që i parashikon ato”, tha administratori i OSHEE Group.

Zhvillimi teknologjik po ndryshon edhe rolin e klientit në sistemin energjetik. Nga një konsumator tradicional, klienti po shndërrohet gradualisht në një pjesëmarrës aktiv, në një treg gjithnjë e më të hapur, fleksibël dhe të integruar me tregun europian të energjisë.

Për kompaninë OSHEE, klienti nuk është më vetëm konsumator, por po bëhet pjesëmarrës aktiv në sistemin energjetik, në një treg gjithnjë e më të hapur, fleksibël dhe të integruar me tregun europian.
Ligji i ri ‘Për energjinë’ e çon një hap përpara rolin e klientit në raport me shërbimet dhe sjelljen e tij në tregun e liberalizuar të energjisë.
Një vëmendje e veçantë gjatë konferencës iu kushtua bashkëpunimit mes universiteteve, industrisë dhe operatorëve të energjisë, si një element i rëndësishëm për shndërrimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit në zgjidhje konkrete për sektorin energjetik.

“Për OSHEE, është e rëndësishme marrëdhënia dhe ndërveprimi midis universiteteve, industrisë dhe operatorëve të energjisë, publikë apo privatë. Kërkimi dhe inovacioni marrin vlerë të plotë kur shndërrohen në projekte dhe zgjidhje konkrete”, tha më tej Hima.

Në vijim, administratori i OSHEE Group nënvizoi edhe rëndësinë e burimeve njerëzore në procesin e transformimit teknologjik të sektorit energjetik.

Sipas tij, teknologjia do të formësojë rrjetin e së ardhmes, por janë njerëzit që do ta jetësojnë dhe operojnë atë.

OSHEE Group vijon të investojë në infrastrukturë, teknologji, burime njerëzore dhe partneritete, me synimin për të ndërtuar një sistem energjetik më modern, më të besueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të klientëve dhe integrimit europian.

02 Shtator

Aktmarrëveshjet e 2026, përfitojnë reduktim të kamatëvonesës 68.8% të klientëve debitorë

OSHEE Group vijon të mbështesë klientët përmes skemave lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike.

Deri më tani janë lidhur 4,095 aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), nga këto 2,818 klientë familjarë dhe jofamiljarë, ose 68.8% përfshirë bizneset dhe institucionet buxhetore dhe jobuxhetore, kanë shlyer të gjithë detyrimin me një këst të vetëm, duke përfituar reduktim të kamatëvonesës sipas kategorisë përkatëse.

Sa i takon kategorive përfituese të AKM-ve, deri më tani, janë lidhur rreth 2,893 aktmarrëveshje me FSHU për kategorinë familjar, nga të cilët 965 kanë zgjedhur ta shlyejnë detyrimin përmes pagesave me këste, ndërsa 1928 klientë i kanë shlyer faturat e prapambetura ndaj OSHEE-së me një këst të vetëm, duke përfituar reduktim të kamatëvonesës në masën 70%.

Ndërsa 1,202 kontrata të aktmarrëveshjeve janë firmosur nga kategoritë jofamiljarë-privatë ku përfshihen klientët buxhetorë dhe jobuxhetorë, bizneset e vogla dhe të mëdha.
Skema e pagesës me këste të detyrimeve ndaj OSHEE-së të krijuara deri më 31 dhjetor 2024, përfshin të gjitha kategoritë e klientëve të FSHU-së, duke pasur në vëmendje të veçantë kategoritë në nevojë.
Këtyre kategorive u jepet mundësia të lidhin aktmarrëveshje edhe për detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025.

Kush janë përfituesit e aktmarrëveshjeve?

