Back

Divjakë, përfundon rikonstruksioni i nënstacionit 35/10kV, Balluku: 25 vite garanci, për furnizim cilësor me energji për zonën

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i drejtorisë së Tensionit të Lartë në OSSH, Adriatik Kupi, ishin sot në Divjakë ku u përurua investimi i rikonstruksionit të plotë të NST Biçukas 35/10kV.

Ministrja Balluku tha se për të disatën herë OSSH po investon në Divjakë duke  përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji jo vetëm për banorët, por dhe fermerët.

Sipas ministres, kjo zonë e njohur për ndjeshmërinë si pasojë e funksionimit të hidrovorëve, kishte një rrjet elektrik të ndërtuar që në vitet ’70.

“Kjo zonë e meriton të ketë vëmendjen totale të qeverisë, megjithë krizën energjetike që po përballon sot jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota.

Kynënstacion është i rëndësishëm, një nyje qendrore për furnizimin me energji në zonën Fier-Lushnje, i cili tashmë garanton një shërbim më të mirë duke mbuluar edhe nevojat e fermave bujqësore dhe subjekteve turistike të kësaj zone”, u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja Balluku theksoi se kompania OSHEE Group prej disa vitesh ka përmirësuar treguesit financiarë sic janë niveli i humbjeve dhe rritja e arkëtimeve.

Sipas saj, si pasojë e trashëgimisë së një rrjeti të amortizuar, sic ishin më parë linjat në zonën e Divjakës, OSHEE fokusoi investimet në zonat ku rrjeti datonte prej viteve ’70.

““Është e dukshme që është investuar sepse shqiptarët nuk e kanë harruar se vitet 2007 dhe 2009 rrinin 6 orë pa drita ndërsa sot dhe kur ka ndërprerje për remont lajmërohet ditë më përpara.

OSHEE ka investuar 500 milionë euro në kapitalet e kompanisë por të gjitha këto investime janë të prekshme, të dukshme e të faktuara me nivelin e shërbimit që ne kemi. Qoftë me orët e ndërprerjes qoftë me minutazhin e ulët të ndërprerjeve dhe kur ka avari teknike, apo dhe me shërbimit që qytetarët marrin kudo”, tha ministrja Balluku.

Lidhur me pyetjet e ngritura nga opozita ditët e fundit, mbi arsyet e rritjes së numrit të punonjësve nga 2015 deri në 2021, ministrja Balluku tha se arsyeja lidhet me ofrimin e një shërbimi modern dhe sa më cilësor për abonentët.

“Deri dje, ne kishim një qendër të Kujdesit të Klientit për 1600 banorë dhe sot kemi një KNK për 600 abonentë. Sigurisht që këto investime janë të automatizuara por ato kërkojnë skuadra që ti mirëmbajnë dhe kërkojnë profesionistë për të ofruar më të mirën e shërbimit për qytetarët”, tha ministrja Balluku.

Lidhur me trashëgiminë e rrjetit të vjetër eneergjetik, ministrja Balluku tha se me dakordësinë dhe të kryeministrit Rama është duke u menduar hapja e një Muzeumi Energjetik për ti treguar brezave se sa i dukshëm ndërhyrja me investime, për të bërë diferencën midis asaj cfarë kaluam dhe asaj cfarë po përjetojmë.

“Kemi treguar me fakte që në parlament dhe komisione parlamentare se nuk janë rritur pagat e drejtuesve të kompanisë por të punonjësve që punojnë në kushte të vështira, në dimër e verë duke i shërbyer qytetarëve”, tha ministrja Balluku duke shtuar se kjo është arsyeja se megjithë krizën energjetike sot në botë, qeveria do të vazhdojë të mbrojë shtresat sociale përmes një pakete të miratuar në qeveri për ti ofruar atyre shërbim cilësor pa rritur çmimin e energjisë”, tha ministrja e Energjisë Belinda Balluku.

Drejtori i TL në OSSH, Adriatik Kupi tha se ky investim në NST Biçukas do ti përgjigjet nevojave për energji të kësaj zone për një periudhë kohore 25 vjecare ne vazhdim.

Sipas drejtorit të Tensionit të Lartë në OSSH ky nënstacion është i pajisur me impiante 35 kV dhe në impiante 90 si dhe në transformatorët me fuqi 10 MËA që do të përballojnë nevojat për furnizim me energji në periudha afatgjata.

Kupi tha se NST i Biçukasit kap vlerë 1.5 milionë euro dhe do të përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji për rreth 12 mijë banorë.

Me investimin e ri të OSSH në NST Biçukas, zona e Divjakës nuk do të ketë probleme me cilësinë e furnizimit me energji, pasi pajisjet e tij janë bashkohore dhe të çertifikuara sipas standardeve bashkohore.