Back
01 Shkurt

Çela: Po investojmë 17 mln USD në Shkodër. Ankesat? As 0.3% nuk zë ndaj totalit të faturave

cela 2

Administratori i OSHEE, z.Adrian Çela ishte sot në Shkodër, për të parë nga afër shërbimin ndaj klientit në ambientet e reja të KNK.

Duke folur për mediat, kreu i OSHEE renditi disa nga treguesit kryesorë të punës në Shkodër dhe në rajonin përrreth.

“Aktualisht që flasim janë investuar dhe ndodhen në proces objekte me vlerë rreth 17 milionë dollarë, ku me i rëndësishëm është vendosja në funksion i N/st të Bushatit, si dhe do ndërtojmë një Nst të ri në zonën e Tamarës.

Sa i takon arketimeve, kemi një rritje me 4 miliardë lekë në raport me vitet 2013-2014, kurse humbjet kanë zbritur në 43 nga 64% në 2013-n.

Në lidhje me cilësinë e faturimit, ankesa për keqfaturim nuk zë më shumë se 0.5% në janar 2017 dhe 0.3% për gjithë vitin 2016.

30 Janar

“Një qytetar-një adresë”, Gjiknuri: Përmirëson dhe shërbimin me energji

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri në takimin “Popullimi, një qytetar-një adresë”

I nderuar Zoti Kryeministër,
I nderuar koleg Tahiri,
Të nderuar pjesëmarrës,

Në fakt, sot jemi mbledhur për të bërë prezent një nga projektet më shtetformuese të Shqipërisë. Nuk e teproj kur them kështu sepse mungesa e një adresari të plotë dhe të dhënave bazë për të gjithë shtetasit shqiptarë, ashtu siç duhet ta ketë çdo vend europian është një nga hallkat e munguara në këto 25 vite. Është shtetformuese në shumë drejtime. Do të thoni ju, çne ju si Ministër i Energjisë po e bëni prezent këtë problem?! Përfshirjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si një nga financuesit e këtij projekti e pamë jashtëzakonisht të rëndësishme. Kemi nevojë për një inventar të plotë të të gjithë klientëve të sektorit elektroenergjetik, të gjithë atyre qytetarëve që paguajnë. Ka ende konsumatorë me të cilët për shkak të sistemit totalisht të degraduar të të dhënave dhe administrimit të tyre vuajnë pasoja.

Menduam që sëbashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përmes këtij projekti të përbashkët të realizojmë disa qëllime. Kuptohet, më kryesorja është ajo që Ministri dhe Kryeministri do të flasë e që ka të bëjë me me adresarin, pra që qytetarët shqiptarë të kenë një adresë ashtu siç duhet, të kenë të dhëna ashtu siç ka çdo vend europian. Edhe Operatori i Shpërndarjes do të përfitojë shumë nga ky sistem, pasi do te kemi mundësinë që për të gjithë klientët tanë të japim produkte të personalizuara, të dimë të sakta për të përditësuar të gjithë adresat dhe të gjithë klientët me kontratat ashtu siç janë në mënyrë që të shmanget çdo lloj abuzimi.

Njëkohësisht të kemi mundësi të aplikojmë edhe sistemet e reja të teknologjisë që i lehtësojnë konsumatorët shqiptarë, qoftë për lehtësira që në bazë të legjislacionit do krijohen, por nga ana tjetër edhe për të evidentuar më shumë abuzimet që vijnë për shkak të trashëgimisë shumë të keqe të të dhënave që ka sistemi.

Do ti shërbejë dorëzimit të faturës ashtu siç duhet. Do të krijojë mundësi akoma më të mira edhe për eliminimin e leximit frekuent të faturave. Të aplikojmë atë sistem që aplikojnë shumë vende të përparuara të botës, që lëshon një faturë për përdorim mesatar mujor, për konsum mesatar mujor dhe të kemi mundësi të shpëtojmë kosto. Njëkohësisht ti japim mundësi konsumatorëve që njëherë në disa muaj të bëhet një azhornim dhe kjo ul kostot e Operatorit të Shpërndarjes. Patjetër do të rrisë edhe eficiencën e menaxhimit Operatori i Shpërndarjes për të gjithë ankesat që mund të kenë klientët, për të gjithë problematikat që ata kanë, do të kemi mundësi që ti përgjigjemi në kohë, madje duke ju kthyer përgjigje në adresën e tyre.