Në kuadër të skemës përfshihen klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë. Këta klientë mund t’i shlyejnë detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2025, duke nisur nga një këst minimal prej 1200 lekësh në muaj, me kusht që të mos kenë detyrime të reja të pashlyera për vitin 2026.
Për të ruajtur një standard të përballueshëm për klientët, por edhe të drejtë në raport me detyrimin, numri maksimal i kësteve nuk do të jetë më shumë se 240 këste.
Në çdo rast, klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst me vlerë më të lartë se vlera minimale e përcaktuar, duke respektuar kushtin që shlyerja të kryhet brenda një periudhe prej jo më shumë se 240 këstesh.
Skema për klientët buxhetorë dhe jobuxhetorë
Për kategoritë buxhetore dhe jobuxhetore, skema e aktmarrëveshjeve parashikon përfshirjen e të gjithë detyrimit në marrëveshje, ndërsa numri i kësteve përcaktohet në varësi të vlerës së debisë për faturat e prapambetura deri më 31 dhjetor 2024.
Edhe për këto kategori, kusht është që klientët të mos kenë krijuar debi të reja për periudhën 2025–2026.
Numri i kësteve përcaktohet sipas vlerës së detyrimit:
24 këste për detyrime nga 100,000 deri në 500,000 lekë;
48 këste për detyrime nga 500,001 deri në 1,000,000 lekë;
60 këste për detyrime nga 1,000,001 deri në 5,000,000 lekë;
84 këste për detyrime nga 5,000,001 deri në 10,000,000 lekë;
120 këste për detyrime mbi 10,000,000 lekë.

Skema “speciale
OSHEE Group ka miratuar gjithashtu një skemë të veçantë për faturat korrektive, faturat përmbledhëse dhe sistemuese, si dhe për rastet që lidhen me demontimin apo testimin e matësit dhe energjinë e akumuluar në matës.
Këto detyrime mund të likuidohen me deri në 24 këste.
Në rast se debia e akumuluar paguhet me një këst të vetëm, klienti përfiton edhe ulje të kamatëvonesës, sipas kushteve të përcaktuara në skemën lehtësuese.
Reduktimi i kamatëvonesave
Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës;
Klientët jofamiljarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë, përfitojnë reduktim në masën 50%;
Biznesi i vogël përfiton falje të plotë, 100%, të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.
Këto reduktime synojnë t’u japin klientëve një mundësi më të lehtë për të mbyllur detyrimet e prapambetura, duke ulur ndjeshëm shumën që duhet të paguajnë në rastin e shlyerjes së menjëhershme.

Për më shumë informacion drejtohuni në pikat e Kujdesit të Klientit ose telefononi në shërbimin Call Center  042274141

24 Gusht

Mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, Karakaçi: Reformat në sektorin e energjisë po japin rezultate konkrete

Shqipëria ka përmbushur përpara afatit objektivin për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, ndërsa reformat në sektorin energjetik po vijojnë të japin rezultate konkrete.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se rezultatet janë arritur përmes një sërë reformash që synojnë modernizimin dhe qëndrueshmërinë e sektorit.

“Nga modernizimi i kuadrit ligjor dhe përafrimi me standardet e BE-së, te energjia e rinovueshme, ulja e varfërisë energjetike dhe komunitetet e energjisë, kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt një sektori më modern dhe më të qëndrueshëm. Mbi të gjitha, kemi arritur përpara afatit objektivin për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme.

Këto rezultate i hapin rrugën edhe disbursimit të 61 milionë eurove në kuadër të Growth Plan dhe Reform Agenda, duke mbështetur investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian. Puna jonë vijon me të njëjtin angazhim për një sektor energjetik më të fortë dhe një Shqipëri më pranë Bashkimit Evropian”, u shpreh ministri Karakaçi.

Prononcimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi

Përshëndetje!

Puna e përditshme, me profesionalizëm dhe angazhim, e stafeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po jep rezultate konkrete dhe sot dua të ndaj me ju disa nga arritjet më të rëndësishme që kemi realizuar në kuadër të reformave në sektorin e energjisë dhe procesit të integrimit evropian, duke filluar nga data 1 janar deri më 30 qershor 2026.

Gjatë kësaj periudhe kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor.

Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë.

Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.

Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik.

