
ERE miraton tarifë 22 lekë/kWh për karikimin e mjeteve të transportit me fuqi të instaluar mbi 11 kW
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar tarifat e posaçme dhe të diferencuara për energjinë elektrike të përdorur nga pikat dhe stacionet e karikimit të makinave elektrike me fuqi të instaluar mbi 11 kW të lidhura në nivelin e tensionit 0.4 kV.
Sipas vendimit, prej 1 nëntor 2025, do të aplikohet një çmim prej 22 lekë për kilovat/orë (kWh) për pikat e karikimit të mjeteve elektrike.
OSHEE Group, sqaron se çmimi i energjisë për karikimin e automjeteve elektrike në ambiente familjare ose biznese të vogla nuk ndryshon.
Këto pika karikimi, të njohura si “slow charge” ose karikim i ngadaltë, me kapacitet deri në 11 kW dhe kohë karikimi që varion nga 6 deri në 7 orë, do të vazhdojnë të paguajnë 9.5 lekë/kWh për klientët familjarë dhe 14 lekë/kWh për bizneset e vogla.
Aktualisht në të gjithë vendin janë instaluar rreth 255 stacione karikimi për automjetet elektrike, të cilat kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes.
Një pikë e vetme karikimi të shpejtë, konsumon energji sa për 30 abonentë familjarë, çka po nxit kërkesën për shtim të kapaciteteve të rrjetit.
Një tjetër arsye e rëndësishme për vendosjen e tarifës 22 lekë për kilovator është rregullimi i tregut, i cili deri më tani ka funksionuar me çmime të pakoordinuara dhe shpesh abuzive.
Sot, operatorët privatë që blejnë energjinë me 14 lekë për kilovator, të njëjtin çmim me një biznes të vogël, e rishesin energjinë për karikim me 30 deri në 60 lekë, duke realizuar fitime të shumëfishta në kurriz të konsumatorit.
Tarifa e re e ndan qartë karikimin familjar nga ai tregtar, duke krijuar kushte të barabarta për të gjithë operatorët dhe duke futur tregun në rrugë të qëndrueshme.
Modeli i ndjekur është në përputhje me vendet e tjera të rajonit, ku çmimi i karikimit të shpejtë arrin mesatarisht 75 lekë për kilovator, ndërsa në Shqipëri mbetet në nivelin 22 lekë, pra ndër më të ulëtit në Ballkan.
OSHEE paralajmëron se rritja e numrit të mjeteve elektrike do të kërkojë investime të reja në infrastrukturë, përfshirë shtimin e kabinave dhe përmirësimin e kapaciteteve të shpërndarjes, në mënyrë që të shmangen kufizimet dhe disbalancat e rrjetit.
Vendimi i ERE përfshin gjithashtu një diferencim të çmimit sipas orarit të ditës, për të reflektuar kostot reale të furnizimit dhe për të nxitur një përdorim më të ekuilibruar të energjisë.
Gjatë orareve të pikut, çmimi do të jetë 25.3 lekë/kWh, me ndryshim sipas stinës:
Dimër (1 Nëntor – 31 Mars)
ora 18:00 – 22:00
Verë (1 Prill – 31 Tetor)
ora 19:00 – 23:00