Intervista tek “Monitor”, Çela: OSHEE, si do veprohet me 45 miliardë lekë fatura të pambledhura

8 prill, rimekembja1Intervistë me z.Adrian Çela, administrator i përgjithshëm i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

Si do e vlerësonit ecurinë e OSHEE në vitin 2014 dhe pjesën e parë të 2015?

Në Janar 2013, kur OSHEE kaloi në administrim të përkohshëm nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), situata financiare ishte mjaft e përkeqësuar, duke rrezikuar dhe falimentimin e saj, kjo për shkak se humbjet, vetëm për vitin 2012 ishin rreth -38 miliardë lekë, Totali i Detyrimeve arriti në shifrën e -79 miliardë lekë, ndërkohë që gjendja në kapitalin e vet ishte – 40 miliard lekë dhe humbjet e energjisë gjatë vitit 2012 kapën nivelin e 51,1%. Këto rezultate negative ishin kryesisht për shkak të keqmenaxhimit të situatës nga CEZ, mungesës së investimeve kapitale nga ish-CEZ Sh.a. gjatë gjithë këtyre viteve si dhe një mungese totale të mbështetjes së Qeverisë për të krijuar kushtet minimale të operimit të biznesit.

Edhe gjatë vitit 2013 shoqëria vazhdoi të shënonte rezultate të theksuara negative në nivelin e -27 miliard Lekë, ndërkohë që humbjet e energjisë rezultuan 45%.

Shoqëria vazhdoi nën administrim të përkohshëm edhe gjatë 2014-s, ku Administrimi u fokusua në frenimin e përkeqësimit të situatës financiare të shoqërisë, duke u përpjekur sado pak për një përmirësim të mundshëm. Disa tregues kryesorë që mund të përmenden gjatë 2014-s janë: – Humbja nga shitja e energjisë elektrike u ul me 6.93%, të ardhurat u rriten me 9.5 miliard Lekë, shpenzimet u ulën për rreth 13 miliardë lekë.

Megjithë përmirësimin e disa tregueve financiare, shoqëria gjatë 2014-s akoma nuk arriti të regjistronte një rezultat ekonomik pozitiv, duke rezultuar me një humbje prej rreth -4.5 miliardë lekë, ndërkohë që detyrimet e shoqërise u rritën akoma për rreth 5 miliard Lekë ose nga 99.4 miliardë lekë që ishin në fund të vitit 2013 shkuan në 104.4 miliardë lekë.

Me kalimin e 100% të aksioneve në pronësi të Qeverisë Shqiptare në fund të muajit Tetor 2014, shoqëria filloi menjëherë ndërmarrjen e masave thelbësore për ndryshimin e situatës bazuar në Planin e Rimëkëmbjes që Qeveria Shqiptare hartoi për Sektorin Energjetik, i cili dha rezultatet e para që në muajt e fund vitit 2014, duke tejkaluar çdo pritshmeri. Kështu në muajt Nëntor – Dhjetor, humbja e energjisë u ul me 15% krahasuar me 2013, konkretisht nga 53% në Dhjetor 2013 në 37.5% në Dhjetor 2014, ndërkohë që arkëtimet u rritën me 42% krahasuar me Dhjetorin e 2013-s.

Efektshmëria e aksionit për realizimin e Planit të Rimëkëmbjes në 2 muajt e fundvitit 2014 përmirësoi ndjeshëm edhe treguesit ekonomiko financiarë.

Zbatimi me përpikmëri i Planit të Rimëkëmbjes i përmiresoi më tej rezultatet financiare të shoqërisë gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2015 ku mund të përmenden: Humbja e energjisë u ul me 8.3% krahasuar me 6-mujorin e parë të 2014, të ardhurat për 6 muaj u rritën me 4.4 miliardë lekë, shpenzimet u ulën me 4 miliard Lekë.

Këto përmirësime të dukshme të aktivitetit të shoqërisë bënë të mundur që Shoqëria për herë të parë prej krijimit të saj në vitin 2007 arrin të regjistrojë rezultat pozitiv financiar 6-mujor prej 4.5 miliardë lekë. Me këto rezultate shoqëria pas shumë vitesh ka arritur më në fund të paguajë 100% shpenzimet korente të energjjisë si dhe të ulë detyrimet me 7.5 miliardë lekë, e ndihmuar kjo edhe nga masat e marra nga Qeveria për shuarjen e detyrimeve të ndërsjellta të shoqërive publike.