Po aq domethënës është edhe fakti që ne kishim detyrim për të instaluar 600 mega kapacitete deri më datë 30 qershor 2026, kapacitete të energjisë së rinovueshme. Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo dëshmon qartë se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme.

Përmbushja e këtyre masave nuk përbën vetëm një sukses në procesin e reformave, ajo sjell edhe përfitime të drejtpërdrejta për vendin. Miratimi i këtyre masave deri më 30 qershor 2026 i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Këto fonde do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

Sigurisht, disa masa janë ende në proces, por puna për përmbushjen e tyre vijon me të njëjtin angazhim dhe vendosmëri deri në realizimin e plotë të çdo detyrimi.

Në përfundim e ndjej të rëndësishme të falënderoj të gjithë strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucionet dhe ndërmarrjet në varësi, si dhe çdo profesionist që ka kontribuar në arritjen e këtyre rezultateve. Këto janë fryt i një pune të përbashkët, të mbështetur në profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.

Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm për të përmbushur çdo reformë dhe çdo angazhim, duke ndërtuar një sektor energjetik më modern, më të qëndrueshëm dhe duke e afruar çdo ditë e më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

Faleminderit!

31 Korrik

Nis ndërtimi i rrjetit 35kV Bogë-Koplik dhe nënstacionit të ri, Karakaçi: Së shpejti edhe në Theth

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, vijon investimet për fuqizimin e rrjetit në zonat turistike me qëllim rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

Në zonën e Alpeve Shqiptare po zbatohet projekti i cili parashikon ndërtimin e një linje të re ajrore 35 kV me gjatësi rreth 27 kilometra, si dhe ndërtimin e dy nënstacioneve të reja 35/6 kV në Dedaj dhe Bogë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me Administratorin e OSSH, Blendian Dalipi inspektuan në Bogë ecurinë e punimeve për ndërtimin e nënstacionit elektrik në këtë zonë.

Ky investim ka në fokus rritjen e kapaciteteve dhe sigurisë energjetike duke ofruar një shërbim sa më cilësor për të gjithë banorët dhe bizneset që operojnë në këtë zonë.

Të dy nënstacionet do të furnizojnë me energji rreth 5000 banorë të zonave Razëm, Bogë, Reç dhe Dedaj, të cilët ndër vite kanë pasur problematika sa i takon furnizimit me energji elektrike për shkak të amortizimit të rrjetit si dhe terrenit malor.

Administratori i OSSH, Blendian Dalipi, tha se ky është një nga tre investimet që ne po bëjmë në zonën e Alpeve.

“Në shtator, sapo ne ta kemi operacional nënstacionin e Bogës do të kemi hapësirën për të vazhduar me ndërlidhjen Bogë – Theth, një investim shumë i pritshëm nga banorët e Thethit që kanë vuajtur dhe vuajnë nga cilësia e furnizimit me energji elektrike”, tha Dalipi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi gjithashtu se investimi i radhës do të jetë në nënstacionin e Tamarës.

“Investimi i tretë përsëri që lidhet me zonën e Alpeve është nënstacioni i Tamarës, që edhe ajo përfshin disa zona turistike që përsëri për shkak të gjeografisë së tyre kemi patur edhe probleme me cilësinë e furnizimit, siç është Vermoshi apo Lepusha”, tha Karakaçi.

 Ngarkesa e lartë në rrjet, si dhe temperaturat e regjistruara, ku në kabina të caktuara arrijnë deri në 80 gradë celsius, kanë sjellë jo pak vështirësi në punën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Po pavarësisht situatës, grupet e punës ndodhen në gatishmëri për të garantuar ofrimin e shërbimit për të gjithë abonentët

08 Korrik

Plani i masave për sezonin turistik, OSSH angazhon në terren 1100 punonjës. Investimet në rrjet garanci për furnizim të pandërprerë me energji

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka hartuar një plan masash për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në të gjitha zonat turistike të vendit gjatë sezonit veror, duke kombinuar investimet në rrjet me një organizim të zgjeruar operacional në terren.

