Back

Nga 1 janari 2026 subjektet e lidhura në tension 6kV do të dalin në treg të lirë, Albi Gjenerali: FTL ofron shërbime me kosto konkurruese

Administratori i Furnizuesit të Tregut të Lirë, z.Albi Gjenerali, mori pjesë në Panairin “Energy, Construction & Green Economy Fair 2025”, organizuar nga Iceberg Exhibitions.

Në fjalën e mbajtur gjatë panelit “Smart Buildings & Free Market: Driving Energy Efficiency and Modern Design”, Gjenerali foli për transformimin e tregut të energjisë në Shqipëri dhe rolin që po merr FTL në garantimin e furnizimit të qëndrueshëm për bizneset.

Sipas tij, FTL, pjesw e oshee group ka sot një portofol të gjerë prodhuesish, ku përfshihen si burimet hidrike, ashtu edhe ato diellore.

 “Ne kemi rreth 700 megavat nga prodhuesit hidro dhe 70 megavat nga prodhimi solar.

Ky kombinim na jep mundësinë të kemi kontrata afatgjata dhe të sigurojmë energji me çmim stabël për klientët tanë në tension të mesëm,” – tha Gjenerali.

Ai theksoi se energjia diellore është një sektor që ka njohur rritje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit edhe në Shqipëri, ku FTL mbështet rreth 70 megavat impiante solare dhe 180 megavat vetëprodhues, biznese që kanë instaluar panele diellore për konsum të brendshëm.

“Ky diversifikim është i domosdoshëm.

 Ka vite të mira hidrike dhe vite të dobëta, prandaj kombinimi i burimeve të ndryshme prodhuese na siguron stabilitet më të madh në furnizimin me energji,”  shtoi ai.

Aktualisht, FTL furnizon rreth 4000 klientë në rrjetet 35, 20 dhe 10 kV, ndërsa nga 1 janari 2026 pritet që rreth 2300 klientë të rinj të kalojnë në tregun e lirë të energjisë.

Administratori i FTL tha se kalimi i klientëve në tregun e lirë ka ndikuar pozitivisht në uljen e barrës publike, pasi kompanitë e mëdha nuk janë më pjesë e Furnizuesit të Shërbimit universal, FSHU, një shërbim që synon të mbrojë konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

Në fjalën e tij, administratori i FTL foli edhe për marrëdhënien me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), duke e cilësuar marrëveshjen e depozitimit të energjisë si një mekanizëm eficience dhe optimizimi të sistemit energjetik.

“Kur FTL ka prodhim të tepërt nga HEC-et dhe impiantet diellore, kjo energji depozitohet në KESH, që ka kapacitete më të mëdha.

Në periudha të thata, ne marrim sasinë që kemi depozituar më parë.”, shpjegoi ai.

Sipas të dhënave të vitit të fundit, sasia e depozitimit është ulur ndjeshëm, duke arritur vetëm 250 mijë megavat orë deri në këtë periudhë të vitit, çka tregon një përdorim më efikas të energjisë nga FTL.

“Ky optimizim i shërben qytetarëve, ul barrën financiare për kompanitë dhe ndikon drejtpërdrejt në fatura më të lira të energjisë elektrike,” tha në fjalën e tij, administratori i FTL, Albi Gjenerali.