Ky sistem është shumë dimensional, por kryesisht thashë i shërben mbi të gjitha vetë bazës së të dhënave të këtij shteti, që do të na shërbejë jo vetëm për sektorin elektroenergjetik. Unë si Ministër i Energjisë e kam përkrahur këtë projekt që në fillim, prandaj Operatori i Shpërndarjes ka dhënë një financim të konsiderueshëm që përbën mbi gjysmën e vlerës së këtij projekti. Pikërisht për përfitimet që ne do të kemi dhe ky projekt e lanë shumë shpejt veten nga ana ekonomike. Realisht do të fillojë një punë serioze dhe i bëj thirrje të gjitha qytetarëve shqiptarë që të bashkëpunojnë me të gjithë personat që do të merren në regjistrimin e të dhënave, të jenë sa më bashkëpunues me ta, pasi përfitimi do të jetë i drejtpërdrejtë.

Nuk janë të dhëna që do të na duhen ne thjesht për ti patur. Janë të gjitha këto të dhëna që do ti shërbejnë atyre për lehtësinë e shërbimeve, për trajtimin e ankesave, për saktësinë e faturës e për shumë elementë të tjerë, kështu që normalisht puna do të fillojë në terren. Besoj se tani është bërë edhe rekrutimi i personelit të nevojshëm që do të trokasë derë më derë dhe unë e thashë dhe dua ta përsëris: është një nga proceset me shtetformuese. Më në fund Shqipëria do të quhet vërtet shtet, duke pasur një inventar të plotë siç e ka një shtet modern europian.

Projekti është shumë i rëndësishëm. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkëpunojnë dhe dua të falënderoj Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, e cila ka qenë në krah të reformave të rëndësishme, në krah të të gjitha arritjeve të sektorit elektroenergjetik dhe bashkëpunimi me ta siç ka qenë i mirë dhe më përpara. Besoj se edhe ky projekt do të jetë jashtëzakonisht i mirë, duke pasur produkte që do ti vlejnë të gjithë shtetasve shqiptarë.

Ju faleminderit!

11 Janar

Gjiknuri-Çela inspektojnë punimet, 6 milion euro investim në nënstacionin e Selitës

featured-selita

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së z.Adrian Çela inspektuan sot investimet që po kryhen për zgjerimin e nënstacionit elektrik të Selitës. Vlera e investimit të parashikuar për këtë nënstacion arrin në 6 milion Euro. Parashikohet dyfishimi i kapacitetit nga 30 në 65 MW ndërsa fuqizohen me 50% edhe fiderat përkatës.

Me këtë nënstacion lidhen 23 fidra çka nënkupton se investimi ndikon në përmirësimin e cilësisë së funrizimit me energji për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh përgjatë zonës së Unazës së Madhe, Rrugës Teodor Keko, ish-Fushës së Aviacionit, Pallatet Hauai, Laprakë etj.

Vendosja e 6 fiderave të rinj do të mund të krijojnë unazën për të menaxhuar më mirë ngarkesat, sidomos në zona problematike si Misto Mame dhe Yzberishti.

Ministri Gjiknuri deklaroi se konsumi i rritur për shkak të uljes së fortë të temperaturave shërbeu edhe si një test për të parë vlerën e investimeve të kryera nga kompania deri më tani.

“Ndërprerjet kanë qenë shumë më të pakta ndërsa koha e riparimit të tyre më e shpejtë çka tregon se sistemi ka qenë në gadishmëri të plotë dhe investimet kanë dhënë efektin e tyre. Siguroj shqiptarët se pavarësisht se do kemi probleme me motin në ditët në vijim, OSHEE do të jetë në gadishmëri për tër riparuar defektet në kohë shumë të shkurtër dhe kjo po konfirmohet jo vetëm nga të zgjedhurit vendor por dhe qytetarët që e bëjnë vet diferencën”, u shpreh Gjiknuri duke sqaruar se pavarësisht të metave që ka ende sistemi nuk duhet harruar se deri para tre vitesh sektori po “vdiste” nga “tumori” që e kishte përfshirë.

