Back

OSHEE Group në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, Enea Karakaçi prezanton projektet  për energji të qëndrueshme dhe inovacion digjital

Në edicionin e 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Ekspo Group”, mori pjesë edhe OSHEE Group me kompanitë e saj bija OSSHdhe FTL.

Në një nga panelet e panairit, u prezantua vizioni dhe strategjia e grupit për periudhën afatmesme dhe afatgjatë, në përputhje me objektivat e strategjisë kombëtare të energjisë dhe direktivat EU Green Deal, që synojnë një tranzicion të qëndrueshëm energjetik deri në vitin 2030.

Nënstacioni i parë nëntokësor në qendër të Tiranës

“Një nga projektet më të rëndësishme që po zbatojmë është ndërtimi i nënstacionit të parë elektrik nëntokësor në qendër të Tiranës një investim me vlerë rreth 22 milionë euro,” deklaroi administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi.            `

Sipas tij, projekti, i cili pritet të nisë nga viti 2026, do të jetë i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe ndër të paktët në Europë. “Ky investim është thelbësor për furnizimin me energji të kryeqytetit, që ka njohur një rritje të madhe në konsum dhe ndërtime,” shtoi Karakaçi.

Objektivat e “Shqipërisë 2030”

Gjatë fjalës së tij, kreu i OSHEE-s vuri në dukje objektivat kryesore të sektorit të energjisë për dekadën në vijim:

“Një nga synimet kryesore të qeverisë shqiptare është ulja e humbjeve të energjisë në nivelin 10% deri në vitin 2030 – një objektiv plotësisht i arritshëm, duke parë se nga 24% në vitin 2017, jemi sot në rreth 17% dhe pritet që 2025 të mbyllet me 16.9%.”

Sipas Karakaçit, qëndrueshmëria e arkëtimeve është një tjetër pikë e forte.

“Sot jemi mbi 100% të arkëtimeve, dhe deri në 2030 synojmë ta mbajmë mbi nivelin 98%.”

Një tjetër drejtim strategjik, sipas tij, është rritja e burimeve të rinovueshme, ku qeveria ka synuar që më shumë se gjysma e energjisë që konsumon vendi të vijë nga burime të pastra. “Ky objektiv është i arritshëm, pasi sot jemi pranë këtij niveli falë projekteve të reja fotovoltaike dhe eolike që po zhvillohen në vend,” theksoi ai.

Investimet në digjitalizim dhe matësat inteligjentë

Një ndër prioritetet e OSHEE Group mbetet modernizimi i rrjetit përmes investimeve në inovacion dhe digjitalizim.

“Jemi në fazë të avancuar me projektin e ri të sistemit SCADA, që do të mundësojë komandimin në distancë të rrjetit elektrik dhe monitorimin e ngarkesave në kohë reale,” u shpreh Karakaçi, duke shtuar se projekti po realizohet në bashkëpunim me KfW, ndërsa një tjetër investim madhor është vendosja e 350 mijë matësave inteligjentë në gjithë Shqipërinë, në partneritet me Agjencinë Franceze të Zhvillimit.

“Kjo do t’u mundësojë konsumatorëve të shohin konsumin e tyre në kohë reale dhe të menaxhojnë më mirë energjinë që përdorin,” shtoi ai.

Diversifikimi i burimeve të energjisë

Sipas administratorit të OSHEE Group, politika energjetike shqiptare po ecën me hapa të sigurt drejt diversifikimit të burimeve.

“Deri para pesë vitesh ishte e paimagjinueshme të kishim kapacitete të mëdha fotovoltaike, por sot projekti 140 MW i Karavastasë është funksional, ndërsa ai i Spitallës është në ndërtim,” sqaroi Karakaçi.

Ai theksoi se kombinimi i energjisë diellore me atë hidrike siguron një balancë të mirë gjatë periudhave të thatësirës, ndërkohë që projektet e gazifikimit dhe ankandet për energjinë e erës do të rrisin më tej sigurinë energjetike të vendit.

Rrjeti, i gatshëm për energjinë e gjelbër

Karakaçi pranoi se kërkesa për lidhje të reja në rrjet nga prodhuesit fotovoltaikë është më e madhe se kapacitetet aktuale, por theksoi se kompania po gjen zgjidhje të shpejta teknike për të akomoduar çdo investitor.

“Sot kemi rreth 4 mijë subjekte vetëprodhuese, familjare dhe private, të lidhura në rrjetin e shpërndarjes, me kapacitete që kanë arritur 400 megavat. Kjo tregon vullnetin e OSHEE Group për të mbështetur çdo klient që investon në energjinë e gjelbër,” u shpreh ai.

Në përfundim, Karakaçi theksoi se OSHEE Group është plotësisht e angazhuar të përmbushë objektivat e qeverisë shqiptare për “Shqipërinë 2030”, duke avancuar në drejtim të një sistemi energjetik më të pastër, më të qëndrueshëm dhe plotësisht të digjitalizuar.