Përfaqësuesi i OSSH-së, Llambi Miti, gjatë një komunikimi me mediat, tha se OSSH ka  angazhuar 1.120 punonjës të organizuar në 136 grupe pune të pajisur me 86 automjete operacionale dhe me të gjitha mjetet e nevojshme të punës për të ndërhyrë në kohë reale në rast defektesh apo avarish në rrjet.

“OSSH kryen gjatë muajve mars, prill, maj dhe qershor kryhen të gjitha remontet e nënstacioneve dhe linjave që furnizojnë zonat turistike, jo vetëm ato bregdetare, por edhe zonat malore dhe destinacionet e tjera turistike.

Paralelisht me remontet është zbatuar edhe plani i investimeve, i fokusuar në përforcimin e rrjetit energjetik në zonat me ngarkesën më të lartë”, tha Miti.

Në Velipojë është vënë në funksion një nënstacion i ri me dy transformatorë me fuqi të instaluar 40 MW dhe pesë fidera dalës 20 kV, investim që rrit ndjeshëm sigurinë e furnizimit për një nga zonat më të frekuentuara turistike të veriut.

OSSH ka marrë masa shtesë edhe në Shëngjin, ku pas vendosjes vitin e kaluar të një transformatori 110 kV me tre fidera dalës, këtë vit është shtuar edhe një fider i katërt, për të përballuar rritjen e konsumit gjatë sezonit veror.

Në zonën e Durrësit dhe Golemit janë kryer investime të rëndësishme, veçanërisht në Spitallë, ku vitin e kaluar banorët dhe bizneset kishin raportuar probleme me nivelin e tensionit.

Për të eliminuar këtë problem është instaluar një transformator i ri 110/35/10 kV dhe janë zëvendësuar transformatorët e fuqisë në 50 kabina të dy fiderave që furnizojnë zonën, duke kaluar nga rrjeti 6 kV në atë 10 kV.

Ndërkohë, në Ksamil është shtuar një fider i ri 20 kV, investim që sipas OSSH-së rrit sigurinë dhe garancinë e furnizimit me energji elektrike për banorët dhe bizneset gjatë sezonit të ngarkuar turistik.

Kompania po vijon gjithashtu investimet strategjike në jug të vendit. Në proces ndërtimi janë nënstacioni i ri në Xarrë dhe nënstacioni 110 kV në Piqeras.

OSSH parashikon që ato të hyjnë në funksion gjatë vitit të ardhshëm, duke rritur më tej kapacitetet e rrjetit në zonat turistike të Rivierës.

Përveç këtyre investimeve, OSSH ka realizuar ndërhyrje në shumë rajone të vendit, për fuqizimin e nënstacioneve dhe modernizimin e infrastrukturës së tyre.

Të gjitha këto masa synojnë që qytetarët, bizneset dhe turistët të kenë një furnizim sa më të sigurt dhe cilësor me energji elektrike gjatë gjithë sezonit veror, duke minimizuar ndërprerjet dhe duke garantuar reagim të shpejtë në çdo situatë.

26 Qershor

Karakaçi inspekton punimet për nënstacionin e ri elektrik të Kamzës: Investimet në energji në funksion të ruajtjes së mjedisit

Në zonën e Valiasit, bashkia Kamëz, po punohet për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik. Nënstacioni i vjetër, i ndërtuar në vitin ’68 dhe me kapacitete të ulëta nuk i përgjigjet më kërkesës gjithmonë e në rritje të furnizimit me energji elektrike të zonës.

Projekti që po zbatohet, falë bashkëpunimit edhe me qeverinë gjermane, parashikon ndërtimin dhe vendosjen në punë të plotë të nënstacionit të ri elektrik, si dhe ndërtimin e dy fiderave të rinj 20 kV. Ky investim do të realizohet me teknologji moderne dhe kapacitete të mjaftueshme për të garantuar furnizim të sigurt dhe cilësor me energji elektrike për zonat e përfshira në rrjetin e ri 20 kV.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me administratorin e OSHEE, Mentor Hima, administratorin e OSSH, Blendian Dalipi dhe ambasadorin gjerman në Tiranë, Karl Bergner inspektuan ecurinë e punimeve ku deri më tani janë realizuar afro 40% e tyre.