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes z.Adrian Çela tha se në këtë nënstacion nuk ishte kryer investim që në vitin 1956. “Parashikojmë të rinovojmë deri në fund të vitit gjithë nëstacionin e Selitës. Janë dhe 6 fidera të rinj të cilët 3 kanë hyrë në funksion që para festave vitit të ri. Në sajë të fuqizimit të nstacionit të Selitës dhe këtyre fiderave të rinj arritëm të menaxhojmë situatën tejet të ngarkuar për festat dhe motin e ftohtë të këtyre ditëve. Radha e nëstacionit të Selitës erdhi pasi përfunduam spostimin dhe fuqizimin e nstacionit të Qendrës që filloi në Nëntor e përfundoi në mes të Dhjetorit. Kemi parashikuar që brenda vitit të kryhen punimet për 4 nënstacione të reja për qytetin e Tiranës. Fuqizimin e atyre ekzistuese, pra nëstacionit të autotraktorave, fillimin e punimeve për nëstacionin e Kombinatit që është projekt i BB, nëstacionin e Kasharit, atë të Valiasit dhe nënstacionin e ri të Qendrës”, theksoi Çela.

Sipas tij, gjithë këto investime janë të bëra me të ardhurat e kompanisë dhe për vitet 2015-2016 janë investuar rreth 20 milion euro për Tiranën, si në zonat periferike dhe në qendër të qytetit.

“Janë rreth 12 mln euro në proces përsëri për Tiranën, janë ndërtuar 170 kabina të reja të sistemit 20 kv dhe janë rinovuar 120 të tjera. Dhe vetëm për këtë vit parashikojmë rinovimin e 250 kabinave që janë të amortizuara si dhe ndërtimin e 8 fiderave të rinj”, nënvizoi Çela.

09 Janar

Furnizimi me energji, shperblim per punonjesit qe perballuan emergjencen

featured-kukesi
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE, Adrian Çela ishin sot në qarkun e Kukësit për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga reshjet e dendura të dëborës.

Ministri inspektoi nënstacion elektrik të zonës, duke theksuar se Operatori i Shpërndarjes me punonjësit e tij ka reaguar në mënyrën e duhur duke përballuar një situatë të jashtëzakonshme.
Duke i falenderuar të gjithë punonjësit e OSHEE dhe OST për sakrificën e bërë, z.Gjiknuri tha se 1800 punonjës në të gjithë Shqipërinë do të marrin shpërblim për punën e vështirë që kryen duke marrë një pagesë esktra.

Ndërsa administratori i OSHEE-së, Ardian Çela tha se reforma e nisur në shtator solli një rritje të pagës bazë të punonjësve, ndërkohë që është bërë dhe sigurimi i jetës së tyre, si dhe pajisja me uniforma.

Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë:

Periudha e dimrit është një test për aftësinë e OSHEE për të reaguar dhe një test për ne për të provuar investimet si nga ana operacionale, teknike, dhe në fund të fundit OSHEE provon vetveten.

Festat e fundvitit përfshi dhe situatën e emergjencës tregoi se të gjitha investimet e kryera kanë dhënë rezultat si nga ana profesionale, pra OSHEE me punonjësit e saj reagoi në mënyrën e duhur duke përballuar një situatë të jashtëzakonshme, duhet ta kuptojmë pavarësisht se ka spekulime politike që thonë se ka ndërprerje energjie. Sepse kudo ku ka problem me motin ka dhe me energjinë, sidomos në kushtet e rrjetit shqiptare.

Në një periudhë shumë të shkurtër, të gjithë strukturat e OSHEE dhe OST për rastin e Kukësit, bënë të mundur rikuperimin e avarive. Vetë abonentët e kanë ndjerë këtë, kanë parë dhe kushtet e vështira në të cilët ato punojnë. Dua ti falenderoj për sakrificën këta njerëz dhe pikërisht një aspekt i reformës në energjetikë është rritja e pagës së punonjësve tanë, përfshi dhe për këtë periudhë në dimër, është parashikuar një pagesë ekstra. Janë 1800 punonjës në të gjithë Shqipërinë që do të marrin shpërblim për punën e vështire që kryen, sepse sollën energjinë në shtëpitë e shqiptarëve duke punuar në kushte të vështira.

Investimet do të vazhdojnë në sistemin energjetik. Nëse do të mbajmë këto parametra financiarë dhe kjo qëndrueshmëri e të gjithë sektorit energjetik do të përkthehet në investime Janë parashikuar 100 mln dollarë, investimet më të mëdha të bëra ndonjëherë në sektor. Do ketë probleme? Sigurisht që do të ketë, sidomos në zonat rurale pasi zgjidhja përfundimtare e furnizimit me energji do dojë disa vjet. Nëse vazhdon kjo marrëdhënie e mirë me OSHEE dhe abonentët, ulja e humbjeve, ulja e abuzimit, shtimi I pagesave, investimet do të jenë të pranishme kudo, si në Kukës ashtu dhe në të gjithë Shqipërinë. Kjo është garancia e vetme. Kompanitë energjetike si KESH, OST, mbi të gjitha OST, janë kthyer në kompani suksesi duke kontribuar në buxhetin e shtetit. Nga gropa që ishin para disa vitesh janë kthyer në faktor stabiliteti duke ofruar dhe paketa sociale.

