Investimi 1.7 mld lekë në Paskuqan, Gjiknuri-Çela: Brenda Qershorit të gjithë konsumatorët me matësa
Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së z. Adrian Çela inauguruan investimet që po kryhen në zonën e Bathores, Paskuqanit dhe Babrrusë në Tiranë.
Vlera totale e investimit shkon në 1.7 miliard lekë ndërsa parashikohet të përfitojnë cilësi më të mirë shërbimi me energji 80 mijë banorë të këtyre zonave.
Investimi përfshin ndërtimin e 128 kabinave të reja dhe vendosjen e 3500 shtyllave.
OSHEE po shtron 379.5 kilometër linjë të re prej të cilave 173.7 km janë linjë
nëntokësore 20 kilovolt dhe 205.8 km linja ajrore ABC.
Ministri Gjiknuri deklaroi se fushata e investimeve po shoqërohet edhe me përmbushjen e objektivit për heqjen e faturimeve aforfe.
“Vetëm në periudhën e fundit, në Tiranë janë instaluar mbi 6700 matësa dhe ka mbetur edhe një pjesë tjetër për të përfunduar plotësisht. Vetëm në këtë zonë, me këtë investim, janë instaluar mbi 500 matësa familjarë. Qytetarë që deri dje paguanin aforfe ose ndonjëherë nuk paguanin fare por tanimë kanë matësat e rinj”, u shpreh z.Gjiknuri.
Ai sqaroi se ky objektiv do të përmbushet brenda muajit Qershor, kohë kur do të hiqet plotësisht faturimi aforfe.
“Të gjithë konsumatorët shqiptarë do të kenë matësa. U bëj thirrje qytetarëve të mbështesin auroritetet, të mbështesin Operatorin e Shpërndarjes kur vijnë për instalimet.
Ka patur një mungese dëshirë nga qytetarët për vendosjen e këtyre matësave. Këto janë shkelje të ligjit dhe këto nuk do të falen, do të penalizohen. Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët të tarifohen dhe të paguajnë energjinë që konsumojnë sipas matjes së rregullt që e bëjnë këto matësa. Realisht ky është qëllimi.
Pra, për të qenë të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe për t’iu ardhur në ndihmë vetë konsumatorëve të energjisë elektrike”, nënvizoi z.Gjiknuri.
Duke sqaruar investimet e bëra në zonën e Bathores, Babrrusë dhe Paskuqanit,administratori i OSHEE tha se ishim në një situatë ku 70% e kabinave të ndërtuara nga vetë banorët, ishin jashtë të gjitha kushteve teknike. “Në Qershor të vitit 2015 nisëm një investim 1.7 miliard lekësh, të ndarë në 6 lote.
Në 4 prej këtyre loteve investimi ka përfunduar. Tani jemi në 95% të punimeve dhe 2 lotet e fundit përfundojnë në fillim të Majit. Do të shmangen mundësitë e abuzimit nga ana e banorëve që deri para disa kohësh këtu kanë qenë të theksuara. Do të marrin furnizim më të mirë, por do të jenë të detyruar dhe ti përgjigjen kompanisë dhe me pagesa të rregullta të energjisë në mënyrë që kompania këtë investim që ka bërë ti kthehet mbrapsht financiarisht”, u shpreh Çela.