“Këtu kemi kaluar në një nivel krejt tjetër, jemi në nivelin 110/20, që do të thotë më shumë kapacitete për të përballuar këtë fluks të jashtëzakonshëm që ka marrë gjithë kjo zonë si pasojë e zhvillimeve urbane. Aq më tepër që do të kalojmë dhe në një nivel tjetër që garanton dhe parametra teknikë të kënaqshëm të furnizimit me energji të të gjithë zonës. Nga ky nënstacion do të furnizohen afërsisht 5 mijë abonentë. Janë abonentë që përfshijnë zonën e Kamzës, Paskuqanit, Laknasit, Çekrezit”, u shpreh Dalipi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se ndërtimi i nënstacionit të ri elektrik në Kamzës është ndër projektet shumë të mira që OSHEE ka në bashkëpunim me qeverinë gjermane në sektorin energjetik. Ky bashkëpunim parashikon një sërë investimesh që nisin me dixhitalizimin e nënstacioneve dhe aplikimin e sistemit SCADA si dhe rehabilitimin e rreth 12 nënstacioneve.

“Ky është një projekt mjaft i rëndësishëm përsa i përket sektorit të shpërndarjes, dhe bashkëpunimi me qeverinë gjermane dhe me ambasadën gjermane ka qenë i shkëlqyer dhe që na ka çuar që tani të jemi në një fazë të avancuar për ndërtimin e këtij nënstacioni.

Një element shumë i rëndësishëm që doja të theksoja është edhe fakti që të gjitha investimet në sektorin elektroenergjetik në Shqipëri dhe Qeveria Shqiptare është kujdesur për këtë, kanë një impakt jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm përsa i përket edhe çështjeve mjedisore. Çdo nënstacion i ri që ne zhvillojmë është më shumë kapacitete për energji të rinovueshme”, deklaroi Karakaçi.

Nga ana e tij, edhe ambasadori Bergner vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me palën shqiptare për këto projekte të rëndësishme. Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik të Kazmës parashikohet të përfundojnë në mars të vitit të ardhshëm, disa muaj para afatit të kontratës.

09 Qershor

OSHEE Group, 52 mijë klientë zgjodhën t’i mernin shërbimet përmes sistemit online

Prej më shumë se një viti, OSHEE Group ofroi një strukturë inovative tek shërbimet online, ku përmes aplikacionit OSHEE mobile dhe faqes zyrtare në internet të kompanisë, abonentët mund të aplikojnë për kërkesë/ankesë, përditësim të të dhënave, vërtetim debie apo lidhje të re të energjisë.

Shërbimet online po përdoren çdo ditë e më shumë nga qytetarët dhe deri më sot janë mbi 52 mijë klientë përfitues, të cilët janë regjistruar në platformat tona të oshee.al dhe aplikacionin OsheeMobile.

Përmes aksesimit të shërbimit online nga telefoni dhe/ose kompjuteri, janë kryer afro 14 mijë pagesa energjie dhe 9 mijë kërkesa nga abonentët.

Shërbimet online ndihmojnë qytetarin të reduktojë kohën dhe të shmangë vizitat në sportelet e KNK-së duke menaxhuar shërbimet më lehtë, më shpejt dhe në kohë.

OSHEE group fton qytetarët të përfitojnë nga shërbimet online, si një zgjedhje smart drejt zgjidhjeve më eficiente për nevojat e klientëve.

Ata mund të vizitojnë faqen zyrtare në internet të kompanisë www.oshee.al ose të shkarkojnë aplikacionin OSHEE për të  përdorur shërbimet online kudo ku ndodhen.