A do të ndërtohet unaza e furnizimit me energji nga ana e Dibrës?

Nga ana e Dibrës ju e dini ka qenë problem me një linjë private, sepse qeveria e shkuar, një linjë të tensionit të lartë ia ka lënë në pronësi një subjekti privat. Ne po gjejmë zgjidhje ligjore që kjo linjë të vihet në shërbim të sektorit public, pra OST, dhe që këtej e tutje të ketë një linjë të dytë e bërë vitet e fundit, nga qeveria jonë. Ju garantoj se Kukësi do të ketë një linjë të dytë brenda këtij viti dhe në dimrat e tjerë s’do ketë problem me energjinë.

Adrian Cela, drejtori i OSHEE:

U vu re një reagim nga ana e kompanisë për eliminimin e defekteve dhe kthimin e energjisë në një kohë shumë të shpejtë. Brenda ditës, janë eliminuar gjatë këtyre 4 ditëve të gjitha defektet e ndodhura gjatë natës, megjithëse kushtet e motit ishin ekstreme.

Nëse do të krahasonim situatën me janarin e 2015, në zonën e Malësisë së Librazhdit dhe Kukësit pati temperatura jo kaq ekstreme, por reshje bore intensive, defektet zgjatën më shumë dhe një numër i konsiderueshëm abonentësh mbetën për një kohë më të gjatë pa energji. Këtë radhë, kompania pati një reagim të menjëhershëm për shkak dhe të investimeve që janë kryer këto dy vite, si dhe përkushtimin e punonjësve tanë. Ndaj jemi këtu bashkë me ministrin për ti falenderuar të gjithë punonjësit tanë jo vetëm këtu në Kukës, por dhe punonjësit nga drejtoritë e OSHEE nga veriu në jug që me përkushtim kanë riparuar në kohën maksimale të mundur defektet dhe risollën energjinë tek abonentët.

Investimet që kompania ka bërë gjatë këtyre dy viteve, dhanë rezultat dhe kapërcimi i situatës në këto kushte ekstreme, janë treguesit më të mire. Kompania i ka pasur parasysh këta punonjës që punojnë në kushte të vështira dhe gjatë këtyre viteve i ka shpërblyer me disa paga. Ajo reformë që nisëm në shtator për rritjen e pagës së bazës është një shpërblim për punën që kanë bërë këta punonjës. OSHEE ka bërë edhe sigurimin e jetës në rast aksidentesh si dhe pajisjet e tyre me veshjet e duhura në këto kushte ekstreme, njësoj si punonjësit e kompanive simotra në botë.

30 Dhjetor

OSHEE, ndihma për 45 fëmijët e sëmurë të punonjësve të saj

1-4
Iniciativës personale të Administratorit të Përgjithshëm të OSHEE-së, z.Adrian Çela, për të dhuruar pagën e fundvitit, i janë bashkuar disa drejtues të kompanisë, duke krijuar një fond në mbështetje të 45 fëmijëve të punonjësve të OSHEE-së, me probleme shëndetësore.

Dhuratat e blera fillojnë nga nevojat primare në familje siç janë krevate, lavatriçe, televizorë, kompjuter laptop, kuponë për blerje ushqimesh, veshjesh, pajisje elektronike si dhe lodra sipas nevojave të fëmijëve.

“Ndjehem krenar që kësaj iniciative humane iu bashkuan edhe drejtues të tjerë të kompanisë për të ndihmuar fëmijët me probleme shëndetësore të kolegëve tanë”, deklaroi Çela.

OSHEE ka qenë aktive gjatë këtij viti për të mbështetur njerëzit në nevojë, dhe në dy javët e fundit kreu i kompanisë ka vizituar disa qendra sociale, në të cilat është ofruar mbështetja për materiale të ndryshme, si në shtëpinë e fëmijës në Sarandë dhe Vlorë, fëmijët e ngujuar në Shkodër, etj.
1-3
“Siç po tregojnë rezultatet e larta në arkëtime dhe investime, OSHEE do të jetë akoma e më aktive dhe humane gjatë 2017, në ndihmë të familjeve në nevojë, në kuadër të përgjegjësisë sociale dhe jo vetëm”, tha Administratori i kompanisë.

