Back

Intensifikohen kontrollet, OSSH luftë pa kompromis kundër abuzuesve të energjisë elektrike

Prej disa ditësh, OSSH ka intensifikuar kontrollet në terren, me qëllim reduktimin e humbjeve dhe disiplinimin e abonentëve.

 Nga kontrollet e ushtruara kryesisht në zonat turistike ku vërehet shtim i konsumit të energjisë si pasojë e rritjes së numrit të pushuesve, grupet e kontrollit të OSSH kanë konstatuar disa raste të lidhjeve të paligjshme konkretisht: në një pallat shumëkatësh në Shëngjin të Lezhës; 3 subjekte “hotel resort” në bregdet, 2 në Shëngjin dhe një në Golem; si dhe një resort në zonën e Saukut në Tiranë si dhe plot raste të tjera etj.  Pas konstatimit të rasteve të vjedhjes së energjisë, strukturat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, kanë kryer denoncimet në polici, duke vënë para përgjegjësisë personat përkatës.

OSSH thekson se do të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, me qëllim formalizimin dhe vendosjen e plotë të shtetit ligjor në sektorin energjetik.

Kontrollet e strukturave të OSSH kundër abuzuesve të energjisë elektrike do të vijojnë dhe në ditët në vazhdim, për të prerë lidhjet e paligjshme që shkaktojnë humbje në rrjetin elektrik, por dhe për të mos lejuar uljen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, si pasojë e vjedhjes së energjisë.

OSSH i bën thirrje abonentëve të distancohen nga abuzimi me energjinë elektrike dhe të denoncojnë çdo rast në numrin e cel: 069 414 1001, whatsapp/viber.