Gjithashtu për herë të parë shoqëria ka hartuar për vitin 2015 një plan Investimesh me vlerë prej 50 milionë dollarësh të cilat llogariten sa vlera totale e investimeve të 5 viteve të fundit të marra së bashku. Këto investime do të bëjnë të mundur si përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, ashtu edhe teknologjinë e informacionit për reduktimin e mëtejshëm të humbjeve, përmirësimin e shërbimit si dhe rritjen e eficencës së menaxhimit të shoqërisë.

-Sipas bilancit të 2014, janë rreth 45 miliardë lekë detyrime në formen e faturave të pambledhura nga klientët familjarë. Si do të veprohet me këtë shumë (sa % planifikohet të mblidhet dhe për sa kohë, a ka plan për të pastruar bilancin nga detyrimet pa shpresë arkëtimi etj).

Përsa i përket parashikimit të treguesve të tjerë financiarë të shoqërise siç janë Të Arkëtueshmet nga klientët – shoqëria nisi në Tetor të vitit 2014 një fushatë ristrukturimi të Debisë për tu arkëtuar nga klientet e akumuluar ndër vite, e cila ka dhënë rezultate pozitive.

Aktualisht, rreth 50% e detyrimit të mbartur për periudhën 2007-2014 është përfshirë në skemën lehtësuese të pagesës së detyrimit me këste, gjithashtu deri në muajin Korrik 2015 kemi një reduktim të Borxhit për këtë periudhë në masën e 20%.

Nga skemat lehtësuese të faljes së Kamatë vonesës në masën e 80% kanë përfituar rreth 190 mijë abonentë familjare me një falje të vlerës së detyrimit për Kamatë vonesa në rreth 4.2 miliardë Lekë. Gjithsesi ky është një aksion, i cili po vazhdon me përparësi nga Shoqëria dhe deri në fund të vitit 2015 OSHEE do të realizoje një vlerësim të ecurisë së kësaj fushate dhe një rivlerësim real të debisë për tu arkëtuar nga klientët.

-Cilat janë rezultatet e pritshme për vitin 2015, në drejtim të performancës së aktivitetit?

Parashikimet për vitin 2015 përsa i përket arkëtimit të Faturave të Energjisë Elektrike arrijnë në vlerën e rreth 54 miliardë lekë lekë, ose 10% më shumë se në vitin 2014. Nderkohë që deri në muajin korrik 2015 kemi një realizim të planit të arkëtimeve në rreth 25%. Krahasuar me të njëjtën periudhë në 2014 vlera e arkëtimeve është rreth 49% më shumë, tregues që na jep sigurinë për arritjen e planit të arkëtimit për vitin 2015.

Në fund të vitit 2015 OSHEE synon të arrijë humbjet në masën e 31.8% me një reduktim krahasuar me vitin 2014 prej rreth 6%.

-Sipas bilancit të 2014-s, rezultatet e kompanisë janë përmirësuar ndjeshëm, megjithatë OSHEE ka vijuar të jetë me një kapital të lartë negativ për të disatin vit radhazi, duke e bërë atë të varur nga financimet dhe garancitë e qeverisë. Kur dhe si planifikoni të kaloni me kapital pozitiv?

Në lidhje me kapitalin negativ të shoqërisë, përveç përmirësimit të vazhdueshëm të rezultatit financiar të shoqërisë, Qeveria ka ngritur nje grup ndër-institucional për të bërë të mundur vlerësimin dhe riklasifikimin e detyrimeve të ndërsjellta midis institucioneve buxhetore dhe sh.a-ve publike, të cilat ndikojnë negativisht kapitalin e shoqërisë OSHEE.

Shoqëria do të vazhdojë zbatimin e Planit të Rimëkëmbjes së sektorit, i cili synon transformimin e shoqërisë në një ent publik, i cili jo vetëm arrin të përmbushë detyrimin për furnizimin normal me energji elektrike, por më në fund arrin të mbulojë më të ardhuat e veta të gjitha shpenzimet dhe investimet e domosdoshme, duke mos rënduar për asnjë çast Buxhetin e Shtetit dhe Financat Publike.