28 Dhjetor

OSHEE, Çela: Ndihma për fëmijët, lehtësira dhe punësim për gratë e familjeve të ngujuara

Në kuadër të festave të fundvitit, OSHEE po vijon mbështetjen disa qendra sociale në rang vendi, pjesë e strategjisë së kompanisë për të ndihmuar shtresat në nevojë.

Pas Vlorës dhe Sarandës, Administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela u ndal sot në qytetin e Shkodrës, për realizimin e aktivitetit “Dhurojmë pak buzëqeshje fëmijëve të ngujuar në këtë fundviti”, në bashkëpunim me fondacionin “Fjala”.

Për 30 fëmijë të ngujuar, nga mosha 4-18 vjeç dhe familjet e tyre, OSHEE shpërndau pako me mjete mësimore, dhurata dhe ushqime, veshmbathje, etj.

Gjatë aktivitetit, mësuesja Liljana Luani dhe fëmijët e shkollës “Pashko Vasa” shfaqën programin me këngë dhe vjersha për fëmijët dhe nënat e ngujuar, të pranishëm në event, ku në fund, administratori Çela, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, shpërndan pakot me ndihma.

“Gjakmarrja është një fenomen dhe një plagë ende e pashërueshme për shoqërinë shqiptare me pasoja sociale të jashtëzakonshme, me kosto të lartë morale, psikologjike dhe financiare. Fatkeqësisht, “viktima” të këtij fenomeni janë edhe fëmijët. Atyre u ka munguar shkollimi, shoqërizimi me moshatarët, lojërat me ta, ndërveprimi social, etj
Me qëllim sensibilizimin e shoqërisë shqiptare për këtë plagë që fatkeqësisht është akoma evidente edhe sot, në kuadrin e festave të fundvitit, kompania OSHEE po u vjen në ndihmë kësaj kategorie”, deklaroi kreu i OSHEE-së.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, prej më shumë se një viti është duke punuar me grupet e interesit të kësaj kategorie, për të identifikuar familjet me gjakmarrje, debitorë ndaj kompanisë, dhe ndihmuar ata në gjetjen e paketave sa më lehtësuese në pagesën e faturave dhe mbështetje të veçantë për një shërbim sa më cilësor.

“Kompania OSHEE është treguar e gatshme për të punësuar gratë e familjeve të ngujuara. Edhe pse nuk është lehtë, kemi 5 raste punësimi, dhe jemi duke punuar ende”, tha Çela, duke shtuar në fund se, “OSHEE do të mbështesë financiarisht projektin e botimit të një libri-strategji, për familjet e ngujuara, ide e mësueses Liljana Luani, e cila për vite me radhë u jep mësim këtyre fëmijëve

27 Dhjetor

Festat e fundvitit, Gjiknuri e Çela shpërndajnë dhurata tek Shtëpia e fëmijës në Sarandë dhe Vlorë

featured-vlora
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Adrian Çela u ndalën në “Shtëpinë e Fëmijës” në qytetin e Sarandës.

Në kuadër të strategjisë së OSHEE-së për “Përgjegjësinë Sociale të Korporatave”, ata ndoqën nga afër dorëzimin e dhuratave për fëmijët e qendrës.

Përmes ndihmës financiare, synohet përmirësimi i kushteve infrastrukturore të institucionit si dhe plotësimi i disa nevojave duke nisur nga investimi në sistemin e ndriçimit të jashtëm; pajisje elektroshtëpiake, sobë profesionale, bolier, set kuzhine.

Shtëpia e fëmijës Sarandë ofron shërbim ditor për 33 fëmijë rezidenciale dhe 8 fëmijë ditorë, një pjesë e të cilëve janë jetim.

