OSHEE: PD akuza të pabaza e dashakeqe, punonjësja masë për largimin që në qeverisjen e PD

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hedh poshtë me keqardhje akuzat e pabaza e dashakeqe të Partisë Demokratike për rastin e largimit nga detyra të një punonjëseje të kompanisë.

OSHEE sqaron opinionin publik se Znj.Nexhmije Bushi, ka filluar marrëdheniet e punës me Shoqërinë OSHEE sh.a., në datë 01.09.2000, në pozicionin Operatore Nën/Stacioni.

Përgjatë kryerjes së detyrës funksionale në varësi të përformancës së saj, znj.Bushi ka marrë masa disiplinore: “Vërejtje me Shkrim, paralajmërim për largim nga puna” në datë 02.10.2012, “Vërejtje me shkrim paralajmërim për largim nga puna” në datë 16.04.2014.

Bazuar në Kontratën Kolektive të Punës masat disiplinore parashkruhen nëse brenda 6 muajve nga dita e dhënies së tyre nuk është dhënë ndonjë mase tjetër disipliniore.

Rezulton se për znj.Bushi ka filluar proçedura e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës, në zbatim të nenit 141, 143, 144 të Kodit të Punës si dhe Vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë Nr. 19, Dt.15.11.2007.

Në bazë të këtij Vendimi, bazuar në nenin 141 të Kodit të Punës është përacktuar se :

“Kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka perfunduar afati i njoftimit”.

Ky nen jep në parim mënyrën e zgjidhjes së kontratës. Ligji e lë në vullnetin e njëanshëm të palës që të zgjidhë kontratën, duke respektuar afate të caktuara taksative njoftimi.

Konkretisht në rastin e znj.Bushi është zbatuar me rigorizitet neni 143 i Kodit të Punës, ku per te zgjidhur kontraten me kohezgjatje te pacaktuar Shoqeria OSHEE sh.a., ka respektuar afatin e njoftimit prej 3 muajsh e cila është në varësi të kohëzgjatjes së marredhënies së punës me Shoqërinë.

Nga formulimi i kësaj dispozite kuptohet se mjafton që njëra palë të kërkojë zgjidhjen dhe kontrata përfundon kur mbaron afati i njoftimit.

Pra ka dy kushte që duhet të plotësohen për ta pasur zgjidhjen e kontratës:

  1. i) shprehjen e vullnetit të njërës palë, ku në rastin konkret është shprehja e vullnetit nga punëdhënësi dhe ii) respektimi i afatit te njoftimit.

Në bazë të këtij Vendimi proçedura e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës e ndjekur për rastin e znj.Bushi është zgjidhja normale e marrëdhënieve të punes.

Me Vendimin përfundimtar të shkëputjes së marrëdhenieve të punes , znj.Bushi ka përfituar edhe shpërblimin për lejen vjetore të pakryer.

Sa i takon pretendimeve se znj.Bushi është zëvendësuar me persona pa arsimin e duhur, Ju bëjmë me dije se personeli i cili rekrutohet pranë Shoqërisë OSHEE sh.a., kalon në fazë përzgjedhje me kandidatura përcaktuar në Manualin e Burimeve Njerëzore.

Konkretisht, personi i cili pretendon znj.Bushi se e ka zëvendësuar, ka përfunduar arsimin e Lartë për Inxhinieri Elektrike.

OSHEE shpreh keqardhje për qëndrimet e Partisë Demokratike e cila nuk gjeti rastin për asnjë moment të mbështesë rikthimin e ligjshmërisë në sektorin e energjisë elektrike dhe ringritjen e kompanisë.