“Për shkak të bashkëpunimit të qytetarëve të pagesën e faturave të energjisë, OSHEE ka filluar të jetë sa më pranë tyre. Në këtë rast festash, kompania zgjodhi të gjendej pranë kategorive sociale që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Ju sollën ndriçimin, pajisje elektroshtëpiake, soba profesionale dhe disa dhurata. I bëj thirrje edhe të gjithë qytetarëve që të ofrojnë çfarë kanë mundësi për shtëpinë e fëmijës. Duhet të parandalojmë sjelljen e keqe tek fëmijët, të parandalojmë traumat pasi lënë pasoja për gjithë jetën”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ndërkaq, administratori i OSHEE-së Adrian Çela tha se prej më shumë se një viti, kompania ka krijuar sektorin e përgjegjësisë sociale dhe po angazhohet në të cilla projekte në të gjithë Shqipërinë. “Kjo e sotmja është e para e një jave të tillë në gjithë vendin.

Pas Vlorës jemi në Sarandë, në Durrës, në Fier, në Tiranë, Shkodër, Elbasan”, nënvizoi Çela.

OSHEE shpërndau dhurata dhe për vogëlushët e Shtëpisë së Fëmijës Vlorë

“Shtëpia e Fëmijës” në Vlorë, ofron përkudesje për fëmijë nga 0-6 vjeç, të cilët janë te braktisur nga familjet e tyre biologjike ose me probleme ekonomike.

Mbështetja e OSHEE konsiston në: blerjen e pakove të personalizuara për fëmijët që ndodhen në qendër; vendosjen e një këndi lojërash në ambientin e jashtëm të intitucionit; blerje e librave pedagogjik, formues/edukativ, albume fotosh të cilat do plotësojnë bibliotekën e fëmijëve dhe blerjen e bazës materiale për aktivitete krijuese.

“Ku ka gjë më të bukur se ti kalosh krishtlindjet me fëmijët? Ato janë simboli i triumfit të shpresës mbi materien dhe kjo është shtëpia e shpresës. Këtu, vërtet fëmijët mund të kenë patur trauma por ky është vendi për ti integruar ata. OSHEE ka aspektin e përgjegjësisë sociale si kompani, përveç faktit që të gjithë duhet të kontribuojmë për mbarëvajtjen e elelementëve sociale siç është kjo qendër. Për shtresat më në nevojë këtë vit kemi bërë gjëra të mira. Përveç faljes së kamatave që e prezantuam pak ditë më parë, për aq sa na lejon ligji po përpiqemi të investojmë edhe në qendrat sociale për fëmijët”, u shpreh ministri Gjiknuri.

13 Dhjetor

Bilanci i OSHEE: Rriten arkëtimet, kursehen 80 milionë euro nga ulja e humbjeve

cela

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) prezantoi sot para gazetarëve disa nga treguesit thelbësorë të aktivitetit saj gjatë vitit 2016, duke e analizuar me periudhat e mëparshme, si dhe objektivat për të ardhmen.

Tashmë rritja e arkëtimeve ka hyrë në një trend normal rritës nga viti në vit, kurse humbjet po vijojnë uljen, duke sjellë kështu për pasojë miliona uro kursime për kompaninë nga mos-importi i energjisë, për rrjedhojë lehtëson OSHEE-në në financat e saj për më tepër investime.

Konkretisht, arkëtimi i faturave korrente, për të cilat ka përfunduar periudha e arkëtimit deri në 90 ditë (pa kamatat), është në nivelin 87% nga 66% që ishte në 2013 apo 74% në 2014.
Kurse arkëtimi i totalit të faturave të emetuara deri në Tetor dhe arkëtuar deri në Nëntor (pa kamata), arriti në 86.2% si realizim, me një rritje të ndjeshme në raport me vitet e kaluara.

“Nëse do të kishim një performancë më të mirë të arkëtimeve nga institucionet shtetërore, si psh ujësjellësit, norma e arkëtimeve do të ishte mbi 90%”, deklaroi për mediat, Administratori i Përgjithshëm i OSHEE, z.Adrian Çela.

Humbje po vijnë gjithnjë e në ulje, falë mirëmanxhimit të situatës me abonentët debitorë, por së fundmi edhe falë investimeve në rrjetin e amortizuar, nga ku humbjet dhe vjedhjet arrinin 4 vite më parë rreth 50%. “Sot, nivelin e humbjeve e kemi 27.7%, dhe objekti deri në fund të këtij viti 2016, është 28%”, deklaroi më tej, kreu i OSHEE-së.

Rritja e arkëtimeve dhe ulja e humbjeve, natyrshëm që është pasqyruar edhe te treguesit e borxhit të kompanisë, niveli I të cilit në vitin 2014 arriti në 126.5 miliardë lekë, ndërsa sot, duke përfshirë edhe kamatat, arrin në 105 miliardë lekë.
Kështu, ndërsa në vitet 2012-2014, borxhi rritej mesatarisht me 10 miliardë lek në vit, me nisjen e reformës, ai stopoi rritjen dhe nisi reduktimin me rreth 20 miliardë lekë në dy vitet e fundit.

Sa i takon investimeve, OSHEE ka hyrë në fazën intensive të realizimit të projekteve mjaft të rëndësishme, që synojnë rritjen e sigurisë së rrjetit elektrik, garanci dhe cilësi në furnizimin me energji elektrike.
OSHEE ka investuar mbi 10 miliardë lekë, me fondet e veta, në rajone dhe projekte, ku nuk ishte ndërhyrë për 40 vjet me radhë, duke shtruar rreth 2 mijë km linjë TM dhe TU, ndërtim kabinash dhe n/stacionesh, ku përfitues janë rreth 370 mijë abonentë, ose më e pakta 1/3 e popullsisë, vetëm në dy vjet.

Administratori i OSHEE, u tha gazetarëve të pranishëm se nevojat për financimin e investimeve janë të mëdha dhe do të duhen të shpenzohen gjysmë miliard euro në 2-3 vitet e ardhshme për të arritur standardin e duhur të shërbimit të furnizimit cilësorë me energji elektrike. Për vitin 2017, plani i investimeve është mbi 12 miliardë lekë.

Duke u rikthyer te tema e uljes së humbjeve, kreu i OSHEE u ndal te pjesa e efekteve që kanë dhënë te financat e kompanisë “kostot e energjisë së humbur”, për periudhën janar-nëntor.
Konkretisht, sipas Administratorit, Çela, reduktimi i kostos së energjisë së humbur është 26 milionë euro më pak se viti 2015, kurse në raport me vitin 2014 është rreth 80 milionë euro.

Administratori iu përgjigj interesit të medieve në lidhje me fenomenin e dëmtimeve të rrjetit të OSHEE nga palë të treta, si firma private, apo individë të ndryshme.

“Është një problem, dhe madje për kryeqytetin gjatë 3 muajve të fundit është kthyer në fenomen. Gjatë muajit nëntor, kemi pasur 15 raste, ku gati 45% e ndërprerjeve është shkaktuar nga firmat private që punojnë për infrastrukturën publike, rrugë, ujësjellës. E njëjta situatë paraqitet edhe në Dhjetor!

Përveç shkresave drejtuar institucioneve publike për shumë kujdes, jemi duke hartuar një draft me disa propozime që forcojnë sanksionet ndaj subjekteve private. Mes të tjerash kemi kërkuar përjashtimin e këtyre firmave nga prokurimet publike, ose të jepet garanci financiare në rast shkaktimi të dëmtimeve, propozime këto që do ja dërgojmë këshillit të ministrave dhe besojmë se do të gjejmë mbështetje”.

24 Nëntor

Shërbimi ndaj klientit, Gjiknuri-Çela prezantojnë aplikacionin OSHEE Mobile

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administrator i Operatorit të Shpërndarjes z.Adrian Çela ndoqën sot nga afër prezantimin e aplikacionit OSHEE Mobile përmes të cilit qytetarët mund të kryejnë shërbimet online, në telefonin e tyre, pa patur nevojë të shkojnë në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit.

Me anë të aplikacionit OSHEE Mobile çdo përdorues i një telefoni “smart” mundet të regjistrohet për të patur llogarinë online pranë kompanisë; të kontrollojë konsumin dhe faturën mujore; të kryejë pagesa të faturave pa komision; të kryejë një kërkesë apo ankesë si dhe të ndjekë statusin e saj; të aksesojë portalin e punësimit dhe aplikojë për një vend pune pranë kompanisë. Gjithashtu krijohet mundësia që të denoncohet çdo abuzim me të cilin ndeshet qytetari duke e shoqëruar me fotografi dhe të dhëna konkrete. Qytetarët mund të shikojnë në hartë dhe informohen edhe mbi Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit apo aktivitetet e produktet e Operatorit të Shpërndarjes.

Ministri Gjiknuri deklaroi se përmes rimëkëmbjes financiare të kompanisë dhe sektorit në tërësi, po bëhet e mundur që të kryhen investimet aq të domosdoshme si në infrastrukturën e rrjetit ashtu edhe në shërbimin ndaj konsumatorëve.

“Këto investime janë shumë të rëndësishme pasi në qendër të tyre është klienti. Qytetarët e kanë mirëpritur investimin në teknologji dhe gjithnjë e më shumë po përdorin format alternative të pagesave dhe informimit”, u shpreh z.Gjiknuri.

Duke ju referuar aplikacionit OSHEE Mobile, ai theksoi se “ka ende probleme pasi ka edhe punonjës të papërgjegjshëm. Çështja është të gjejmë format dhe mundësitë për ti kontrolluar ata gjithnjë e më shumë. Aplikacioni është mundësi e mirë për të gjurmuar ankesa, për të kryer denoncimin në kohë reale duke dhënë mundësinë e ndjekjes së saj, ndëshkimin e personave përgjegjës dhe zgjidhjen e problemit. Përmes denoncimeve do ti jepet mundësia kompanisë të korrigjojë edhe performancën e saj”.

Ministri Gjiknuri ju përgjigj edhe akuzave të vazhdueshme të opozitës ndaj kompanisë së shpërndarjes. “Ka patur shumë akuza politike ku thonë se paratë harxhohen kot. Investimet që po bën OSHEE në fakt janë një kursim si për qytetarët edhe për kompaninë. U akuzua OSHEE se po bën zyra të reja por shikojini këto ambiente tani, janë njësoj si një qytet evropian. A nuk e meritojnë qytetarët shqiptarë të kenë një sistem modern komunikimi me ndërmarrjen e tyre pasi OSHEE është e gjithë qytetarëve. Akuzat janë bërë me synimin e vetëm dëmtimin e reformës më të suksesshme të qeverisë e cila është e kuantifikuar me shifra konkrete”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela ju referua edhe asaj çka ka bërë kompania më herët në kuadër të përfshirjes së teknologjive të reja në shërbimet ndaj klientit.

“Ky nuk është shërbimi i fundit pasi ne jemi duke punuar që së shpejti të ofrojmë të tjera produkte që lehtësojnë komunikimin me qytetarët. Ndërkohë, më parë kemi bërë hapa të rëndësishëm që nga çelja e sporteleve alternative për pagesat çka solli në eliminimin e radhëve. Sot jemi në rangun e 200 mijë veprimeve në muaj pikërisht nga sportelet alternative. Nëpër qendra tregtare shpërndamë Infokioskat, si një tjetër alternativë për shërbimin ndaj qytetarëve. Instaluam këtë vit mbi 50 mijë matësa elektronik që me një ndryshim të vogël mund të kthehen edhe në matësa inteligjentë. Nuk duhet të harrojmë edhe lexuesit elektronikë PDA të cilët i prezantuam pak muaj më parë e që lehtësojnë e automatizojnë leximin e faturës duke shmangur problemet me leximin nga faturistët”, theksoi z.Çela.

16 Nëntor

Leskovik, OSHEE program investimesh në rrjet

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri dhe administratori i Operatorit të Shpërndarjes z.Adrian Çela zhvilluan një inspektim në Bashkinë e Kolonjës në kuadër të investimeve që po kryhen në rrjet.

“Ne kemi investuar në sektorin energjitik edhe në Bashkinë e Kolonjës. Jemi sot posaçërisht këtu për të dhënë mesazhin se shumë shpejt, në Buxhetin e ardhshëm të Operatorit të Shpërndarjes do të futet edhe planifikimi për ndërtimin e nënstacionit të Leskovikut që do ti shërbejë qytetit por do ti shërbejë edhe disa investimeve private në fushën e energjisë të cilat do të kenë mundësinë të lidhen me rrjetin e të mos shkaktojnë probleme e humbje si deri më tani”, theksoi z.Gjiknuri.

Ai deklaroi se shtimi i investimeve në rrjet është produkt i suksesit të reformës në sektorin elektroenergjitik. “Dua tu them qytetarëve se ky është një tjetër produkt i reformës në energjitikë. Kjo zonë ka qenë paguese e rregullt e energjisë elektrike dhe është veprimi i duhur që tu jepet atyre mbrapsht ajo çka meritojnë”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Ngritja e nënstacionit 110/35/10 KV në qytetin e Leskovikut do të zgjidhë përfundimisht furnizimin me energji të Qytetit Leskovic dhe fshatrave të tij përreth. Operatori i Shpërndarjes ka planifikuar gjithashtu edhe investime të tjera si riparimin e linjës 35 KV Ersekë Leskovik dhe kthimin e rrjetit të Tensionit të Ulët nga ajror në kabllor.